Rritja e pagave të gjyqtarëve dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese që shfuqizoi formulën e vitit 2023 për pagat referuese u diskutuan sot në emisionin “Sot Live” në Report TV. Gjykata i ka kërkuar Kuvendit të miratojë deri në korrik një skemë të re, me efekte financiare që nga prilli 2023. Aktualisht paga bazë e gjyqtarëve llogaritet sa 36% e pagës së Presidentit, ndërsa kërkohet një referencë më e lartë, çka do të sillte rritje të ndjeshme.
Në argumentin e tij avokati Edmond Petraj tha se kërkesa për shfuqizimin e nenit që ndryshoi pagat referuese është e drejtë dhe se rritja nuk është “marramendëse”, por zbatim proporcional i ligjit. Sipas tij, vendimi i Kushtetueses i lë Kuvendit detyrën të rregullojë këtë marrëdhënie juridike.
"Gjyqtarët në kërkesën e vet kanë kërkuar shfuqizimin e nenit një dy për ndryshimin e ligjit që parashikon pagat referuese të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Pra në bazë të atij ligji, që vetë këta e kanë bërë pa pasur llogjikën mbi ngërçin që do të krijohej nesër, tani kërkojnë shfuqizimin. Me të drejtë gjyqtarët kërkojnë rritje page. Nuk po kërkojnë shifra marramendëse. Shifra e tyre është shumë minimale. Në bazë të ligjit për rritje proporcionale që ka 36% i piramidës që nga presidenti, të referohet dhe pasqyrohet edhe tek gjyqtarët. Kjo kërkesë e Unionit do të pranohej pjesërisht dhe u pranua pjesa e parë per nenin nje dy per pagat referuese. Ky vendim i ka lënë detyrë Kuvendit që të shohë këtë marrëdhënie juridike për shfyqizimin e dy neneve për pagat referuese. Kjo është një pjesë teknike që edhe vetë Rama e dinte se do të humbte, por me këtë rast tregoi se nuk ka fuqi mbi gjykatën kushtetuese, sepse duke u ndeshur ballë për ballë tregoi që ‘nuk i ka ai gjykatat’" tha Petraj.
Avokati Arbër Hoxha u shpreh kundër rritjes së pagave për gjyqtarët dhe prokurorët, duke argumentuar se ata janë paguar në mënyrë të kënaqshme që pas reformës në drejtësi. Sipas tij, paga është shpërblim i drejtpërdrejtë i punës dhe investimit në jetë. Hoxha krahasoi pagën e një gjyqtari të shkallës së parë, rreth 297 mijë lekë bruto, me atë të një mjeku specialist, i cili paguhet disa herë më pak, ndonëse ka investuar më shumë vite shkollim dhe mban përgjegjësi penale. Ai theksoi edhe diferencën brenda sistemit, duke përmendur se një sekretar gjyqësor paguhet rreth 64 mijë lekë bruto, ndërsa gjyqtari pesëfishin, edhe pse sipas tij përballen me ngarkesë të ngjashme.
"Nëse një magjistrat ka investuar 6-7 vite shkollim, nuk besoj se ka investuar më shumë për jetën se sa një mjek specialist. Sot paga bruto e një gjyqtari apo prokurori të shkallës së parë është 297 mijë lekë të rinj dhe paga mesatare e një mjeku specialist që ka investuar 10 vite nga jeta e vet sigurisht që paguhet 3 herë e gjysmë më pak. Në këto kushte, edhe mjekët specialistë mbajnë përgjegjësi penale për 3-4 vepra penale ndërsa prokurorët dhe gjyqtarët nuk mbajnë përgjegjësi penale për veprimet apo mos veprimet e kryera" tha ai.
Për këtë arsye, Hoxha tha se çdo kërkesë për rritje page do të ishte e drejtë vetëm nëse do të ishte gjithëpërfshirëse. Një aspekt tjetër që Hoxha nënvizoi në argumentat e tij ishte edhe aspekti moral.
"Altin Dumani ka qenë njeri i shkëlqyer me një pagë shumë të ulët në Gjykatën e Apelit dhe tani në SPAK ka një pagë më të lartë, por busulla e tij morale nuk ndryshoi. Pra të gjithë këta prokurorë dhe gjykatës që pretendojnë paga më të larta, nuk lidhet me procesin e të bërit drejtësi. Të njëjtit gjyqtarë dhe prokurorë janë të paaftë të japin drejtësi, jo vetëm për shkak të numrit të vogël, por ka gjyqtarë që kanë 2 vjet që nuk zbardhin vendimin. Ka gjyqtarë që janë të papërgjegjshëm në shumë qytete si Gjirokastra, Korça, Tropoja, që të premten dhe të hënën është e pamundur të zhvillosh procese gjyqsore, pra të njëjtët gjyqtarë që nuk japin drejtësi kërkojnë paga më të larta” tha Hoxha.
Sipas avokatëve, çdo rritje page duhet të shoqërohet me audit profesional dhe përgjegjësi konkrete, pasi drejtësia është mision dhe jo thjesht çështje page.
Komente










