Pas deklaratës të disa ditëve më parë, ku ministri i Diasporës Pandeli Majko u shpreh se pas 1 janarit nuk do të ketë kufi mes Kosovës dhe Shqipërisë, një reagim ka ardhur nga deputeti i PD-së, Tritan Shehu.

Në reagimin e tij, Shehu është shprehur se kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës e “rrëzoi” Berisha me ndërtimin e Rrugës së Kombit e jo demagogët e sotëm.

Sipas tij, kjo është mënyra e “rrëzimit” të kufijëve në epokën e integrimit europian, të cilën Rajoni po e përjeton dhe jo trau i vendosur nga Kukësi.

Deklaratat e Majkos të para pak ditë më parë nuk kanë nxitur reagimve vetëm në Shqipëri dhe Kosovë por edhe në Serbi. Për deklaratën e tij ka reaguar edhe drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën, Marko Gjuriç, i cili është shprehur se ndryshimi i kufijëve ka mbaruar.

Por deklarata e Shehut bie ndesh me atë të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili u shpreh se nuk kërkon këshillat e të dëbuarve me votë masive nga skena politike dhe atyre që u kujdesën me devotshmëri që rezervuaret e tankeve dhe autoblindave të jenë të mbushur plot, duke nënkuptuar kështu ish-kryeministrin Berisha.

Deklarata e plotë e Tritan Shehut:

Kufirin Shqiperi-Kosove e “rrezoi” Berisha e jo demagoget e sotem. Disa gazetare prej 2-3 ditesh me kerkojne nje koment per ate cfare deklaroi Z.Majko, duke ju referuar nje “vendimi tashme te marre” nga Kryeministri per “heqjen” e kufirit Shqiperi-Kosove, duke filluar nga 1 janari, te pakten sic formulohet ne shtyp.

Nuk u nxitova ne komente sepse prita per te tjera sqarime publike ose jo keto, nga autoret e asaj “deklarate te rendesishme”, te cilat munguan krejtesisht. Pra qartesisht ajo “deklarate” ngel vetem nje “fishekzare ne nje feste birre”, asgje me shume, qe ka per qellim veshjen e nje “kostumi nacionalist” nga Rilindja, qe keshtu vetem sa i komplikon gjerat per Kosoven, Shqiperine e Rajonin. Ne fakt ishte Qeveria qe kryesohej nga Berisha, qe “rrezoi” kufirin Shqiperi-Kosove me ndertimin e Rruges se Kombit, duke e lidhur Kosoven me Shqiperine, Adriatikun e Perendimin.

Kjo eshte menyra e “rrezimit” te kufijeve ne epoken e integrimit europian, te cilen Rajoni po e perjeton. Fatkeqesisht Qeveria ku se fundi ben pjese dhe Z.Majko, jo vetem qe nuk ka krijuar asnje lehtesi te vecante ne kete drejtim qe prej 2013-tes, por perkundrazi po vendos perseri “traun e ndarjes” ne ate Kufi e Rruge, kete radhe duke lene edhe Kukesin jashte. Ato qe vleresohen e krijojne zhvillimin jane veprat e jo demagogjia.