Deklarata e Ministrit Sajmir Tahiri

Ministri Tahiri: Unë erdha të inspektoj punimet në këtë kompleks të ri për shërbimet policore dhe veçanërisht Forcat Speciale të Policisë. Janë 22 mijë m2 me një investim mbi 6 milionë euro që do të sjellë një standard të ri në shërbimet e policisë dhe mbi të gjitha kushte të reja për Forcat Speciale, Repartin e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe të gjitha njësive të tjera të Policisë që do të alokohen në këtë repart. Jemi në ecuri mjaft të mirë të të gjitha reformave që kemi ndërmarrë për të përmirësuar shërbimin e policisë dhe për ta bërë Policinë më të aftë për t’i shërbyer qytetarëve, nga njëra anë. Dhe nga ana tjetër të gjithë bashkë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Vetëm dje u miratua në Parlament ligji: “Për masat shtesë të sigurisë publike” i cili do të shtojë në mënyrë të dukshme kapacitetin e Policisë për t’u bërë bashkë me qytetarët në diktimin e rregullave të përbashkëta dhe respektin e shtetit ligjor për të gjithë. Është një ligj mjaft kompleks që vë detyrime jo të vogla në kuadër të bashkëpunimit të Policisë me qytetarët. Pa asnjë dyshim vë pozitë shumë të  disfavorshme për të gjithë ata që kanë menduar se deri dje mund ta shkelin ligjin dhe të kalojnë pa lagur nga drejtësia.  

Ju e keni parë që fokusi ynë kryesor është në ndërtimin e kushteve infrastrukturore më të mira për Policinë. Ishim para disa ditësh në repartin e Policisë Rrugore. Para disa javësh ishim në repartin RENEA. Sot në Repartin e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe njësive të tjera policore që do të vendosen këtu. Ne jemi shumë të bindur që Policinë duhet ta bëjmë shumë më të gatshme dhe shumë të pajisur mirë nga pikëpamja infrastrukturore, nga pikëpamja e mjeteve, përmirësimeve dhe modernizimit teknologjik ashtu si nga pikëpamja e buxhetit, dhe kjo është arsyeja pse kemi rritur rrogat. Pra të gjitha këto në funksion të reformimit dhe rilindjes së Policisë për ta bërë më të aftë për të luftuar paligjshmërinë, informalitetin dhe kriminalitetin bashkë me qytetarët që e respektojnë ligjin në këtë vend.  Është e gjitha një dimension 360° i reformimit të Policisë për ta bërë Shqipërinë dhe qytetet tona më të sigurta.

Pyetje: Z. Tahiri për armëmbajtjen pa leje ka një tendencë në rritje të personave të kapur me armë gjatë ditëve të fundit. Ndoshta dhe nga ndryshimet dhe shfuqizimi i ligjit nga Gjykata Kushtetuese. Çfarë nisme po ndërmerrni dhe konkretisht një propozim konkret si mund të ndryshojë (le të themi) penaliteti për “armëmbajtjen pa leje”?

Ministri Tahiri: Unë besoj se pavarësisht respektit të detyrueshëm që kemi për vendimet e Gjykatës Kushtetuese (kjo e vërtetuar edhe me fakte dhe të dhëna nga Policia e Shtetit), ka pasur efekt jo të vogël, dekurajues, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e neneve të Kodit Penal që kanë të bëjnë me armëmbajtjen pa leje.

Pyetje: Shifra konkrete?

Minsitri Tahiri: Ajo që ne do bëjmë me urgjencë është propozimi për kolegun tim, ministrin e Drejtësisë dhe për Kuvendin, propozimi i amendamenteve për të dënuar maksimalisht “armëmbajtjen pa leje”. Do të fokusohemi që të mbledhim praktikat më të mira botërore, duke bërë çmos që “armëmbajtja pa leje” të jetë një vepër shumë e dënueshme. Ne duhet të bëjmë çmos që të dekurajojmë të gjithë ata që e çojnë në mend se mund të zgjidhin konflikte duke pasur një armë në dorë. Po shikojmë modele. Ka modele shumë të mira. Një ndër to parashikon ndarjen e armëmbajtjes nga armëmbajtje në trup në armëmbajtje në mjedise, qoftë kjo makinë, qoftë kjo shtëpi. Po shikojmë disa modele që janë mjaft pozitive. Unë kam nxitur edhe ekspertë të Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme  të vlerësojmë të gjitha variantet. Një variant është që armëmbajtja pa leje në trup mos të konsiderohet si armëmbajtje pa leje, por përgatitje për sulm me armë që dënohet shumë më shumë. Ndërkohë armëmbajtja pa leje në makinë apo në shtëpi të konsiderohet nga pikëpamja e Kodit Penal vetëm si armëmbajtje pa leje dhe të dënohet po shumë, por jo aq sa armëmbajtja pa leje në trup, që sipas nesh duhet të konsiderohet si përgatitje për sulm me armë. 

