Pas një propagande disa mujore të segmenteve opozitare të politikës shqiptare, për dekriminalizimin e Parlamentit dhe të organeve të tjera përfaqësuese në vend, më së fundi sot pritet që gjatë seancën plenare kuvendore, krahas çështjeve të  programuara në kalendarin trijavor të Kuvendit, gjithashtu të miratohet ngritja e një komisioni të posaçëm për diskutimin dhe hartimin e një ligji të veçantë në këtë drejtim, si edhe përbërja e një organi të tillë të përkohshëm me deputetë nga opozita dhe mazhoranca.

Deri tani, nevoja për ngritjen e këtij organi është karakterizuar prej një zhurmënaje të tejskajshme, e cila është iniciuar prej një incidenti të qershorit të kaluar dhe është dalluar për të justifikuar bojkotin që i bëri opozita punimeve të organit legjislativ, më së paku gjatë gjithë punimeve të sesionit të dytë parlamentar të vitit të kaluar. Pikërisht, kjo nevojë zuri vend qëndror në Projekt – Marrëveshjen e paraqitur në prag të Krishtlindjeve, që e asistuar prej dy anëtarëve të Parlamentit Evropian, Kukan dhe Fleckenshtejn, nuk mbeti pa i dhënë frytet e saj: Marrëveshja u miratua dhe bojkotit parlamentar iu dha fundi.

     Iu dha fundi bojkotit të opozitës, por shpagimeve të saj, që përqëndrohen edhe te retorikat për dekriminalizimin, të cilat janë bërë më së shumti kryefjalë e jetës politike dhe asaj parlamentare të vendit, duke u alternuar apo edhe ndërthurur që nga fillimi i këtij viti me kërkesat për hapjen e dosjeve të regjimit të kaluar në dy plane: sipas konceptit të vonuar të Lustracionit dhe sipas variantit më të mundshëm gjerman. Këto kërkesa të fundit ndikuan deri në një farë mënyre që t’i japin shtysë kakofonisë për temën e dekriminalizimit, ndonëse Marrëveshja e arritur ditët e fundit të dhjetorit parashikonte që të hartohej dhe të miratohej projektligji brenda 6 mujorit të parë të këtij viti.

     Nga kjo kakofoni, që nuk është çudi të rëndojë mbi timpanin e veshëve të anëtarëve pjesëmarrës të Kuvendit apo të publikut të gjerë edhe gjatë zhvillimit të seancës plenare të sotme, disa të dhëna hidhen në hava, si për shembull, për numrin e deputetëve aktualë me dosje kriminale (dëgjohet për nja 19 prej tyre) dhe të numrit të funksionarëve të lartë të shtetit(arrihet të shquhet artikulimi për nja 17 dhe herë – herë për 27 të tillëve). Se sa të bazuara janë këto të dhëna në kundërshtim me legjislacionin aktual, vështirë të jepen garanci si betë që bëjnë nëpër media ca e ca politikanë apo komentues të politikës së brendshme. Nga “gërmimet” e paliçencuara, zakonisht nuk mund të paraqiten, të vlerësohen dhe të merren prova.

Por, zhurmënaja nuk kufizohet me kaq. Konflikti i zërave ashpërsohet edhe më tepër, kur bie fjala për fillimin e zbatimit të projketligjit, që ende nuk ka nisur të hartohet si një akt juridik i plotë dhe i prerë. Megjithatë, ndoshta nuk do të gabohej nëse, për të mos shpërqëndruar apo lodhur vëmendjen e lexuesit, më poshtë të përmendet termi ‘ligj’ dhe jo ‘nismë’, madje as ‘projketligj’.

Kështu pra, vazhdojmë: nga të dyja krahët e politikës shqiptare ngrihen tonet, kur është fjala për kohën e nisjes së zbatueshmërisë së këtij ligji. Sipas zërave të Partisë Demokratike, zbatimi duhet të bëhet që nga muaji qershor, që përkon me afatin përfundimtar të parashikuar në Marrëveshjen përkatëse. Ndërsa, sipas atyre të mazhorancës aplikimi konkret i ligjit do të duhej të foillonte në prag të legjislaturës së ardhshme, që me mbushjen dhe publikimin e listave të kandidaturave për deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.

