Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka reaguar në lidhje me lajmet e botuara një ditë më parë për një ndërprerje të mundshme të marrëveshjes së emigrantëve me Italinë në vitin 2030.

Gjatë një interviste  për Euracativ, Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha u shpreh se marrëveshja me Italinë për emigrantët nuk do të zgjatet përtej mandatit 5 vjeçar sepse deri atëherë, Shqipëria do jetë vend anëtar i BE-së.

“Së pari, marrëveshja është për pesë vjet dhe nuk jam i sigurt që do të ketë zgjatje. Së dyti, nuk do të ketë zgjatje sepse deri atëherë ne do të jemi anëtarë të Bashkimit Europian. Të gjithë kanë bërë të njëjtën llogari. Pasi Shqipëria të anëtarësohet, kjo nuk do të jetë më territor ekstraterritorial, por territor i Bashkimit Europian”, deklaroi Hoxha.

 Mirëpo pas këtyre deklaratave ministri u shpreh se këto komente të tij janë keqkuptuar nga media. Më pas erdhi edhe një përgjigje nga kryeministri Edi Rama ku theksoi se marrëveshja për qendrat e emigrantëve në Gjadër “do të mbetet në fuqi, për aq kohë sa Italia ta dëshirojë këtë”.

“Të gjithë gazetarëve nga Italia dhe jo vetëm, që po kontaktojnë lidhur me një citim të pasaktë të publikuar nga një media pas një interviste me ministrin e Jashtëm shqiptar: dua të ritheksoj, qartë dhe shpresoj njëherë e përgjithmonë, se Protokolli ynë me Italinë do të mbetet në fuqi, për aq kohë sa Italia ta dëshirojë këtë”, shkroi Rama në X.

Postimi i kryeministrit Rama u shpërnda më vonë edhe nga Meloni që e shoqëroi me mbishkrimin 'faleminderit Edi'.

Foto: Postimi i Giorgia Melonit në X