Në qendrën rinore ‘Arka’ në Shkodër nisi ky projekt i ri për dhënien e granteve dhe mbështetjes ndaj shoqërisë civile, qytetarëve, dhe medias.Kjo nismë e fundit quhet “LëvizAlbania” dhe synon të përmirësojë ndërveprimin e qytetarëve me qeverinë vendore dhe të rrisë transparencën dhe llogari-dhënien nga ana e qeverisë vendore dhe qendrore.

Zv. Kryeministri Niko Peleshi dhe Ambasadori zviceran Christoph Graf nënshkruan marrëveshjen dhe folën për të pranishmit dhe mediat.  

E gjithë demokracia është vendore. Demokracia fillon në nivel vendor, që do të thotë në qytetet, fshatrat dhe lagjet tona”, tha Ambasadori zviceran Christoph Graf gjatë ceremonisë së hapjes.

Ai i bëri thirrje grupeve civile, organizatave jo-qeveritare, medias, dhe aktorëve të pavarur që të afrohen me projektin për financim në se kanë ide dhe propozime të cilat rrisin transparencën dhe qeverisjen e mirë.

 “Është koha që organizatat civile dhe grupet e qytetarëve në Shqipëri të lëvizin nga pozita e apatisë, e ankesave vetëm nëpër kafene apo e pjesëmarrjes vetëm në salla konferencash. Një demokraci e shëndetshme kërkon ushtrimin e kontrolleve, llogarive, dhe madje edhe të presionit atëherë kur nevojiten zgjidhje. Kur qytetarët nga çdo fshat, komunitet apo rajon të gjejnë mënyra për t’u shprehur dhe të ndihen të dëgjuar nga autoritetet, atëherë do ta dimë që demokracia po funksionon”, vazhdoi Ambasadori Graf.

Ndërsa Zv. Kryeministri Niko Peleshi vuri theksin tek roli i rëndësishëm që luan shoqëria civile në forcimin e demokracisë në vend, vecanërisht demokracisë vendore. Një bashkëpunim ndërmjet qeverisë qendrore, pushtetit lokal dhe shoqerisë civile e komunitetit në tërësi, do të sillte një adresim më të mirë të problemeve që ka shoqëria jonë.

Ai i bëri thirrje qeverisë lokale që të jetë më e përgjegjshme ndaj komunitetit dhe më e hapur ndaj shoqërisë civile. Në fund të vitit 2015 parlamenti shqiptar miratoi ligjin për Keshillin Kombëtar të Shoqërisë civile i cili do të shërbejë si një platformë dialogu dhe bashkëpunimi ndërmjet qeverisë shqiptare dhe shoqërisë civile.

Në fjalën e tij ai gjithashtu falenderoi ambasadën zviceriane për grantin prej 6 mln franga zviceriane si një kontribut i rëndësishëm por jo i vetmi i tyre, duke theksuar rëndësinë e projektit “LëvizAlbania” në pjesëmarrjen e shoqërisë civile në projektet të cilat kanë për qëllim rritjen e llogaridhënies dhe transparencës së pushteti lokal.


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)