MIRDITE- Ura mbi lumin Fan që lidh qytetin e Rubikut në Mirditë me fshatrat përreth paraqitet në një gjendje kritike.

Këmbët mbajtëse të strukturës kanë dalë në sipërfaqe, disa prej tyre janë të anuar, ndërsa plasaritjet në beton tregojnë se ura ka nevojë urgjente për rikonstruksion.

Lëvizja e automjeteve shkakton dridhje të dukshme të strukturës, duke rritur rrezikun e shembjes.

Pas mbylljes së urës së Matit, rruga Pllanë–Rubik është përdorur masivisht gjatë sezonit veror për të shmangur trafikun e rënduar, duke e kthyer urën e Rubikut mbi lumin Fan, në një nyje kyçe për qarkullimin e qytetarëve dhe transportin e mallrave.

Banorë të zonës dhe drejtues mjetesh thonë se degradimi i urës vijon prej vitesh, pasi nuk janë kryer ndërhyrjet e duhura për mirëmbajtjen e saj.

“Prej shumë kohësh ura është në këtë gjendje. Makina dridhen duke kaluar dhe çdo ditë rreziku është më i madh,” thotë një banor i zonës.

Kryetari i Bashkisë Mirditë, Albert Melyshi, tha për Report tv se ura është në varësi të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH). Ai shpjegoi se pas inspektimeve të përsëritura, u konstatua se struktura ka probleme të dukshme. Bashkia ka propozuar hapjen e unazës verilindore të Rubikut për të lehtësuar qarkullimin dhe për të mundësuar investimet, por institucionet qendrore ende nuk kanë ndërhyrë.