TIRANE- Kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Arta Dade ka akuzuar opozitën si të përfshirë në trafikun e azilantëve shqiptarë drejt Gjermanisë. Dade u mbështet dhe nga deputetit Namik Dokle, kur thanë se këtë informacion e kishin marrë nga numri dy i Bundestagut gjerman, gjatë vizitës zyrtare një javë më parë.

Sipas Dades, dy prej agjencive që mashtrojnë qytetarët duke u premtuar gjetjen e punës në Gjermani, janë të lidhura ngushtë me opozitë. “Në fakt nja dy agjenci që na i dhanë me emra ne në Gjermani që çojnë azilantë, janë shumë pranë strukturave opozitës”,-tha Arta Dade. Deputeti i PD-së, Kastriot Islami ju përgjigj menjëherë duke i kërkuar veprimin e policisë: “Kapini, moj, ndaj e keni Saimir Tahirin, kapini”. Namik Dokle zbuloi se kush e kishte dhënë këtë informacion për ta: “Zëvendëskryetari i Bundestagut e dha atë informacion”.

Arta Dade saktësoi se ishte informacion zyrtar. “Po. Na e dha dhe institucionalisht”-tha Dade. Deputeti demokrat, Aldo Bumçi ju shmang kundërpërgjigjes së drejtpërdrejtë, duke e çuar diskutimin në pikë tjetër. “Zonja kryetare, shpresa vjen nga një projekt qeverisës. Kur vritet shpresa është arsye politike”,-tha Bumçi.

Ndërkohë, zëvendësministri i jashtëm, Selim Belortaja, i pranishëm në komision për të dhënë informacion mbi gjendjen e azilkërkuesve shqiptarë jashtë atdheut, dha disa arsye. “Kjo është një emergjencë që na ka zënë dhe duhet ta përballojmë.

Nuk është çështje e tryezave diplomatike, sesa e terrenit. 4 në 1000 persona që dalin jashtë vendit kërkojnë azil. Për vendet pritëse është e vështirë menaxhimi, ndërsa për ne shqetësimi është terreni ligjor. Publiku i gjerë ka kosto të praktika ligjore.

Ndaj jemi bërë krah me vendet pritëse për të dekurajuar këto flukse. Por pse ndodh kjo? Së pari kjo ka të bëjë me krizën ekonomike. Një faktor i dytë është liberalizimi i vizave që ndihmon dhe interesat jo të mira të agjencive të ndryshme ndërmjetëse.

Ka dhe një faktor ndihmës, si informacionet e gabuara që japin bashkëkombësit e vendosur nëpër Evropë dhe që duan të marrin familjarë të tyre”, - tha Selim Belortaja, zëvendësministër i jashtëm. Në fjalën e tij, zëvendësministri i   Punëve të Jashtme tha  se, Ministria ka identifikuar katër probleme thelbësore.

“Pikë së pari janë problemet ekonomike, së dyti, lëvizja e lirë, që nxit shumë shqiptarë të marrin udhën, duke parë që nuk ka barriera të shumta për të shkuar në vendet e Bashkimit Europian. Së treti, dëshira për të ndryshuar nivelin e jetesës menjëherë.

Të gjithë e dimë dhe e pranojmë se ka një nivel jetese më të mirë se këtu, por kjo nuk do të thotë se ky nivel përfitohet nga azilkërkuesi dhe së fundmi, por dhe më e rëndësishmja është veprimtaria kriminale e trafikantëve, të cilët ushtrojnë presion tek pjesa e varfër e shoqërisë për t’i marrë atyre të ardhura në këmbim të azilit, që nuk do mund të fitohet kurrë”, deklaroi  Belortaja.

MPJ: Javët e ardhshme pritet fluks refugjatësh nga Lindja në Shqipëri
Ministria e Jashtme parashikon që javët e ardhshme të rritet fluksi i refugjatëve nga Lindja që mund të përdorin vendin tonë si tranzit.  Zëvendësministri i Jashtëm Selim Belortaja njoftoi masat e marra deri tani dhe kërkoi më shumë vëmendje për suportin financiar të situatës. "Edhe ne po hyjmë në situatën e menaxhimit të krizës së refugjatëve.

Vendi ynë ende nuk është goditur nga kjo valë refugjatësh, ndryshe nga Serbia e Maqedonia. Shumë shpejt, me ardhjen e dimrit dhe me shtrëngimin e masave të kufijve fqinjë, Shqipëria mund të preket nga fluksi i shtuar i emigrantëve. Jemi të detyruar të marrim masa për javët e ardhshme.

Mund të përdorin Shqipërinë për të kaluar drejt Italisë. Masa kryesore është plani i emergjencës që përmban elementët potencialë nga logjistike tek ato financiare e njerëzore. Kemi organizuar disa takime organizime edhe me prefekturat për qendrat më të përshtatshme ku mund të vendosen refugjatët kryesisht në jug dhe në lindje.

Është forcuar kufiri i gjelbër. Kemi shkurtuar procedurën e riatdhesimit të atyre që s kanë arsye azili. Kemi marrë masa për pajisjen me dokumente të azilkërkuesve me drejtorinë e emigracionit. E rëndësishme është adresimi financiar për të cilin ne po punojmë me partnerët ndërkombëtarë", tha Belortaja.

Deklarata e tij u bë këtë të mërkurë në komisionin e Jashtëm në një seancë dëgjimore për azilkërkuesit shqiptarë. “Çështja e azilkërkuesve është mjaft delikate edhe pse nuk është vetëm një fenomen shqiptar. Statistikat flasin për një rritje me 9 herë krahasuar me vitin 2014. Vendet pritëse e kanë shprehur shqetësimin. Për ne shqetësimi është se kemi të bëjmë me një terren ligjor të cenuar”, tha zëvendësministri i Jashtëm.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 22Tetor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com)