Paralajmërimin e Kryeministrit Rama se nuk do të falet askush që zbaton urdhrat e Erion Veliajt për shkarkime arbitrare nga puna në Bashkinë e Tiranës, qeveria vendore e kryeqytetit e cilëson presion dhe ndërhyrje politike të ekzekutivit në pavarësinë e një pushteti tjetër. 

Në një reagim nga vetë institucioni i Bashkisë thuhet se “emërimet dhe shkarkimet në administratën bashkiake janë kompetenca që ushtrohen sipas ligjit, jo sipas preferencave personale”. 

Sipas bashkisë Tiranë këto qëndrime ngrenë shqetësime serioz se masa e sigurimit personal ndaj kryetarit të zgjedhur po shfrytëzohet për të neutralizuar autoritetin e tij institucional dhe për të imponuar kontroll politik mbi qeverisjen vendore në kryeqytet 

Deklarata e plotë e Bashkisë së Tiranës

Bashkia Tiranë dënon ndërhyrjet politike të Kryeministrit Edi Rama në kompetencat dhe vendimmarrjen e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Tiranë, si dhe presionin e ushtruar publikisht ndaj drejtuesve të administratës bashkiake.

Bashkia Tiranë nuk është institucion në varësi personale të Kryeministrit. Autonomia e saj garantohet nga neni 13 i Kushtetutës dhe ligji nr. 139/2015.

Emërimet dhe shkarkimet në administratën bashkiake janë kompetenca që ushtrohen sipas ligjit, jo sipas preferencave personale.

Deklaratat dhe presionet e fundit janë vijim i një qëndrimi që ngre shqetësime serioz se masa e sigurimit personal ndaj kryetarit të zgjedhur po shfrytëzohet për të neutralizuar autoritetin e tij institucional dhe për të imponuar kontroll politik mbi Bashkinë Tiranë.

Asnjë qëndrim politik nuk mund të justifikojë cenimin e autonomisë vendore dhe të vullnetit të qytetarëve të Tiranës.

Bashkia Tiranë kërkon ndërprerjen e çdo ndërhyrjeje politike në vendimmarrjen e saj dhe respektimin e plotë të rendit kushtetues.

Bashkia Tiranë u përket qytetarëve të saj, jo preferencave personale të Kryeministrit dhe do i shërbejë deri në fundit zgjedhësve të saj.