Ky variant i fundit është artikuluar fillimiasht edhe prej përfaqësuesve të Parlamentit Evropian, që duket se mbështeten në disa fakte kokëforta, që i referohen edhe kuotave kohore, edhe dispozitave kushtetuese. Domethënë, ligji edhe nëse miratohet në qershorin e pritur, mund të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe deri atëhere ka përfunduar fushata elektorale, në mos edhe votimi mbarëpopullor, mbi zgjedhjen e personave të caktuar në organet e qeverisjes vendore.

Ndërkohë që, në nenin 71/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë përcaktohen qartë rrethanat, se kur mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, sipas rastit, prandaj rrethi i këtyre rrethanave nuk mund të zgjerohet me një ligj të zakonshëm dhe as me një akt të miratuar me shumicë të cilësuar(me 3/5 e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit). Edhe këto dy argumente do të mjaftonin për të mose fiksuar që tani afatin e hyrjes në fuqi të ligjit të pritshëm. Për të mos e fiksuar madje as se kur të shprehet siguria se do të gjendet mirëkuptimi dhe konsensusi, sipas formulës së gjithëpërfshirjes, për të miratuar ligjin me diskutime pakta apo të shumta. Fundja, inteligjenca (me tiparin e së cilës presupozohet, bie fjala, figura e deputetit dhe e ca të zgjedhurve) i është dhënë njeriut edhe për të dyshuar.

Që këtej del në pah problemi, që do të duhej të përcaktohej dhe të zgjidhej fillimisht nga anëtarët e komisionit të posaçëm gjatë hartimit të ligjit në fjalë, si edhe nga të gjithë deputetët që më pas do ta diskutojnë dhe miratojnë atë në seancë parlamentare: Çfarë kriteresh do të përcaktohen për dekriminalizimin e Kuvendit dhe të administratës publike? Farë rendi logjik e juridik do t’i nënshtrohen ato kritere? Qëllimi i këtyre rradhëve nuk është për të dhënë modele të gatshme, të tilla që do të përbënin një pretendim ambicioz i shoqëruar me nënqeshje tallëse.

Sidoqoftë, veçse në formën e diskutimit mund të kërkohej të shtjellohet apo të konkretizohet qartë dhe saktë termi ‘rekord kriminal’ i individit, çka është shprehur pa kursim nga eksponentë të opozitës gjatë debateve për nevojën e sanksioneve që do zbatoheshin nga hyrja në fuqi e ligjit. A do të futeshin brenda këtij termi dhe sa do të mbante ky lloj ‘rekordi’ kundërvajtjet administrative, qoftë edhe ato penale? Më tej, mos vallë do të merrej në konsideratë kryerja e atyre veprave penale apo edhe dënimet, që janë amnistuar?

Një përgjigje sado anësore mund të gjendej gjatë referimeve te Pjesën e Parë e Ligjit Themelor të Shtetit tonë, te doktrina kushtetuese, te parimet e gjithëprasnuara të së drejt ndërkombëtare dhe te jurisprudenca vendase dhe e huaj. Për ilustrim, mbase do të ishte vendi të kujtonim së paku një vendim të para disa viteve të Gjykatës së Strasburgut, që shfuqizonte si të pavlefshëm një vendim gjyqësor të dhënë në një nga vendet aspirante për në Bashkimin Evropian, që për dënimin e një shtetasi të atij vendi e cilësonte si rrethanë rënduese kryerjen e një vepre penale të amnistuar më parë.

Në rastin e zbatimit të ligjit të pritshëm te ne, qoftë ndaj një deputeti, qoftë edhe ndaj një zyrtari të lartë, ose të një nëpunësi të administratës publike, a do të duhej, apo nuk do të duhej që individi përkatës të largohej nga detyra, ose t’i ndërpritej mandati që i qe dhënë po të verifikohet që në CV – në personale të paraqitur prej tij është fshehur një dënim i dhënë ende pa u amnistuar?

Në kuadrin e kërkesës së domosdoshme për përcaktimin në ligj të kritereve të caktuara, hë për hë dalin plot pikëpyetje, që kërkojnë përgjigje. Sa më të argumentuara të jepen këto përgjigje nga anëtarët e komisionit parlamentar të posaçëm për dekriminalizimin, aq më shpejt dhe me më pak kontestime do të përfundojë do ta mbyllë ky komision detyrën që i ngarkohet. Fjalë të tjera mund të mbeten të tepërta, ashtu siç përbën edhe prirja drejt opinioneve ekstreme e të gjitha shpirtrave të zbrazët.           


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 19 shkurt 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)