Demokratët: Dënojeni Trumpin, ose dhuna mund të përsëritet!

Demokratët: Dënojeni Trumpin, ose dhuna mund të përsëritet!

Ish-presidenti i SHBA-së Donald Trump

Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara i përfunduan argumentet kundër ish-presidentit Donald Trump, duke u bërë thirrje senatorëve ta dënojnë atë për nxitjen e sulmit të turmës në Kongres.

Senati amerikan ka nisur këtë javë gjykimin e ish-presidentit, nën akuzat për “nxitje të kryengritjes”.

Sipas menaxherëve të procedurave të fajësimit, që veprojnë si prokurorë, retorika e rreme dhe e zjarrtë e tij për zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, ka bërë që mbështetësit e tij ta sulmojnë Kongresin, më 6 janar.

Sulmi ka ndodhur derisa ligjvënësit kanë qenë duke certifikuar fitoren e Joe Bidenit në zgjedhjet presidenciale.

“Nëse nuk luftoni si ferr, nuk do të keni më shtet”, u ka thënë Trump mbështetësve të tij atë ditë.

Pesë vetë, në mesin e tyre një zyrtar i policisë, kanë mbetur të vrarë në dhunë.

“Me përulje ju kërkojmë ta fajësoni presidentin Trump për krimin e kryer”, tha përfaqësuesi demokrat, Joe Neguse.

“Nëse nuk e fajësoni, nëse pretendojmë se kjo nuk ka ndodhur - ose, edhe më keq, nëse e lëmë pa përgjigje - kush thotë se nuk do të ndodhë përsëri”, pyeti ai.

“Askush nga ne nuk e ka imagjinuar se do të përballeshim me rrezik vdekjeprurës nga një turmë e nxitur nga presidenti i Shteteve të Bashkuara”, tha përfaqësuesi tjetër demokrat, David Cicillin.

Ai po ashtu tha se disa protestues të dhunshëm kanë pranuar se kanë planifikuar të vrasin ish-nënpresidentin Mike Pence dhe kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, ndërsa të tjerët, sipas tij, kanë folur për vendosjen e ligjvënësve në bodrum dhe për “lëshimin e gazit”.

Avokatët e Trumpit do të kenë 16 orë kohë për të paraqitur mbrojtjen e tyre, nisur nga sot, megjithëse disa ndihmës kanë thënë se ata mund t’i përfundojnë argumentet e tyre brenda një dite.

Votimi në Senat, për fajësimin ose jo të Trumpit, mund të zhvillohet më 13 shkurt.

Sipas një sondazhi të kryer nga ABC News dhe Qendra e Kërkimeve Ipsos, shumica e amerikanëve - 56 për qind - duan që Senati amerikan ta dënojë Trumpin dhe, në këtë mënyrë, ta ndalojë atë të udhëheqë ndonjë zyrë publike në të ardhmen.

Dhoma e Përfaqësuesve, e kontrolluar nga demokratët, ka votuar për shkarkimin e Trumpit pak ditë para se ai të përfundonte mandatin presidencial, më 20 janar.

Për ta shpallur fajtor atë duhen dy të tretat e votave të Senatit 100-anëtarësh.

Fajësimi duket se nuk ka gjasa, pasi shumica e senatorëve republikanë i kanë qëndruar besnikë ish-presidentit.

Duke iu bërë jehonë qëndrimeve të tyre, senatori Marco Rubio tha për Fox News se sulmi në Kongres ishte “i tmerrshëm”, porse fajësimi i Trumpit nuk është i përshtatshëm, duke qenë se ai nuk është më në detyrë.

Në vitin 2019, Trump është përballur edhe me një proces tjetër të gjykimit, nën akuzat se i ka bërë presion Ukrainës për të zbuluar informacione të dëmshme për Joe Bidenin, i cili pritej të ishte rival i tij në zgjedhjet e vitit 2020. Senati nuk e ka fajësuar Trumpin në atë proces./ REL

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja