Dy partitë kryesore, Partia Socialiste dhe ajo Demokratike kanë rënë dakord për ndryshimet Kushtetuese që do të shoqërojnë miratimin e ligjit për dekriminalizimin në Kuvend. Ndryshimet kushtetuese parashikojnë kategoritë e zyrtareve që nuk mund të zgjidhen në poste të larta ose duhet të lenë mandatet në rast se kanë kryer shkelje në të shkuarën.

Në mbledhjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për hartimin e këtij ligji, të hënën në mbrëmje, është rënë dakord që propozimet për ndryshimet kushtetuese të përmblidhen në 4 nene në mënyrë që të mos preken shumë nene të dokumentit themeltar të shtetit. Fillimisht ishin parashikuar ndryshimi i 17 neneve.

Gjatë mbledhjes me dyer të hapura për mediet të hënën në mbrëmje, komisioni ka miratuar në parim këto amendamentet kushtetuese, ndërsa para miratimit të tyre në Kuvend pritet të zhvillohet dhe një dëgjesë publike.

Ligji i ri për Dekriminalizimin pritet të përcaktojë qartë se kujt i hiqet e drejta për t’u emëruar dhe zgjedhur në funksione publike. Nenet e ligjit për dekriminalizimin parashikojnë se shtetasit e inkriminuar do të dorëzojnë funksionin publik që mbajnë, ku nuk përjashtohen as deputetët.

"Funksionarët e organeve të parashikuara në Kushtetutë apo subjektet e ligjit të posaçëm që rregullon të drejtën për t’u zgjedhur apo për të mbajtur një funksion publik, që janë në detyrë në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë të detyruar të përmbushin detyrimet e përcaktuara në atë ligj, brenda 3 muajve nga hyja në fuqi e tij", parashikon ligji për dekriminalizimin.


ORA 19:00 Miratimi shtyhet për “teknika legjislative”
Kryetari i Komisionit të Posaçëm, Oert Bylykbashi dhe nënkryetari, Taulant Balla në përfundim të mbledhjes dolën në një deklaratë për mediet ku thanë se ende nuk është mbyllur procesi i konsultimit për ndryshimet Kushtetuese.

“Ka nevojë që të vazhdojmë diskutimin në aspakëtin teknik. Në një moment të dytë do të mbyllim çdo nen të kësaj paket. Komisioni do të mblidhet sërish në ditët në vijim”, tha Bylykbashi.

“Ka rregulla strikte sesi ndryshohet Kushtetuta. Ligji ka bërë të domosdoshëm ndërhyrjen në Kushtetutë. Kushtetuta është një ligj që nuk ndryshohet brenda një nate, kërkohen konsulta publike”, tha Balla.

ORA 19:10 Braho: Do ndryshohen vetëm 4 nene të Kushtetutës
“Ka pasur një projekt të përbashkët, por për efekt që kushtetuta të mos preken 17 nene, për një lloj ekonomie legjislative u përmblodhën dispozitat e parashikuara të sillen në katër nene. Ndryshimet ligjërojnë ato ndryshime që parashikon ligji për pastërtinë e figurave që do të zgjidhen apo emërohen”, tha deputeti i LSI-së, Spartak Braho.


Çfarë parashikon ligji?

Ligji prek dhe funksionarët më të lartë duke filluar nga Presidenti, Kryeministri, ministra, deputetë, prokurorë, gjyqtarë etj.
 
Sa u takon deputetëve ligjit thotë se “Nuk mund të kandidojnë e as të zgjidhen deputetë, shtetasit që janë të përjashtuar nga e drejta për t’u zgjedhur apo për të mbajtur një funksion publik sipas rregullave të përcaktuara me ligj të posaçëm.” Dhe gjithashtu “Mandati i fituar në kundërshtim me paragrafin 1 dhe 2 të këtij neni është i pavlefshëm, pavarësisht nga koha e konstatimit.”
 
E njëjta gjë parashikohet të zbatohet dhe në rastin e emërimit të presidentit, kryeministrit, apo edhe nëpunësve publikë. 

Përveç politikës, dekriminalizimi prek dhe drejtësinë pasi ligji parashikon se persona e inkriminuar nuk mund të emëron gjyqtarë dhe as prokurorë apo anëtar të KLSH.
 
“Prokuror i Përgjithshëm apo prokuror nuk mund të emërohen shtetasit që janë të përjashtuar nga e drejta për t’u zgjedhur apo për të mbajtur një funksion publik, sipas përcaktimeve të bëra me ligj të posaçëm.”, thuhet në ligjin e dekriminalizimit.
 
Po ashtu e njëjta procedurë do të ndiqet edhe në emërimet sa i takon drejtuesve të Bankës së Shqipërisë duke nisur nga Guvernatori dhe anëtarët e Këshillit.
 
Të inkriminuarit gjithashtu nuk mund të emërohen pjesëtarë të forcave të armatosura shtetasit.