PEQIN- Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ekzekutimi i 26-vjeçarit, Andi Zylyfi një ditë më parë në Peqin. 

Burime për Report Tv bëjnë me dije se një person i maskuar ka qëlluar me 27 plumba në drejtim të 26-vjeçarit. Mësohet se Zylyfi ka qenë në një lokal buzë rrugës nacionale Elbasan-Peqin, ku një automjet ka ndaluar shumë pranë lokalit nga ku ka zbritur një person i maskuar i cili ka qëlluar me breshëri plumbash Zylyfi, për pasojë humbi jetën.

Zylyfi i cili humbi jetën nga plagët e marra, ka lidhje familjare me dy personat që kanë mbetur të vrarë në një atentat në Bradashesh të Elbasanit, një vit më parë. Më 29 dhjetor të 2018 në atentat humbën jetën Endrit Alibej 34-vjeç, Arben Dylgjeri 56 vjeç, si dhe një shtetas turk Erdal Duranay. Konkretisht, Andi Zylyfi ishte, djali i hallës së Endri Alibej, ku ky i fundit u ekzekutua një vit më parë për pazare droge. Vetë, Andi Zylyfi kishte vetëm pak kohë që ishte kthyer nga emigrimi. Ndërkohë sipas policisë asnjëri prej dy të rinjve nuk rezultojnë me precedentë të mëparshëm penal. 

Deri më tani janë shoqëruar së paku 10 persona të cilët po merren në pyetje për ngjarjen e ndodhur.