Dhuna dhe historia
Korriku i 2001-it priti dhunshëm G8-ën dhe ktheu Genova-n në fushë betejën e përgjakur midis neo-liberalistëve dhe no-globalistëve. Të parët, ishin më të fuqishmit e rruzullit që propozonin një ekonomi të kontrolluar dhe pa barriera, të dytët ishin protesuesit të fobizuar me pretekstin e kontrollit ekonomik, por me nëntekstin e ndalimit të lëvizjes së lirë. Si në nëntorin e largët të kristaleve, historia u rishkrua me temë tjetër, por përmbajtja mbeti e njëjtë: lufta për kontrollin e njeriut nga njeriu. No-global-istët, ardhur kryesisht nga veriu i kontinentit bujtën me zjarre dhe vare’ kundër vitrinave dhe dyqaneve. Qyteti u dogj për ditë të tëra dhe mijëra protestues u torturuan në komisariate, ndërkohë një i ri u vra. Sociologë dhe politologë, vite pas ngjarjes, mbetën skeptikë drejt përkufizimit të një teorie politike ndaj asaj proteste, ku turmat mblidheshin pa një lidership dhe pa një ideologji përfaqësuese të të gjithëve. Pasojat ishin të shumta, mes të cilave dhe disa mësime, si p.sh. no-global-istët rezultuan fëmijë të familjeve me mirëqenie, ose të paktën jo proletarë të stampës Marksiste. Policia tejkaloi kompetencën në keqtrajtimin e tyre, duke i faturuar shtetit italian miliona euro dëmshpërblime. Kodi penal u zgjerua me një tjetër krim, atë të torturës, që në kohën e ngjarjeve u ushtrua nga forcat e rendit, por në ligj nuk ishte.
Vrasja e 23 vjeçarit Giuliani, u konfirmua nga Strasburgu, si e kryer në kushtet e vetëmbrojtjes së ligjshme. Mësimi politik: nëse turma nuk ka ideologji qoftë edhe të tërthortë gjithsesi të mbështetur nga shoqëria, por kërkon rrëzimin me dhunë, pa një alternativë e duke shkatërruar pronën ajo shkon drejt një lëvizje anarkiste, e cila rrezikon të shkërrmojë edhe kauzën më të përligjur, sociale dhe politike. Për të mbetur po aty, neo-globalizmi me ngjarjet në Genova nuk ra, përkundrazi, vijoi i pashqetësuar. Ajo çfarë mbahet mend, është djegia, tymi, tortura, vdekja e mbi të gjitha paqartësia e gjithë asaj katrahure. Në qasje paralele krahasohet dorëheqja e Ramës dhe e kabinetit të tij, për qeverisje të gabuar. Perceptimi i përgjithshëm në Shqipëri, është se mandati i katërt i socialistëve është i tepërt. Ndërkohë duhet pranuar se përtej të gjitha konspiracioneve politike, Rama në pushet mbahet me maxhorancën e një numri gjithmonë në rënie të votuesve, pa u shqetësuar se përse plebishiti maxhoritar gri, ka abstenuar votimin e tij edhe pse haptazi ka qenë kundër aleancës së djathtë. Diku me punë e diku me arrogancë, diku me projekte e dikutjetër me krime skandaloze të kabinetit, Ramës i njihet mbijetesa më e gjatë post-komuniste si Kryeministër për një arsye: e djathta e padëshiruar me lidershipin aktual, e parë kjo si një alternativë e djegur politikisht.
Vota dhe flamingo-t
Pa hyrë në analizën e situatës në të cilën ndodhet e djathta, shqetësimi bren arsyen racionale nëse qeveria Rama-IV, duhet të largohet nga pushteti, dhe nëse po, me dhunë apo me votë?. Moralisht kupa është mbushur, dhe arsyeja fle’ qetësisht në po atë taban historik të shkollës së mendimit politik në Shqipëri: lufta e shtetit kundër kombit. Shteti shqiptar nuk punon për kombin dhe interesat e tij. Historia tregon se shpura politike ka parë interesat e një grupimi të vogël drejtues dhe një baze më të gjerë e lidhur ngushtë me interesa ndaj saj. Manovra për të lënë në dorë të drejtësisë, kokat e kabinetit të inkriminuar, edhe pse një risi’ në sjelljen politike post ’90, ku përqëndrimi i pushteteve nuk mbulon alibinë e kontrollit shtetëror të vjedhjes. Thënë këtë, në demokraci sistemet nuk duhet të hidhen poshtë me djegie, por me vota, përndryshe rrëzimi me dhunë, mbetet preçedenti më i rëndë dhe i paqëndrueshëm i sistemeve politike, në Shqipëri dhe kudo. Do të përligjej në diktatura me stanjacion të gjatë, ku regjimi Rama edhe pse i mbështetur fortë mbi autokracinë, nuk bën pjesë. Vota apo rotacioni, ndryshimi partiak e ndër-partiak, mbeten mënyrat më demokratike dhe llogjika më e pranuar, e pranimit apo rrëzimit të pushtetit. Atëherë përse shqiptarët në zgjedhjet e 2025-ës nuk e rrëzuan Ramën me votë? Pra, përse nuk përdorën votën dje, por përdorin shkopinjtë sot? Në fakt, asgjë nuk ka ndryshuar në skenarët dhe modelin qeverisës, ku turizmi rritet në progresion gjeometrik me korrupsionin, dhe ku besa e dhënë për asnjë kullë në Tiranë, mbeti përgënjeshtrimi më i rëndë.
