Demokracia në Shqipëri lindi e vdekur

Demokracia në Shqipëri lindi e vdekur

Ish kryeministri Sali Berisha

Sot, 32 vite më pas, një konkluzion i tillë është lehtësisht më i arritshëm. Studentët, të cilët duhet të ishin në pararojë jo vetëm të ndryshimeve, por edhe të mbizotërimit të jetës politike në vend, u përdorën nga elita politike e kohës si një garniturë e shkëlqyer.

Më pas perdja ra dhe askush nuk u mundua ta fsheh më se gjithçka ishte e kurdisur sipas një plani të mirorganizuar. Edhe nëse nuk kishte një regji qendrore, ishin vetë aktorët që u kujdesën që gjithçka të ishte nën kontrollin e tyre. I yti mishin ta ha, por kockat t’i ruan. Dhe kështu u bë.

Mjafton të shohësh sot elitën politike, mediatike dhe të biznesit për të vërtetuar se gjithçka ka funksionuar perfekt. I vetmi politikan i ri, që dukej se e prishte skemën, u largua prej saj “me pekule”. Përtej kusureve që mbante mbi shpinë, ishte i vetmi që nuk kishte dalë nga paradhoma e Ramiz Alisë dhe, si i tillë, shkatërronte skemën.

Edi Rama, kryetar i PS-së dhe Kryeministër i Shqipërisë, është mjaftueshmërisht i vjetër në politikë, për të qenë një rrobë e tripsur dhe kundërmuese, për shkak të konsumit të madh dhe trashëgimisë politike. Ndonëse duket paradoksale, por i biri i anëtarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe nipi i ministrit të Enver Hoxhës, në fillimet e demokracisë ishte më radikal se pjesa më e rëndësishme e Partisë Demokratike të kohës, ndërsa sot është vazhdues i drejtpërdrejtë dhe përfituesi më i madh politik i elektoratit që përbën në pjesë të madhe vokacionin enverist.

Sali Berisha, kryetari i parë dhe i vetëm real i PD-së, është rikthyer në krye të saj dhe vijon të jetë garanti më i madh i skemës së demokracisë së kontrolluar në vend, duke e udhëhequr këtë parti, jo vetëm tani, sipas metodës së karrotës për miqtë dhe të kërbaçit me armiqtë.

Ilir Meta i ftuar në takimin e Ramzis Alisë me studentët e Universitetit të Tiranës, është rikthyer në krye të partisë që vetë themeloi në vitin 2004 dhe, pas daljes së dosjes si bashkëpunëtor i ish-sigurimit të shtetit, kristalizohet ideja se asgjë nuk ka qenë rastësore për djalin e një familjeje të thjeshtë nga Çepani i Skraparit. Pjesa tjetër e politikanëve janë thjesht zare në duart e tyre.

Kjo treshe të jep mundësinë për të bërë karrierë dhe këta të shkatërrojnë atë, ndërkohë që gjasat janë që edhe këta vetë të jenë pjesë e një skeme dhe mekanizmi më të madh, që garanton vazhdimësinë dhe paprekshmërinë e tyre.

Përveç elitës politike, e njëjta situatë është më atë mediatike dhe ekonomike. Media kujdeset të mbrojë këtë klasë politike, për shkak të përfitimeve të mëdha ekonomike, ndërsa pjesa më e madhe e të ashtuquajturve oligarkë janë ish-oficerë të regjimit të vjetër, rrjedhimisht pjesa më e indoktrinuar ideologjikisht, gjë që tregon se edhe ata nuk janë rastësisht në ato kuota ekonomike. Sigurisht jo të gjithë. Shoqëria civile është inekzistente në rastin më të mirë, ndërsa e blerë në rastin më të keq.

Për të mos folur për intelektualët, që në shumicën e rasteve, pjesa më e madhe e tyre janë trashëgimtar të mendësisë dhe filozofisë komuniste, kurse pjesa tjetër, e trembur dhe anemike. Nuk shërbejnë për asgjë. Demokracia në Shqipëri është shndërruar në një lojë bajate. Qytetarët nuk besojnë më tek ndryshimi që mund të vijë prej zgjedhjeve dhe, në vend të reagimit, kanë zgjedhur të ikin, të emigrojnë. Tallja duket se është kuptuar prej tyre dhe janë të pafuqishëm përballë kësaj makinerie gjigante që suguron vazhdimësinë e lojës duke mos prekur të ngjashmit e saj.

Ata nuk e duan qeverisjen, por nuk besojnë as tek opozita, gjë që e mban situatën të bllokuar, të pandryshuar. Nëse do të parafrazonim profesorin e shkencave politike, Ivan Krastev-in, demokracia në vend ka humbur mundësinë e saj për t’u vetëkorrigjuar dhe është kujdesur më shumë për të mbajtur të paprekur fasadën demokratike.

Qeveritë në vend janë ndryshuar, por nuk është arritur të korrigjohen politikat e tyre, sepse në këtë lloj demokracie njerëzit e kanë humbur shpresën që zëri i tyre mund të sjell ndryshim. Gjasat janë të kemi arritur në pikën që të gjithë institucionet tona kujdesen për ruajtjen e fasadës dhe të status quo-s dhe për asgjë tjetër. Ka dështuar sistemi demokratik që në pikënisje. Ai lindi i vdekur. Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe.

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 09/12/2022 00:24

    Autori duket se nuk ka majaftueshmerisht formimin per te dalluar se cfare eshte demokracia. Eshte thjesht ushtrim i pushtetit te popullit permes te zgjedhurve. Emrat qe liston jane fare pa lidhje, porse mund te konsiderohen per minimin e demokracise ne kohe te ndryshme sesa nga vijne e ku shkojne. Sic Berisha, me zgjedhjet e 1996, Nano-Gjinushi me "Dushkun" e 2001, apo vecanerisht Rama me listimin e krimineleve ne 2009 dhe 2013, e me keq, me intimidimin mafiozo-patronazhist te 2017 dhe 2021. Per dijeni te autorit, demokracia funksiononte perfekt, se paku kushtetueshmerisht, edhe ne 1945-91, me zgjedhje nominale te deputeteve. Atentati i Ramizmit e hodhi ne ere edhe kete pak vlere permes vendosjes se sistemit zgjedhor partiak, per here te pare, qe edhe komunizmi nuk guxoi te bente haptazi. Sa i perket prejardhjes, edhe bufi e kupton sesa i shtire dhe sa fallco jane maskat qe heqin e vene personazhet me lart. Vecanerisht ajo e "radikalizmit" anti "komunist" e produktit te ish byrose politike qe sot ka shkaterruar shtetin me metastazen e korrupsionit te kuq! Per ti bere qefin edhe "puthadoreve" nuk mbeten larg as "kuadri" fshatar i PP (Berisha) apo i qytetar (Nano).

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

OKB: Lufta ka shkaktuar 37 milionë ton mbeturina në Gaza, duhen 14 vite për t’i pastruar

OKB: Lufta ka shkaktuar 37 milionë ton mbeturina në Gaza, duhen 14 vite për t’i pastruar