Pesë kërkesat e shpallura dy ditë më parë nga Dritan Goxhaj në emër të grupit koordinues të protestës ishin në qendër të diskutimit në emisionin “Sot Live në Shqipëri”, ku kreu i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa dhe aktivistja Edlira Çepani dhanë dy lexime të ndryshme mbi të ardhmen e kësaj lëvizjeje.
Ndërsa Çipa u ndal te realizueshmëria politike dhe kushtetuese e kërkesave të artikuluara nga protestuesit, Çepani argumentoi se vlera më e madhe e protestës qëndron te modeli i ri qytetar që ajo po krijon, larg figurave të forta politike dhe kultit të individit.
Për Çipën, protesta 24-ditore ka nxjerrë në pah një pakënaqësi reale ndaj mënyrës së funksionimit të sistemit politik, por zgjidhja nuk mund të vijë jashtë institucioneve.
“Ka vështirësi që lidhen me funksionet kushtetuese dhe normalitetin institucional të Republikës së Shqipërisë. Nëse shfaqet një krizë politike ajo domosdoshmërisht kalon përmes institucionalizimit politik dhe nuk mund të vijë nga rryma populiste që të përcaktojnë verdiktin kushtetues”, tha ai.
Sipas Çipës, institucionet kanë detyrimin të reflektojnë ndaj mesazhit që po jep protesta dhe të gjejnë mënyra për t’iu përgjigjur kërkesave të qytetarëve.
“Në rastin konkret, protesta 24 ditore e qytetarëve ka krijuar premisa për një krizë politike që përcaktohet nga pakënaqësia e qytetarëve lidhur me institucionalizimin politik. Institucionet kanë detyrimin kushtetues dhe moral që të marrin reagimin qytetar dhe të formësojnë mirëkuptimin, ose pajtueshmërinë me kërkesat për ndryshime nga qytetarët”, u shpreh ai.
Megjithatë, ai ngriti pikëpyetje konkrete për mënyrën se si mund të realizohen disa prej kërkesave kryesore të protestuesve, veçanërisht krijimi i një qeverie teknike dhe ndryshimi i sistemit zgjedhor.
“Ka 2 momente që hanë diskutim: nëse do të pranohet verdikti për një qeveri teknike, kush do ta votojë në parlament për t’i dhënë legjitimitetin kushtetues? Nëse kjo qeveri do të përgatisë terrenin për ndryshimin e sistemit zgjedhor kush do ta votojë? Ata që e kanë status quonë të pandryshueshme? Si do binden PD-PS për të votuar një sistem kundër tyre?”, tha Çipa.
Ndryshe nga ai, Edlira Çepani u fokusua te mënyra se si protesta po organizohet dhe te mesazhi që ajo po përcjell.
“Sa i përket liderit unë mendoj që një nga problematikat që kemi pasur në politikën shqiptare është se politikën e bëjmë pas individëve dhe jo kauzave e idealeve. Një nga gjërat më të rëndësishme që ka sjellë kjo protestë është që e ka zhbërë kultin e individit”, tha ajo.
Sipas Çepanit, mungesa e një lideri të vetëm nuk duhet parë si dobësi, por si një ndryshim i rëndësishëm në kulturën politike.
“Njerëzit po dalin për veten e tyre, sepse janë aktivizuar dhe ndërgjegjësuar që për problemet e tyre mund të flasin vetëm ata. Zhbërja e kultit të individit është gjëja më pozitive që ka sjellë. Nuk duhet që vetëm një person të drejtojë gjatë gjithë kohës”, deklaroi ajo.
Aktivistja kundërshtoi gjithashtu interpretimet se protesta synon të zëvendësojë institucionet ose të sjellë në pushtet njerëz pa legjitimitet elektoral. Sipas saj, qëllimi është ndryshimi i rregullave të sistemit politik dhe zgjedhor, në mënyrë që qytetarët të kenë më shumë mundësi përfaqësimi.
“Urojmë që ata deputetë në parlament të kujtohen që përfaqësojnë qytetarët. Gjërat bëhen hap pas hapi. Nga sheshi del revolta, por del edhe zgjidhja. Ky shesh përmban shumë profesionistë brenda tij. Duhet një kod i ri zgjedhor të garantojë barazi e të mos krijojë kryetar partish të mbifuqishëm. Askush nuk ka kërkuar në shesh që njerëzit të futen në institucione pa votë. Ata duan të ndryshojnë sistemin, të ketë mundësi të barabartë për të garuar në zgjedhje. Nuk po kërkohet që të zëvendësohet askush me askënd por të rregullohen rregullat e lojës me më shumë mekanizma për qytetarët”, tha ajo.
Komente