Ka shumë vende që e kanë këtë praktikë. Ai që e mban armën pa leje në trup do të thotë që ka një plan kriminal që shkon përtej armëmbajtjes. Ne jemi duke konsultuar praktikat më të mira, duke konsultuar modelet më të mira. Jemi shumë që “armëmbajtja” duhet të jetë një vepër penale shumë e rëndë. Jemi shumë të bindur që çdo kush që çon ndërmend të mbajë një armë pa leje duhet të llogarisë mirë efektet që kjo ka në shoqëri. Ne mendojmë që përkrah përpjekjes sonë për të sensibilizuar qytetarët, për t’u bërë bashkë me qytetarët që respektojnë ligjin, për të forcuar shërbimet reaguese dhe parandaluese të Policisë së Shtetit, mendojmë që reforma në legjislacionin penal ka një efekt jo të vogël. Veçanërisht në vepra të tilla siç është “armëmbajtja pa leje”. Nëse do ecim me variantin që armëmbajtja pa leje në trup është përgatitje për sulm me armë dhe dënohet maksimalisht, ndërkohë që armëmbajtja pa leje në makinë apo në ambiente të tjera është shkelje më e vogël, por që përsëri dënohet maksimalisht. Besoj se do i bëjmë një shërbim mjaft të mirë të gjithë atyre që nuk kanë pse të ndihen të kërcënuar nga cilido që lajthitet dhe mban një armë me vete apo në shtëpi.

Ne jemi shumë të vendosur që të gjejmë zgjidhje të qëndrueshme në kohë për të larguar shoqërinë nga zgjidhja e konflikteve me armë. Sot ka plot raste. Unë para dy ditësh i kam adresuar një letër Presidentit të Republikës, Ministrit të Drejtësisë dhe KLD-së. Ka raste kur gjyqtarët bëjnë çudira me vendimet ndaj atyre që kapen me armë pa leje. I lirojnë nga salla edhe pse janë njerëz që paraqesin rrezikshmëri shumë të madhe shoqërore.  Kjo është e papranueshme për ne. Shqiptarët duhet ta dinë që policia arreston sot njerëz që kapen me armë në brez dhe dalin të lirë nga sallat e gjyqeve. Kjo është tërësisht e papranueshme dhe e papërgjegjshme. Cilido gjyqtar që e bën këtë, ka bërë një krim të dyfishtë. E para ka liruar kriminelin dhe e dyta ka kërcënuar shoqërinë dhe nuk e tolerojmë dot këtë.

Prandaj jemi fokusuar të reformojmë Policinë. Jemi fokusuar që ta bëjmë policinë t’i shërbejmë qytetarëve, jemi fokusuar që ta bëjmë policinë shumë më moderne nga pikëpamja e  infrastrukturës dhe teknologjike, ashtu siç jemi të fokusuar që policisë t’i rrisim kapacitetin parandalues të zgjidhjes së konflikteve dhe sigurisht reagues dhe që kanë të bëjnë me ata që kryejnë ngjarje kriminale.

Ne jemi duke punuar që armëmbajtja të konsiderohet një vepër shumë e rëndë penale. Kjo nuk ka të bëjë me konsideratat tona lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Do e respektojmë plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese, dhe do i përgjigjemi nevojës që ka shoqëria që të jetë e sigurt. Konfliktet ndodhin (si në çdo shoqëri). Por nuk ndodh në të gjitha vendet e botës që arma të jetë aty, gati për t’u marrë e për të zgjidhur çdo konflikt të mundshëm. Ne këtë nuk e pranojmë.

Pyetje:  Një tjetër projektligj si ai i kamerave të sigurisë të paktën dje nga LSI nuk u votua. Keni një koment për këtë?

Ministri Tahiri: Kam përshtypjen që e keni gabim. Ligji u votua. Është një ligj shumë i domosdoshëm i cili shton sigurinë dhe kapacitetin parandalues për ngjarjet kriminale nga njëra anë. E nga ana tjetër shton mundësinë që Policia të hetojë më së miri e sa më thellë ato. Kjo ka nevojë ende për kolaudim të sistemit, që të mos përsëriten më raste si ai në Kavajë, në mos gaboj, ku një punonjës policie i filmuar nga qytetarë me celular ndërsa dhunonte një qytetar, u lirua në sallë gjyqi. Një filmim (qoftë i bërë nga një qytetar apo kamera të policisë, çdo lloj celulari apo mjeti tjetër që ndihmon në vënien e drejtësisë) duhet të merret në konsideratë nga gjykata. Që punonjës policie që dhunojnë qytetarët të dalin sepse gjykata nuk konsideron  filmimin është absurde, kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës.

Ndaj jemi shumë të vendosur të përdorim çdo kapacitet qytetar për t’u bërë bashkë në luftën kundër kriminalitetit. Sot Shqipëria ka 99,99% qytetarë të saj që nuk e shkelin ligjin, që as u shkon ndër mend ta shkelin ligjin. Dhe janë të gatshëm të besojnë e të investohen bashkë me institucionet (veçanërisht me Policinë e Shtetit), bashkë me pjesën e shëndoshë të sistemit të drejtësisë, Prokurorinë, Gjykatat, për ta bërë Shqipërinë më të sigurt. Dhe kjo do të thotë të bëhemi në të njëjtin front, për të vënë përballë ata që shkelin ligjin – që është e patolerueshme.

Pyetje: Ju folët për gjyqtarë që lirojnë në sallë gjyqi persona. Është rasti i gjyqtarit të Vlorës. Do kërkoni për këtë gjyqtar të Gjykatës së Vlorës masë disiplinore

Ministri Tahiri: E kam kërkuar. Kam bërë një shkresë drejtuar Presidentit, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Ministrit të Drejtësisë. Sepse unë nuk e quaj të arsyeshme që një gjyqtar të lirojë në sallën e gjyqit një person që kapet me një armë pa leje në trup. E quaj tërësisht të paarsyeshme, madje (mendimi im personal është që kjo është) kriminale! Cilido qoftë arsyetimi që ka bërë gjyqtari, unë besoj shumë fort që është tërësisht e palogjikshme, kundërproduktive, dhe mbi të gjitha kërcënon dyfish shoqërinë.
 

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Rusia pretendon se ndaloi sulmin e papritur të Ukrainës në rajonin e Kurskut