Zonja Tefta së bashku me Eneidën, gjithmonë përçojnë mesazhin që gatimet tradicionale të jenë sa më të pranishme në tryezat tona, duke sjellë receta tradicionale shqiptare të çdo krahine të Shqipërisë në mënyrë që tradita e gatimeve tona të mos humbas.
Ky mesazh vlen pë të gjitha gatimet e herëshme shqiptare ku secila krahinë mund të ruaj ende origjinalitetin e gatimeve të tyre dhe pse jo këto gatime të përçohen nga një zonë e Shqipërisë në një tjetër.
Ashtu si në çdo puntatë në këndin e kuzhinës së A1 Report të ftuar janë shef/kuzhinier nga klubi i shefave të kuzhinës shqiptare. Shefe kuzhiniere Liljana ishte e ftuara e cila solli specialitetet e gatimeve për zonën e Delvinës.
Specialiteti i kuzhinës së jugut për mënyrën e zgjedhjes së mishit është ai i qingjit dhe kecit. Por, nuk mungon dhe mishi i pulës, i cili u gatua sot në kuzhinë, duke kujtuar traditën e gjysheve në Delvinë.
Pjata e parë për zonën e jugut është sallata me lakra të egëra. Lakrat në këtë periudhë janë më të shumta dhe gatuhen më tepër.
Në këndin e kuzhinës u gatuan tre receta të ndryshme. Gatimi i parë ishte ëmbëlsira e revanisë.
Receta "Revani me Nisteshte"
Nisteshte 2 Gota
Sheqer 2 Gota
Vezë 1 Kokërr
Gjalp 300 gr
Përgatitja e recetës "Revani me Nisteshte"
Hedhim në 1.2 litra ujë të zierë gjalpin për ta shkrirë. I hedhim më pas 600 gr sheqer. Në një enë me ujë trazojmë nisteshten.
Pasi gjalpi ka shkrirë në ujin e zierë i shtojmë nisteshten e përgatitur e më pas i shtojmë ato në tigan duke i hedhur një vezë sipër. Më pas e presim revaninë në copa për t`a futur në furrë në mënyrë që të piqet.
Receta e dytë nga Delvina që u gatuar në këndin e kuzhinës nga shefe Liljana ishte pula me përshesh.
Receta "Pulë me përshesh"
Pulë
Qepë të njoma
Koper
Nenexhik
Bukë Misri
Gjalp
Përgatitja e recetës "Pulë me Përshesh"
Grijmë qepët e njoma dhe i skuqim në tigan me pak vaj ulliri. Grijmë koper dhe nenexhik për t`i shtuar në tigan tek qepa.
Më pas copëtojmë bukën e misrit duke e bërë përshesh dhe e hedhim tek qepët e njoma në tigan për t`u skuqur duke i shtuar dhe një lugë gjalp.
Marrim pulën dhe e mbushim me përsheshin e përgatitur në tigan. Më pas e vendosim atë në tigan për tu skuqur.
Receta e tretë që u përcoll për amvisat ishte sallata me lakra të egra të ziera.
Receta "Lakra të Ziera"
Lakra të egra
Vaj ulliri
Krip
Limon
Receta "Lakra të Ziera"
I hedhim lakrat e egëra në ujë të valuar për t`i zierë ato. Më pas i grijmë duke i hedhur limon, vaj ulliri dhe krip. Redaksia Online (m.z/shqiptarja.com)