TIRANË- Kryeministri Edi Rama është përfshirë në polemika me gazetarin e medias Euractiv, Eddy Wax, i cili vetëm një ditë më parë zhvilloi një intervistë me ministrin e jashtëm Ferit Hoxha, në të cilën preku edhe çështjen e marrëveshjes Shqipëri-Itali për qendrën e emigrantëve.

Ajo që nxiti polemika edhe në shtetin fqinj ishte deklarata e Ferit Hoxhës që nga Eddy Wax u raportua se ministri deklaroi se “Shqipëria nuk do ta zgjasë marrëveshjen e migracionit me Italinë përtej vitit 2030.”

“Së pari, është për pesë vjet dhe nuk jam i sigurt nëse do të ketë një zgjatje. Së dyti, nuk do të ketë zgjatje sepse do të jemi anëtar të Bashkimit Evropian", citohej ministri Hoxha në artikullin e Euroactiv

Pas këtij shkrimi, kryeministri Edi Rama sqaroi dje publikisht se marrëveshja do të jetë në fuqi sa kohë të dojë Italia dhe median në fjalë e akuzoi për citimin e pasaktë të kryediplomatit shqiptar.

Por, kjo çështje nuk mbeti këtu. Gazetari Wax në një newsletter të publikuar sot, dhe me nëntitullin ‘Edi kundër Eddyt’, shkruan se u habitën kur panë postimin e kryeministrit Rama, i cili sfidonte raportimin e tyre për intervistën e Hoxhën dhe më tej ka publikuar të plotë citimin e shefit të diplomacisë mbi çështjen e Gjadrit.

“Për sqarim, ja çfarë më tha Hoxha, fjalë për fjalë: Po ju them se pas pesë vitesh, sapo Shqipëria të anëtarësohet, kjo nuk është më ekstraterritoriale. Është territor i Bashkimit Evropian. Së pari, është për pesë vjet dhe nuk jam i sigurt nëse do të ketë një zgjatje. Së dyti, nuk do të ketë zgjatje sepse ne do të jemi anëtar të Bashkimit Evropian.”, shkruan gazetari në artikull.

Në një postim në platformën ‘X’, kryeministri i thotë se është argëtuese të krijohet një histori “Edi kundër Eddyt”, por nuk ka vend për një gjë të tillë. Tashmë që citimi i Hoxhës u publikua i plotë, Rama thotë se është e qartë që citimi i shkurtuar “ishte mjaftueshëm çorientues që kushdo me një interes ideologjik të caktuar ta përdorte sipas dëshirës së vet.”

“I dashur Eddy Wax, e kuptoj që është argëtuese të krijohet një histori “Edi kundër Eddy”, por këtu realisht nuk ka vend për një gjë të tillë, sepse së pari, unë nuk u ankova për Edi-n tjetër, dhe së dyti, tani që ti me bujari publikove transkriptin e plotë, është krejtësisht e qartë se citimi i shkurtuar ishte mjaftueshëm çorientues që kushdo me një interes ideologjik të caktuar ta përdorte sipas dëshirës së vet.

Por sinqerisht, aspak hatërmbetje. Njëri Eddy duhet të bëjë atë që dëshiron, dhe Edi tjetër duhet ta durojë atë.

Në fund të fundit, thelbi mbetet i pandryshuar: Çfarë Italia kërkon nga Shqipëria, Italia e merr nga Shqipëria”, shkruan Rama.

Pasi Rama  përgënjeshtroi lajmet se pakti mund të ndërpritej pas vitit 2030, kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni e ka falënderuar për sqarimin.

Artikulli i publikuar sot nga Euroactiv, me titull "Edi kundër Eddyt"

 

Postimi i kryeministrit Rama