Deklarata e Tahirit, PD: Ka kryer krime në Shqipëri jo në Itali, sot kërcënoi si mafioz prokurorët dhe gjyqtarët

Deklarata e Tahirit, PD: Ka kryer krime në Shqipëri jo në Itali, sot kërcënoi si mafioz prokurorët dhe gjyqtarët

Gazmend Bardhi, eksperti për cështjet ligjore në PD

Konferenca e sotme e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, ka sjellë reagimin e menjëhershëm të Partisë Demokratike. Në një konferencë tjetër nga selia blu, eksperti për çështjet ligjore në Partinë Demokratike, Gazmend Bardhi, ka thënë se krimet për të cilat akuzohet Tahiri nuk janë kryer në Itali, por në Shqipëri.

PD ka akuzuar sot Tahirin se ka kërcënuar gjyqtarët dhe prokurorët për hetimin e kësaj çështjeje.

Deklarata e plotë

Saimir Tahiri, njësoj si Edi Rama paracaktoi sot vendimin e prokurorisë për të mbyllur dosjen e përfshirjes së tij në trafik droge.

Partia Demokratike e paralajmëroi dy ditë më parë se Saimir Tahiri do të shiste një vendim të autoriteteve italiane si çlirim nga akuzat në Shqipëri.

Shqiptarët duhet ta dinë se Saimir Tahiri është hetuar nga autoritetet italiane vetëm për veprimtari kriminale në territorin italian.

Dokumenti që ai valëvit për pafajësinë e tij, është i pavlerë për veprimtarinë e tij kriminale në Shqipëri.

Si Ministër i Brendshëm, akuzohet për lehtësimin dhe mbështetjen shtetërore për trafikun e drogës nga organizata kriminale e Habilajve në Shqipëri. Kjo veprimtari kriminale është zhvilluar në territorin shqiptar dhe si e tillë nuk mund të hetohet dhe as procedohet nga drejtësia italiane. Italia nuk ka juridksion për vepra penale të ndodhura në territorin e një vendi të huaj nga një shtetas i huaj.

Në 4 vite, Partia Demokratike denoncoi me emra dhe fakte se si Habilajt bënin trafik droge, duke përdorur si mburojë ndaj policisë edhe makinën personale të Saimir Tahirit, audin e famshëm AA 003 GB.

Në 4 vite Saimir Tahiri, që përbetohet për ndershmëri, së bashku me Edi Ramën, mohuan gjithçka, sulmuan opozitën dhe bënë avokatin e Habilajve.

Qëllimi kryesor politik i Edi Ramës prej një viti është që Saimir Tahiri t’i shpëtojë drejtësisë dhe të mos ndëshkohet. 

Zgjidhja që Rama dhe Tahiri kanë gjetur është që prokuroria të prishë hetimet dhe të rrëzojë çdo akuzë për mbështetjen nga Tahiri të organizatës kriminale të Habilajve dhe trafikut të drogës.

Për ta vënë në jetë planin e lirimit të Tahirit nga akuza për trafik droge dhe sabotuar çdo hetim, Edi Rama solli në krye të prokurorisë Arta Markun dhe Donika Prelën, të cilat larguan nga dosja Tahiri prokurorët kryesorë, që kërkuan arrestimin dhe hetuan Saimir Tahirin.

Hetimi italian është i parëndësishëm dhe nuk ka lidhje FARE me hetimin në Shqipëri.

Saimir Tahiri NUK i ka kryer krimet në Itali, por në Shqipëri:

• Ai bashkëpunoi me Habilajt në Shqipëri,
• U vuri atyre në dispozicion shefat e policisë në Vlorë që janë në arrati nga drejtësia
• Vuri në dispozicion të trafikut të drogës të paktën 127 punonjës policie.
• u vuri në dispozicion policinë kufitare,
• u vuri në dispozicion makinën dhe skafin e tij personal.

Prokuroria shqiptare ka sot të gjitha provat që vërtetojnë përtej çdo dyshimi përfshirjen aktive të Saimir Tahirit në mbrojtjen e Habiljave dhe të trafikut të drogës. 

Sajmir Tahiri është simboli i politikanit mafioz, produkt i lidhjes me krimin që nga Habilajt e deri tek Shullazi.

I trimëruar nga mbrojtja mafioze që i ka garantuar Edi Rama përmes Arta Markut dhe Donika Prelës, Saimir Tahiri kërcënoi sot çdo polic, prokuror dhe gjyqtar që mund të guxojë të mos u bindet urdhrave dhe të vazhdojnë hetimin ndaj tij.

Tahiri kërcënoi sot në mënyrë mafioze indirekt edhe të gjithë ata që kanë dëshmuar apo kanë prova kundër tij.

Pas këtyre kërcënimeve, prokuroria duhet të kërkojë ndryshimin e masës së sigurisë nga detyrim paraqitje në arrest me burg për Saimir Tahirin.

Sot ai jo vetëm ka kryer vepër penale duke kërcënuar punonjësit e drejtësisë, por ka vertetuar se, nëse mbetet i lirë, ai përbën rrezik për pavarësinë, prishjen e provave dhe vazhdimin e hetimeve.

Shfaqja e sotme e Saimir Tahirit është një goditje e rëndë ndaj Reformës në Drejtësi.

Është momenti që partnerët e huaj që i premtuan popullit shqiptar drejtësi të vërtetë dhe kapjen e peshqve të mëdhenj, të mbajnë premtimin dhe të mos lejojnë që një kriminel si Saimir Tahiri të shpëtojë pa u ndëshkuar.


Lajmi kryesor:

'Provat e reja', Tahiri: Gjykata italiane pushoi hetimet. PD: Krimet janë kryer në Shqipëri, jo në Itali


/b.ha./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?