Dje, kryeprifti i ortodoksëve, pas një cerek shekulli që përpiqet, ja doli të marrë shtetësinë shqiptare - dhe Zoti e ndricoftë në udhën e re. Sot, një tjetër prift ortodoks, at Stathi Melani, mbushi 100 vjetët që e vranë se deshi të mbetej shqiptar - dhe Zoti e mbajttë në krah. I pari, shqiptar që dje, do japë sot në mesnatë meshë për gjithë grigjën e tij. I dyti, shqiptar i përjetshëm, s'mundi dot të kishte sot një meshë përshpirtjeje në qindvjetor (nëpër media shkruhet se Kisha nuk pranoi).
Tokësorët kujtojnë se mesha e përshpirtjes shërben për t'i lehtësuar jetën e përtejme të ndjerit. Do pyes për këtë gjë një njeri të ditur në punë feje, por mendja më thote se Perëndia e di vetë se ku meriton të shkojë i vdekuri dhe nuk ka nevoje për lutjet tona që të vendosë a të ndërrojë mëndje. Ndaj, mesha nuk u shërben të vdekurve por të gjallëve.
Përmes lutjes së tyre, Perëndia i gjykon nëse e kanë gjetur udhën e drejtë dhe nëse e kanë kuptuar se nga është e vërteta. Ndaj o të krishterë të mirë, sot në mesnatë, teksa të dëgjoni meshën nga shqiptari i sotëm, cojeni mendjen tek shqiptari i përjetshëm - at Stathi - se Zoti do jua dijë për të mirë në llogarinë e jetës.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com











