Deklarata e Ramës dhe
reagimi qesharak i Gruevskit

Deklarata e Ramës dhe<br />reagimi qesharak i Gruevskit
Maqedonia është përfshirë nga vala e protestave masive. Më në fund, ndonëse me shumë vonesë, ndodhi rizgjimi i vetëdijes kolektive të shqiptarëve për të kontestuar dhe protestuar ndaj padrejtësive, të cilat janë akumuluar qysh kur u kopsit një shtet, i cili u shit si oaz paqeje e na doli gangrenë që prodhon sëmundje të pashërueshme. 

Gjithsesi, çështja nuk është të bëjmë radiografinë historiko-politike të dy dekadave, por problemi që kërkon vëmendje dhe meriton një analizë të thiktë ka të bëjë me ngjarjet me të fundit që kanë shpërthyer në shtetin fqinj. 
Përtej asaj që është thënë dhe po flitet gjithkund e gjithandej, mendoj se protestat duhet të konsiderohen si këmbanë alarmi për të gjithë faktorët, qofshin ato të brendshëm apo të jashtëm, se një shtet nuk mund të lundrojë në ujëra të qeta pa realizuar një kriter themelor: shtetet multietnike duhet të jenë në përputhje të plotë me shoqërinë multietnike.
 
Në këtë kuptim FYROM rrezikon seriozisht perspektivën dhe të ardhmen e saj për sa kohë që elitat maqedonase përpiqen të ushtroje pushtet dhe të veprojnë me metoda monoetnike, madje me logjikën e një apartejdi ndaj shqiptarëve.

Shikuar matanë dënimit absurd të gjashtë shqiptarëve, themi kështu sepse deri më tani nuk ekziston asnjë nishan i bërë transparent nga organet kompetentë të gjyqësorit. Përtej demostratave që kanë zaptuar të gjithë hapësirën gjeografike të shqiptarëve etnike, përtej deklaratave shterpë të përfaqësuesve shqiptarë në pushtet, dua të ndalem tek deklarata e Tiranës zyrtare e artikuluar bash nga kryeministri Rama. Shkurt e shqip një deklarata koncize e dhënë në momentin e duhur. Jo vetëm kaq!

Në FYROM ekziston një problem i pazgjidhur, ai është etnik shqiptar, marrëveshja e Ohrit jo vetëm nuk është realizuar, por është fshirë nga agjenda e politikës institucionale (kush flet ende për marrëveshjen e Ohrit është si të fshihesh pas gishtit, ajo duhet të ishte implementuar qysh në vitin 2004). Natyrshëm në të tilla rrethana, pala e tretë, në rastin konkret faktori ndërkombëtar, duhet të gjejë ilaçin e duhur për të reflektuar ndaj një situate, e cila mund të marrë përmasa të padëshirueshme dhe të paparashikueshme. 

Fundja, ndërkombëtarët kanë qenë me firmë e me vulë garantët e përmirësimit të marrëdhënieve ndëretnike përmes pakos të quajtur M.O. Sakaq, deklarata e kryeministrit shqiptar në esencë ishte dashamirëse, ai duke vendosur gishtin mbi plagë ofroi një alternativë zgjidhjeje edhe për maqedonasit. 

Tani, shtrohet pyetja: si reaguan shtetarët dhe qeveritarët maqedonas? Përse na u shfaqen aq kaotikë në artikulim dhe përse janë kaq arrogantë ndaj deklaratës së kryeministrin të shqiptarëve? 
Pa dashur të marr rolin e profetit, menjëherë pas deklaratës së Ramës pritshmëritë e mia për një reagim nervoz, cinik, aspak argumentues, madje dhe tendencioz, të palës maqedonase kanë qenë pothuajse të përafërta me ato çfarë tha partia e Nikolla Gruevskit, e cila shpiku alibinë e radhës.

E thënë me fjalë të tjera, e kam ditur fort mirë se shpura e kryeministrit maqedonas do të qëndistë një akuzë bajate, si kundërpërgjigje ndaj Ramës. 
Një akuzë e cila na qëndron ne shqiptarëve si gur mbi qafë sa herë që të tjerët mëtojnë të justifikojnë represionin. Si dikur Millosheviçi që zhvillonte beteja imazhologjike duke i paraqitur shqiptarët si kriminelë, kontrabandistë, të pacivilizuar dhe më kryesorja si islamikë, në mënyrë identike po sillet dhe Gruevski i cili në përmbatjen e kundërpërgjigjes ndaj Ramës i paraqet protestat e shqiptarëve si plagprishëse me motive fetaro-islamike. Kësaj i thonë arrati, ankth dhe frikë nga realiteti.

E vërteta e pakontestueshme është se shqiptarët etnikë në Maqedoni janë të diskriminuar deri në palcë, atyre u është vënë në pikëpyetje dinjiteti dhe integriteti i tyre si qytetarë të një bote demokratike. Ky panik dhe kjo frikë e VMRO-DPMNE prodhon dhe fabrikon edhe teza idioteske, si bie fjala vendosja e shenjave të barazimit me gati një milion shqiptarë etnikë në Maqedoni dhe një grushti qytetarësh minoritarë në Shqipëri. Në vend të një shpjegimi më të gjerë, më mjafton një thënie: Maqedonia është karantinë e politikanëve amatorë. Në fakt, VMRO-DPMNE është kampione e amatorizmit.
Marrë në tërësi, kundëpërgjigja infatile, aspak serioze dhe tepër e qesharake e kryeministrit maqedonas ndaj atij shqiptar verifikon edhe menjëherë se Shkupi zyrtar nuk ka ndërmend të ndryshoje kursin e politikës refraktare dhe diskriminuese ndaj shqiptarëve etnikë.

Në vend të konkluzioneve, përgjigjen më adekuate ndaj deklaratës së partisë së Gruevskit mund ta japin shqiptarët e Maqedonisë. Ata kanë shansin për të demaskuar para botës së qytetëruar shtetin dhe pushtetin despotik maqedonas, duke demostruar maturi, pjekuri dhe civilizim, qoftë edhe duke protestuar. Ata, nuk duhet të bien në kurthin e qarqeve antishqiptare, të cilët përpiqen t’u japin një konotacion të paqenë protestave, duke tentuar të na fusin në kllapën e fondamentalizmit islamik. 

Si përfundim, njëzëri shqiptarët duhet sa më shumë t’i mëshojnë tezës se atje ekziston vetëm një problem dhe ai është kryekëput etnik. Në pritje te reagimit të arbitrave- ndërkombëtarëve, sërish do të dëgjojmë dhe lexojmë broçkulla nga politikanë, gazetarë dhe nga mediat maqedonase. 

Një gjë është e sigurtë - këtë e kam shkruar, analizuar dhe thënë vite me radhë - se FYROM është shtet i dështuar, cilido që shpreson të kundërtën bie ndesh me realitetin dhe faktet që janë kokëfortë. Këtë më mirë se gjithkush e dinë vetë maqedonasit që si postulat kanë përrallën me moral antikiteti.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 11 Korrik 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Meta jep porositë e fundit para Konventës: Të gjithë si Tedi Blushi! Ashtu bëhet opozitë

Meta jep porositë e fundit para Konventës: Të gjithë si Tedi Blushi! Ashtu bëhet opozitë