Dekriminalizimi/ Ndërkombëtarët
negociata me krerët e politikës 

Dekriminalizimi/ Ndërkombëtarët<br />negociata me krerët e politikës 
TIRANE- Prishja e konsensusit të reformës në drejtësi që në hapat e saj të parë dhe zvarritja e procesit të dekriminalizimit, ka vënë në lëvizje përfaqësitë diplomatike të vendeve partnere në Tiranë. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu dhe ai i OSBE-së, Florian Raunig kanë intensifikuar takimet me krerët e politikës. Ambasadori amerikan,i shoqëruar nga zëvendësi i tij, Henry Jardine mbërriti dje në zyrën e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Takimi u zhvillua me dyer të mbyllura dhe takimi ka zgjatur rreth 45 minuta. Burime pranë PD thanë për “Shqiptarja.com” se tema e diskutimit mes tyre ka qenë dekriminalizimi i Kuvendit, pushtetit vendor dhe administratës publike, një çështje kjo ndër më të nxehtat të aktualitetit politik shqiptar. Vizita e ambasadorit Lu në zyrën e Bashës erdhi pak orë para se Partia Demokratike të shpallte platformën e saj për dekriminalizimin, duke integruar tek draft-propozimet testin e drogës për politikanët dhe shenjat e gishtërinjve.

Një çështje tjetër, që është diskutuar në takimin e Bashës me ambasadorin Donald Lu dhe zv/ambasadorin amerikan, Henry Jardine ishte edhe raporti i publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit mbi trafikimin e qenieve njerëzore në vendin tonë, në të cilin thuhet se në Parlamentin shqiptar ka persona të përfshirë këtë trafik, i cili ka vuajtur edhe dënimin me burg. Siç bëjnë të ditur burimet pranë PD, në takimin e Bashës me Lu është folur edhe për emra konkretë me rekorde kriminale, të cilët janë në ulëset e Kuvendit apo në karriget e bashkive, të zgjedhur në 21 qershor.

Ndërkaq, në vazhdën e takimeve me krerët e politikës, ambasadori amerikan është takuar në mesditë edhe me ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Burime zyrtare bëjnë të ditur se takimi mes diplomatit dhe Tahirit u zhvillua në funksion përshpejtimit të procesit të dekriminalizimit, pas qëndrimit të shprehur publikisht edhe nga kryeministri Rama dy ditë më parë në takimin me median, se çështja e pastrimit të politikës nga të inkriminuarit do të trajtohet ligjërisht.

“Ne do kalojmë ligjin për të penguar të gjithë ata që kanë pasur rekorde kriminale të gjykuara, jo të presupozuara, të kenë aktivitet politik apo të përfshihen në administrata publike”, ka deklaruar Rama. Paralelisht me diskutimin për spastrimin e politikës dhe të institucioneve nga personat me rekorde kriminale, tensioni është mjaft i lartë edhe për reformën në drejtësi.

‘Ngecja’ e reformës në sistemin e drejtësisë, pas bojkotit të opozitës në mbledhjen e parë të komisionit të posaçëm parlamentar, ka sjellë shqetësim te partnerët ndërkombëtarë. Këtij qëllimi i ka shërbyer takimi i djeshëm i kreut të Prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Florian Runig me kryetarin e komisionit të reformës, Fatmir Xhafaj. Në qendër të këtij takimi me dyer të mbyllura mes kryetarit Xhafa dhe ambasadorit Raunig ka qenë procesi i reformës në gjyqësor, konkretisht faza e tretë e saj që pritet të zhvillohet në nisje të sesionit të ri parlamentar.

Po ashtu mes bashkëbiseduesve është prekur edhe qëndrimi i opozitës ndaj kësaj reforme dhe largimi i saj nga mbledhja e ditës së enjte. Si dhe është theksuar fakti se reforma po asistohet nga ekspertë të EURALIUS dhe OPDAT, çka duhet të ndikojë në rritjen e besueshmërisë së opozitës se reforma do të jetë gjithëpërfshirëse dhe transparente.

 
Opozita, bojkot pa afat komisionit të reformës
 
Partia Demokratike nuk do të marrë pjesë në punimet e komisionit të Posaçëm Parlamentar për reformën në drejtësi, nëse mazhoranca nuk reflekton për të organizuar një tryezë diskutimi më parë, për Strategjinë. Takimin e parë të komisionit me pjesëmarrjen edhe të anëtarëve të djathtë, opozita e bojkoti pas më shumë se 4 orë diskutime. Ekspertët e EURALIUS dhe OPDAT, duke pranuar se dokumentet nuk janë konsultuar, kërkuan votimin në parim të Raportit Analitik dhe Strategjisë, por opozita e cilësoi të papajtueshëm me frymën e konsensusit dhe akuzoi mazhorancën për mungesë transparence.    
 
Berisha: Largimi i FMN, dështim i plotë i piktorit dështak
Ish kryeministri Sali Berisha e ka konsideruar “deshtim të plotë të piktorit dështak në ekonomi” ndërrprerjen e marrjesh së FMN-së me qeverinë shqiptare. “Ky është një akt tejet i rëndë dhe i paprecedent ne historinë e vendit. Një vendim të tillë FMN e mori për Greqinë pasi qeveria greke dështoi në realizimin e objektivave që kishte marrë përsipër të realizonte”, ka shkruajtur Berisha në një status në faqen e tij në Facebook. Sipas Berishës, “vjedhje edhe më të medha dhe rënie të hidhur të të ardhurave ka dhe në tatime”. “Me Ramen rrokullisja e ekonomise tonë është dramatike”, vijon statusi i tij.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 1 Gusht 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

E rëndë në Fier/ Gruaja bie nga kati i shtatë, ndërron jetë

E rëndë në Fier/ Gruaja bie nga kati i shtatë, ndërron jetë