E parë në këtë plan, e duke konsideruar distancën nga vota tek revolucioni i flamingove, çështja mbetet e paqartë pse nuk ishin vota kundër në kuti, ata që papritur u përkthyen në mijëra protestues një vit më vonë. Nga erdhi llogjika dhe logjistika e kësaj revolte? Këtu mbeten dilema, teza dhe hipoteza ndër të cilat faktorët moral dhe të ditur janë pastrimi i politikës nga individët. Ndonjë arsye tjetër, do të përligjej tek krimi i rradhës shtetëror, po edhe këtu, imuniteti social nuk preket më nga skandalet. Nëse teza duhet kërkuar tek vjedhja apo blerja e votës, me dashje ose padashje njolloset morali i flamingove, ose të paktën, spekullohet mbi kurajon civile që legjitimoi këtë lëvizje. Apo ndofta, në harkun e një viti kalendarik e vetmja e re është dekonspirimi i rivalitetit brenda PS-së, ku kandidati më i mundshëm për postin e Ramës është në paraburgim, ndërkohë numri dy i qeverisë është anëtare potenciale, për t’u bashkuar me kontigjentin tjetër të aleancës së majtë në para-burgim?. Spak patjetër duhet të dijë më shumë, e ndofta mund të jetë ndër skenarët e pritshëm të kthesës politike në vend, ku i dihet. Duket e vagët teza e kërkimit të përgjigjes, tek maturimi ose pjekja e ndërgjegjes kolektive: një popull që quan revolt nxjerrjen e minorenëve në rrugë, është po ai që frikën e vetë e ka justifikuar tek pesëqind vjetë perandori osmane apo pesëdhjetë vjetë diktaturë, dhe ulëret për disidencën e pandodhur të Kadaresë.
Studentët dhe protestuesit
Revolucioni flamingo-ve vuri bashkë shumë njerëz, përtej bindjeve të majta apo të djathta, kundër klasës politike në Shqipëri. Lëvizja, që ndonjëherë përdori edhe dizinformimin si armë, përfundoi të mos nxirrte e aq më pak të propozonte një udhëheqje dhe program, arsye për të cilën ajo u shkërmoq në pak kohë. Shumë aktorë politikë u orvatën me influencat e tyre, duke marrë në përgjigje mosbesimin. Përfundimi i saj spekullon se: nisma kishte për qëllim largimin e individëve dhe jo modeleve; terrenin logjistik e kishte gati; nuk propozoi një lidership, arsye që hamendëson reagimin e momentit. Tashmë, ajo ka marrë autorësinë e protestës së pagëzuar si e studentëve. Konvertimi në emër të të rinjve, padyshim krijon një kauzë, e cila ofron një bazë morale më të prekshme dhe të qëndrueshme sesa flamingo-t. Në këtë pikë ajo ka ndryshuar strategjinë e pjesëmarrjes, duke përdorur rininë si trashëgimi historike, dhe gjeneratën Z si revolucionare. Duke marrë të mirëqenë se ata që djegin kazanët, shkatërrojnë vitrinat, shqyejnë dyqanet poshtë rrugicës, janë studentë në një vit sabatik nga Leiden-n, apo La Sapienza, pyetjet janë: a e dinë se çfarë kërkojnë, përtej kakofonisë “Rama dhe Berisha ik:?; a do të propozojnë një udhëheqje të re?, nëse po me cilën ideologji, fjalavjen e majtë, apo e djathtë, apo një parti centriste do të synojë parlamentin e Shqipërisë? Nëse regjimenti i protestuesve ka komandantin në WhatsApp, komisarin në Telegram dhe gjeneralin në Facebook, padyshim zgjidhjen e kauzës do ta imagjinojnë në platforma dixhitale paqësore, si për shembull “përputhen” ose “big brother”. Shoqëritë likuide thoshte mendjendrituri Bauman, nuk do bëjnë më revolucion për thesin me miell, por për iphone, tanimë promax 18 apo tjetrin që do të vijë.
Ngazëllimi për studentin që pretendon kullën njëzetë vjeç, nuk preku asnjë mentor të protestës që t’i mësonte se aty rrotull ka edhe ndonjë profesor me thinja, që jeton akoma në pallatet e diktaturës së viteve ’60, në pritje të ndonjë vendi me meritokraci. Por nëse leitmotivi i protestës mbetet ky, predikimi i saj duhet të lus mbajtjen e pushtetit Rama, sepse vetëm ai model të bën me kullë, ministër të jashtëm, kryetar parlamenti, hajdut të brendshëm, me mustaqe padirsur. Përdorimi i të rinjve dhe abandonimi mes kaosit dhe dhunës, shtrëngon zemrën për abuzimin ndaj naivitetit të tyre. Fatkeqësisht, shumë të rinj kanë tri dekada që mësohen si të pasurohen pa u lodhur, ndërkohë shumë të tjerë shikojnë familjet e rëna ekonomikisht, ku arroganca e kamjes ulëret hakmarrje. Kjo është e vërteta e hidhur, dhe kthesa nuk qëndron tek emri i qeverisë, por modeli që iu ofrohet duke nisur nga familja deri tek universiteti. Mungesa e pjesëmarrjes në protestë, nuk lexohet si shenjë mbështetje ndaj qeverisë, sesa indikator mosbesimi ndaj një lëvizje, pa kokë dhe bosht, që përdor një gjeneratë që vetë kanë investuar ta drejtojnë drejt mosdijes dhe manipulimit. Të gjithë dakordësohen për një qeverisje të re, por ajo duhet të propozojë një model të ri, jo një tjetër me po ata aktorë që kanë zhgënjyer deri në vjellje, po ata të rinj që largohen dhe këdo të ndershëm. Nëse ndërgjegjësimi nuk do të vijë, dhe me gjasë është i vështirë, largimi i Ramës edhe mund të jetë i mundur, gjithsesi jo sepse studentët në shesh, dhe populli nga ekrani, u ndërgjegjësuan.










Komente
Komento