TIRANË Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve i cilëson deklaratat e kryeministrit Edi Rama për pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra e ministres dhe zëvendës kryeministres nga GJKKO, si presion ndaj organeve të drejtësisë. Në një deklaratë zyrtare, shoqata thotë se janë të shqetësuar dhe indinjuar ndaj qasjes që kryeministri Rama ka zgjedhur të bëjë ndaj kësaj problematike.

Nën petkun e ankesës, thotë shoqata, fshihet mesazhi i presionit ndaj organeve që po shqyrtojnë çështjen, duke iu referuar Gjykatës Kushtetuese, e cila pritet të vendosë nëse do ta kalojë për shqyrtimin ankimimin e qeverisë për pezullimin e Ballukut, si dhe GJKKO, që vendosi pezullimin e saj. 

Gjyqtarët theksojnë se pavarësia e gjyqësorit mbetet gur themeli për shtetin e së drejtës, por mund të cënohet jo vetëm me veprime konkrete por edhe me deklarata të tilla si të kreut të qeverisë. Këto deklarata, jo vetëm që shihen si kërcënim apo presion, por edhe ulin reputacionin e drejtësisë te publiku.

"Gjyqtarët janë të pavarur dhe i nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve e si të tillë qëllimi i misionit të tyre nuk është fitimi i pëlqimit të shumicës së publikut apo një pjese të tij, por zbatimi me fanatizëm i vullnetit të sovranit të shprehur në këto akte. Vendimet gjyqësore mund të jenë të papëlqyeshme për disa subjekte, por kjo nuk i bën ato ilegjitime, pasi sistemi demokratik i qeverisjes vepron brenda kufijve që i përcaktohen nga standardet e shtetit të së drejtës dhe zbatuesit finalë të këtyre standardeve janë gjyqtarët.", thuhet mes të tjerash në deklaratë. 

Në fund, shoqata thotë se gjyqtarët i nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve, ndërsa përcjell edhe një thirrje për zyrtarët, duke kërkuar që të respektojnë pavarësinë në vendimarrjen e tyre.

Kryeministri, në një sërë reagimesh lidhur me këtë çështje, ka argumentuar se nuk po ushtron presion ndaj gjyqësorit, por se komentet i bën pasi është palë në çështje. Kreu i qeverisë nuk e shkarkoi Ballukun nga detyra, e marrë e pandehur për tunelin e Llogarasë dhe nën hetim për disa procedura të tjera tenderuese, por i hoqi të drejtën e firmës pas vendimit të GJKKO. Ai ka thënë se do të presë vendimin e Kushtetueses për ankimin që ka bërë për pezullimin, pasi qeveria argumenton Gjykata e Posaçme ka ndërhyrë në kompetencën e kryeministrit, presidentit dhe Kuvendit. Kalimi ose jo për shqyrtim i ankimimit të qeverisë në Kushtetuese pritet të vendoset më 12 dhjetor. Tre gjyqtarët e kësaj gjykate nuk kishin unanimitet për këtë çështje, dhe kërkesa për shqyrtim i kaloi mbledhjes së gjyqtarëve.

Reagimi i plotë: 

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka ndjekur me vëmendje prej disa ditësh komunikimin publik të Kryeministrit të vendit lidhur me çështjen gjyqësore në ngarkim të Zëvendëskryeministres dhe njëkohësisht Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila është duke u shqyrtuar në të njëjtën kohë nga Gjykata Kushtetuese, si dhe nga gjykatat e posaçme. Shoqata shpreh shqetësimin dhe indinjatën lidhur me qasjen që kreu i pushtetit ekzekutiv ka zgjedhur të bëjë për këtë problematikë, e cila është pjesë e juridiksionit të pushtetit gjyqësor. Nën petkun e ankesës për uzurpimin e pushteteve ekzekutiv dhe legjislativ nga ai gjyqësor në të vërtetë fshihet një mesazh presioni ndaj organeve të drejtësisë që kanë për shqyrtim çështjen në fjalë. Gjithashtu, mesazhe të tilla të përditshme të ushqyera ndaj publikut të gjerë synojnë të krijojnë një klimë mosbesimi ndaj pushtetit gjyqësor dhe mund të përdoren më tej si pretekst për marrjen e masave erozive ndaj këtij të fundit.

Shoqata rithekson se ndarja dhe balancimi i pushteteve është një nga parimet themelore të demokracisë, prandaj pavarësia e pushtetit gjyqësor, arbitrit final për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve, përbën një gur themeli për ndërtimin e shtetit të së drejtës. Kjo pavarësi vihet në rrezik jo vetëm nga veprime konkrete që synojnë kufizimin e sferës së kompetencave të këtij pushteti, por edhe nga çdo akt ose deklaratë që perceptohet si kërcënim ose presion politik ndaj veprimtarisë gjyqësore apo që ul reputacionin e organeve të drejtësisë në sytë e publikut dhe, në këtë mënyrë, minon besimin e tij tek këto organe. Komisioni Evropian ne raportet për Shqipërisë ka adresuar si shqetësim vazhdimin e përpjekjeve te ndërhyrjes dhe presionit ndaj sistemit gjyqësor nga zyrtarë të lartë publikë dhe politikanë.

Gjyqtarët janë të pavarur dhe i nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve e si të tillë qëllimi i misionit të tyre nuk është fitimi i pëlqimit të shumicës së publikut apo një pjese të tij, por zbatimi me fanatizëm i vullnetit të sovranit të shprehur në këto akte. Vendimet gjyqësore mund të jenë të papëlqyeshme për disa subjekte, por kjo nuk i bën ato ilegjitime, pasi sistemi demokratik i qeverisjes vepron brenda kufijve që i përcaktohen nga standardet e shtetit të së drejtës dhe zbatuesit finalë të këtyre standardeve janë gjyqtarët. Në këtë kuadër, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë fton dhe i kërkon secilit zyrtar të lartë të dy pushteteve të tjera që të respektojë pavarësinë e gjyqtarëve në vendimmarrjen e tyre dhe të distancohet nga çdo sjellje që e cenon atë. Ndërhyrja në veprimtarinë e gjyqtarëve gjatë zhvillimit të procedurave gjyqësore përbën formën më të rrezikshme në shkeljen e parimit të ndarjes së pushteteve, pasi ka si qëllim deformimin e vendimmarrjes nëpërmjet formave të ndryshme të presionit.

Lajm ne perditesim...