Sot në Korçë u mbajt dëgjesa e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale , por çështja që dominoi deklaratat për media të të dy bashkëkryetarëve të Komisionit Luçiano Boçi dhe Arbjan Mazniku, ishte ajo e lidhur me protestat që po mbahen në Tiranë prej 25 ditësh, jo vetëm kundër investimit 4 miliard dollarësh në Zvërnec por edhe kundër establishmentit politik.
Për Luçiano Boçin, dëgjesa të tilla janë një formë e shprehjes së pakënaqësisë ndaj qeverisë, por kur u pyet për thirrjet ‘Berisha ik’ që gjithashtu dominojnë në protestë, deputeti i minimizoi ato duke ia lënë fajin “disa rrymave që duan të përfitojnë kapital politik”
“PD-ja është sulmuar në forma juridike, politike, zgjedhore dhe këto forma janë kaq të lehta. Ka rryma aty brenda që duan të përfitojnë kapital politik, marrin autoritetin e opozitës dhe gjejnë këtë formë për të lëshuar ndonjë thirrje, ndonjë parrullë që nuk na afekton. E rëndësishme është që të gjithë qytetarët janë aty për një qëllim, për një emërues të përbashkët që është largimi i kësaj qeverie dhe largimi i Ramës” tha ai.
Bashkëkryetari socialist i Komisionit, Arbjan Mazniku dha një lexim krejt ndryshe të situatës. Ai e konsideroi protestën si pjesë normale të funksionimit të demokracisë dhe theksoi se ajo nuk ndryshon mandatin e mazhorancës për të vijuar me reformat që Shqipëria të jetë vend anëtar i Bashkimit Europian në 3-4 vjet. .
“Ne kemi një mazhorancë e cila ka një mandat për të qeverisur Shqipërinë. Dhe pjesë e këtij mandati është të bëjë ato ndryshime që i duhen Shqipërisë për ta bërë më të mirë, më të fortë dhe për ta bërë më të përgatitur për faktin që në dy vjet ne mbyllim negociatat me Bashkimin Evropian dhe në tre-katër vjet Shqipëria do të jetë një vend anëtar i Bashkimit Evropian. Ndaj dhe besoj që brenda të gjithë elementeve normalë të demokracisë, detyra e mazhorancës është të jetë e qartë me vizionin që ka dhe të ecë përpara drejt forcimit të Shqipërisë, bashkive të Shqipërisë dhe bërjes gati të të gjithë elementeve, përfshirë shoqërisë sonë, për të qenë një vend anëtar i Bashkimit Evropian” tha Mazniku.
I pyetur nëse protestuesit kanë të drejtë në pretendimet e tyre, Mazniku u përgjigj se e drejta për të protestuar është themelore në një shoqëri demokratike, por nga ana tjetër solli në kujtesë ngjarjet e 21 janarit kur fishekët i fishkëllenin mbi kokë.
“Duhet gjithmonë të kujtojmë një gjë: që sot jemi në një situatë ku njerëzit kanë të drejtën e tyre të protestojnë, të thonë mendimin e tyre, të organizohen, të grupohen të grupohen në mënyrën se si e thonë mendimin e tyre dhe kjo gjë është krejt normale. Duhet të kemi parasysh që jo shumë larg në kohë, në kohë ekzistuese, kur njerëzit ishin në shesh, vriteshin. Unë kam qenë në shesh më 21 janar ku kam dëgjuar dhe i kam ndier fishekët duke fërshëllyer mbi kokën time. Sot jemi në një situatë ku demokracia shqiptare është në një nivel tjetër, ku njerëzit kanë të drejtën e vetë ta thonë mendimin e tyre dhe ka forume demokracia të qënsishme se si e rishikon mendimin e vet, e strukturon mendimin e vet kur e sheh të arsyeshme. Partia Socialiste e Shqipërisë ka një marrëveshje me qytetarët shqiptarë, të cilën po e ndjek me shumë vëmendje dhe me agjendë për përmirësimin e Shqipërisë” tha ai.
Komente






