Akuzave të Ilir Metës për projektin e Portit të Durrësit, kryeministri Edi Rama i përgjigjet duke ironizuar Partinë e Lirisë që sipas tij ka ardhur për lekë. Në një postim në Twitter shkruan se po përgojon atë që ka ndërtuar gjysmën e Dubait ndërsa vetë ka sjellë 2 parti.

Sipas kreut të qeverisë, njëra sapo ka ikur për skrap (LSI) ndërsa tjetra ka ardhur për lekë. Edhe në takime të ndryshme, Rama i referohet Partisë së Lirisë si Partia e Lekut. Për këtë ka ndjesinë se do të largohet shumë shpejt nga politika aktive. Po ashtu ironizoi Metn se ka njohuri për fshehjen e emrave dhe lekëve dhe nuk i shmanget dot përgojimit.

“Ai që do të ndërtojë Portin Turistik të Durrësit, ka ndërtuar gjysmën e Dubait, kurse ky që e përgojon ka ndërtuar vetëm dy parti, njëra sapo ka ikur për skrap tjetra sapo ka ardhur për lekë! Kam edhe një ndjesi tjetër: Më duket se kjo tjetra do na lerë shumë më shpejt se e para!

S’di pse kam ndjesinë që ky shefi i PL (Partisë së Lekut) ka aq shumë njohuri të fshehura për fshehjen e emrave e lekëve, sa nuk i shmanget dot përgojimit deri edhe të dikujt me emër, mbiemër, kapitale e vepra të njohura dhe të respektuara botërisht!” – shkruan Rama.

Si kundërpërgjigje ndaj kreut të qeverisë, sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi reagoi me të njëjtat tone si Ilir Meta duke thënë se projekti i Portit të Durrësit është aferë dhe pretendon se Rama nuk do të shpëtojë pa ndëshkim.

Reagimi i Ramës vjen pasi Ilir Meta, në një konferencë për media ditën e sotme u shpreh se kreu i qeverisë gënjeu dhe mashtroi publikisht dje në Parlament, kur tha që shteti nuk do të paguaj asgjë për Portin e Durrësit.

Porti i Durrësit është bërë "kali kryesor" i betejës së opozitës me qeverinë. Pas akuzave të Metës dhe Berishës se është aferë korruptive e Ramës, edhe ditën e djeshme kishte debate të ashpra në Kuvend mes demokratëve dhe Edi Ramës për këtë projekt.

Memorandumi i bashkëpunimit për ndërtimin e Portit të Durrësit u nënshkrua më 11 gusht në praninë e kryeministrit Edi Rama dhe zhvilluesit me famë botërore Muhammed Alabbar. Investimi për ndërtimin e këtij porti është 2 miliard dollarë. Në projekt përfshihet edhe ndërtimi i Portit të Thatë që do sjellë ndërtimin e hekurudhës që lidh Durrësin me Prishtinën, i cili është parashikuar të ketë një terminal, ku do përpunohen 100 mijë kontejner deri në 2050.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:18
Partia e Lirisë i përgjigjet Ramës: Je i kapur mat! Nxiton të zbatosh aministinë fiskale përmes tjetërsimit të Portit të Durrësit

1667832124_WATERMARKREPORTtv.00314315.Still016.jpg

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi i është përgjigjur Edi Ramës duke hedhur sërish akuza se porti i Durrësit është aferë mafioze që do të ndëshkohet rëndë shumë shpejt.

“Nxitimi i Edi Ramës për të zbatuar amnistinë fiskale përmes tjetërsimit mafioz të Portit të Durrësit është një krim i paamnistueshëm. Kjo aferë mafioze do të ndëshkohet rëndë shumë shpejt.

Pronarët e fshehur të kompanive guacka offshore janë vetë Edi Rama. Je i kapur mat! Më kot përpëlitesh duke shkumbëzuar me fjalor banal!

Ndrysho mallin dhe mundohu të thithësh sa më shumë ajër në këto ditët e fundit të lirisë! Edhe ti vetë e di: Ndëshkimit nuk do t'i shpëtosh kurrë”, shkroi Blushi.