Mirditë- Koha e keqe nuk i ka ndaluar banorët e 10 fshatrave në Bashkinë e Mirditës, të cilët kanë përshkallëzuar reagimin e tyre në lidhje me degradimin e aksit rrugor Rrëshen-Burrel.
Ashtu edhe siç e kishin paralajmëruar, këtë të premte ata kanë bllokuar aksin rrugor, duke kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës ndërhyrjen për rehabilitimin e kësaj rruge kombëtare, e cila është bërë thuajse e pakalueshme dhe e lënë pas dore.
Infrastruktura e rrënuar sipas tyre ka vështirësuar edhe jetën e mijëra banorëve. Protestes iu bashkua dhe kryebashkiaku demokrat i Mirditës, Albert Melyshi, i cili i bëri thirrje qeverisë për ndërhyrje.
“Është një segment i rëndësishëm që lidh edhe me Dibrën, Lurën dhe Matin. Bën madje lidhjen e 3 zonave të qeverisjes vendore. Është një ndër problemet kryesore që kanë banorët. Por edhe lehtësimi i lëvizjes së banorëve të kësaj zone. Ndërhyrja është e domosdoshme dhe të bëhet sa më shpejt, jo vetëm për këtë segment, por edhe për të Lurës. Segment që presupozohet se është investuar dhe nuk ka ende asnjë punim nga firma, ose më saktë shumë pak. Prej korrikut të këtij viti janë ndërprerë punimet, sidomos për segmentin Perlat-Lurë. Segment që zhvillon turizmin malor dhe të të gjithë zonës, i jep ajër dhe frymëmarrje. E drejta e banorëve të protestojnë dhe e imja si kryebashkiak që të ngre zërin për këto probleme dhe zgjidhjen e tyre”, tha kryebashkiaku.
Banorët protestues u shprehën të pakënaqur me neglizhencën e autoriteteve qendrore dhe veçanërisht institucioneve të linjës.
“Në Lurë nuk shkojmë dot. Gjendja e vështirë. Duhet me gjet makina luftarake që shkojnë në Lurë”, shprehet një banor që proteston mes shiut.
Kurse një tjetër kujton problematikat që i sjell bizneseve:
“Kam dy vite që kam hapur një biznes dhe kjo është përvoja më e keqe që kam përjetuar. Për banorë, turista që vijnë nga larg, përvoja më e keqe për gjendjen e kësaj rruge. Nuk është e hera e parë që na mashtrojnë. Kjo është protestë e vogël, por ne do ta bllokojmë fare. Nuk do kalojë asgjë, po kalojnë çdo ditë miliarda me euro me krom me makina. Po na sjellin dëm, do marrim masa. E nevojshme të rehabilitohet që nga fillimi, të bëhet rrugë e re”.
Protestojnë banorë të njësive Kthellë, Selitë dhe më tej, u shpreh një tjetër protestues.
“Jemi mbledhur sot për të sensibilizuar sot të gjitha autoritetet që kanë në dorë mirëmbajtjen e rrugës. Kjo rrugë është ndër kryesoret e Mirditës sepse e lidh me qytete e zona të tjera. Paguajmë taksa të ndryshme, por shërbimet s’na kthehen. Në vend se të hidhet çakull e dhe, të asfaltohet”, shprehet qytetari.
“Problemi me këtë rrugë është se po shkatërron makinat. Po na bëjnë të ikim me zor, kjo është rrugë kryesore. Edhe këta pak që kanë mbet do ikin njëri pas tjetrit. Ky është problem i madh, madje edhe qendra shëndetësore është si kotec, shkollën e mbyllën”, vijon një tjetër protestues.
Kjo protestë po ndiqet nga afër edhe nga uniformat e policisë, të cilët ishin paralajmëruar për këtë veprim.