Vijon situata problematike nga reshjet e dëborës dhe ngricat në disa qarqe të vendit nga veriu në jug. Në Kukës, Dibër, Bulqizë, Korçë, por edhe në Krujë vijojnë që të jenë të bllokuar disa fshatra prej 48 orësh.
Në Krujë janë të bllokuara fshatrat Çudhi Zalle, Çudhi Kamp, Bruz Mal, Bruz Zalle, Rranzë dhe parku kombëtar i Qafë Shtamës. Në Dibër nëntë fshatra në njësinë Lurë, në Bulqizë zona e Terrovës, Martaneshi raportohet se është pa ujë të pijshëm për shkak të problemeve të tubacioneve me ngricat.
Në Korçës është bllokuar fshati Panarit dhe në Pogradec zona e Mokrës. Në Kukës vijon i bllokuar fshati Arrën, ndërsa probleme për shkak se nuk është mirëmbajtur ka rruga Zapot-Shishtavec. Në jug është e bllokuar vetëm zona e Kurveleshit. Reshjet e dëborës gjatë natës nuk kanë qenë të dendura por problem mbetet prezenca e ngricës dhe akullit në rrugë.
IGJEUM thekson se ditën e sotme reshjet do të jenë në formë dëbore deri në 600 m mbi nivelin e detit, ndërsa në zona shumë të kufizuara mund të zbresin dhe poshtë këtij niveli, përfshirë edhe bregdetin e Jonit, por kryesisht dëborë e përzier me shi, sikur ndodhi edhe dje (lexo këtu). Temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit, sipas IGJEUM pritet të arrijnë: në bregdet: -1 / 5 °C, në vendet e ulëta: -2 / 5 °C dhe në vendet malore: -13 / -3 °C.
Reshjet e dëborës kanë sjellë për drejtuesit e automjeteve vështirësi qarkullimi edhe në rrugën Kukës-Shishtavec. Kalimi nga Ura e Zapodit për në Shishtavec është bërë gati e pamundur për shkak të rrëshqitjeve të gurëve, prezencës së akullit e grumbullimeve të dëborës.
Prefekti i Kukësit, Zenel Kucana ka deklaruar se rruga nga Ura e Zapodit deri në Shishtavec është pjesë e strukturës së Bashkisë së Kukësit e duke e cilësuar si një zonë që kërkon një vëmendje të madhe, ai i bën thirrje kësaj bashkie që ta pastrojë sa më shpejtë të jetë e mundur.
Nga ana tjetër Report Tv mëson se Bashkia Kukës ka nisur tanimë mjetet përkatëse, për të bërë të mundur pastrimin e saj nga dëbora.
Gazetari i Report Tv Piro Nase raporton se në Tepelenë është bllokuar nga dëbora zona e Kurveleshit. Dëbora në këtë zonë ka arritur mbi 30 cm. Ndërkohë që është bllokuar edhe fshati Golem në Gjitokastër 20 cm. Në fshatin Golem pritet ndërhyrja nga Emergjencat Civile. Ndërkohë që po punohet nga Emergjencat Civile në Bashkine e Gjirokastrës në fshatrat Mashkullore, Picar, Prongji, Kolonjë për hedhjen e kripës.
Kryeministri Rama ka publikuar mëngjesin e sotëm një video me pamjet nga Llogaraja e mbuluar nga dëbora.
Në qarkun e Vlorës situata nuk paraqitet problematike pas reshjeve të dëborës që ranë dje. Në Llogara mund të qarkullohet pa zinxhirë, por ARRSH kërkon nga drejtuesit e mjeteve që të bëjnë kujdes. Ndërsa Report Tv sjell pamjet nga zbritja e Llogarasë dhe magjinë e dëborës pranë detit.
Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se nuk ka asnjë aks të bllokuar nga dëbora në të gjithë vendin, ndërsa rekomandon përdorimin e zinxhirëve në disa akse (lexo këtu situatën e plotë).
Në qarkun e Korçës janë disa fshatra të bllokuar nga dëbora. Sipas gazetares së Report Tv në Korçë, Iris Rezhda janë izoluar fshatrat në Mokër të Pogradecit dhe Panariti në Korçë. Gjithashtu në disa fshatra të Mokrës dhe në Moglicë ka edhe shkëputje të energjisë elektrike. Ndërkohë që në Dardhë, Qafën e Qarrit dhe zonat e tjera malore mund të lëvizet vetë me zinxhirë.