Pasojat ekonomike të protestave të dhunshme po bëhen gjithnjë e më të dukshme.

Deri më tani janë 127 biznese që kanë raportuar dëme dhe që janë evidentuar nga administrata tatimore nga 10 grupet e inspektimit që ka në terren. Bëhet fjalë vetëm për biznese të vogla, kioska e sipërmarrje familjare, ku 72 subjekte kanë raportuar në portalin “DËMI IM”, ndërsa 55 të tjerë janë evidentuar nga verifikimet në terren.

Fatura financiare deri më tani përllogaritet në 2.15 milionë euro, ndërkohë që administrata tatimore thotë se verifikimet vijojnë, dhe iu bën thirrje bizneseve që të raportojnë dëmet që u janë shkaktuar në njësitë tregtare nga protestat.

“Procesi vijon me transparencë dhe përgjegjshmëri në mbështetje të bizneseve të prekura”, thuhet në njoftimin e tatimeve. Ndërkohë qeveria ende nuk ka finalizuar formulën që do të ndiqet për kompensimin e bizneseve, pasi ky proces pritet të ndodhë pasi të mbyllet bilanci i dëmeve.

Nga ana tjetër Bashkia Tiranë njofton se ka pezulluar detyrimet fiskale vendore për bizneset e dëmtuara, deri në rihapjen normal te aktivitetit, në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi.

Në këtë faturë financiare nuk përfshihen dëmet e shkaktuara në infrastrukturën publike, ministri, gjykata, rrugë, trotuare, semaforë, kosha plehrash apo stacione urbanësh. Gjithashtu nuk përfshihen dëmet e ndodhura në bizneset e mëdha, siç janë edhe bankat të cilave u janë dëmtuar 45 degë dhe 53 bankomate.

55 subjekte të evidentuara nga verifikimet në terren
72 subjekte nga raportimet përmes shërbimit “Dëmi im”
Vlera e dëmeve: 2. 15 milionë euro
Foto e postuar nga tatimet në Facebook

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:56
Bashkia e Tiranës pezullon detyrimet fiskale vendore për bizneset e dëmtuara nga protestat, deri në rihapjen e aktivitetit

Bashkia e Tiranës pezullon detyrimet fiskale vendore për bizneset e vogla të dëmtuara gjatë protestave të ditëve të fundit në kryeqytet. Pezullimi do të jetë në fuqi deri në rihapjen normale të aktivitetit të këtyre subjekteve, në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi.

Vendimi vjen në një kohë kur dhjetëra biznese kanë pësuar dëme materiale gjatë protestave. Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, deri më tani janë identifikuar 127 subjekte të prekura, ndërsa vlera e dëmeve të evidentuara arrin në 2.15 milionë euro.

Nga bizneset e identifikuara, 55 janë evidentuar përmes verifikimeve në terren nga administrata tatimore, ndërsa 72 të tjera kanë raportuar dëmet përmes shërbimit elektronik “Dëmi im”.

Procesi i evidentimit dhe vlerësimit të dëmeve vijon. Administrata Tatimore u ka bërë thirrje bizneseve të prekura që të raportojnë dëmet përmes shërbimit “Dëmi im” në portalin e-Albania.

Njoftimi i Bashkisë Tiranë

"Bashkia Tiranë njofton të gjitha bizneset e dëmtuara nga protestat, të cilat janë detyruar të ndërpresin aktivitetin, të ndjekin procedurat përkatëse pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit për deklarimin e pezullimit të veprimtarisë, me qëllim edhe pezullimin e ecurisë së detyrimeve fiskale vendore deri në rifillimin e aktivitetit.

Nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore, Bashkia Tiranë informon subjektet se trajtimi i detyrimeve vendore do të bëhet në përputhje me periudhën e ushtrimit të aktivitetit, paketën fiskale të Bashkisë dhe legjislacionin në fuqi.

Të gjitha bizneset e prekura, pas kryerjes së procedurës së pezullimit pranë QKB-së, duhet të vetëdeklarojnë këtë proces pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore, duke paraqitur dokumentacionin përkatës. Kjo vlen edhe për subjektet që e kanë kryer tashmë pezullimin e aktivitetit, të cilat ftohen të paraqiten pranë taksave dhe tarifave vendore për të formalizuar situatën e tyre.

Bashkia Tiranë u bën thirrje subjekteve të prekura të ndjekin procedurat përkatëse dhe të deklarojnë rifillimin e aktivitetit në momentin e rihapjes, në mënyrë që detyrimet për taksat dhe tarifat vendore të trajtohen në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi"