Kreu i Gjyqësorit të Iranit, Gholamhossein Ejei, është shprehur se nuk do të ketë mëshirë për protestuesit që prej disa ditësh janë ngritur në demonstrata masive në qytete të ndryshme të vendit.
“Ne do të përballemi me vendosmëri me ata që shfrytëzojnë klimën aktuale”, tha Ejei, shkruajnë mediat e huaja.
Ai shtoi gjithashtu se do Irani do të përballet me këdo që kërkon të shfrytëzohë klimën aktuale për të inkurajuar trazirat dhe për të minuar sigurinë e vendit.
"Ne i dëgjojmë ata që protestojnë për situatën ekonomike dhe sociale, por do të përballemi me vendosmëri me ata që kërkojnë të shfrytëzojnë klimën aktuale, duke inkurajuar trazirat dhe duke minuar sigurinë e vendit", paralajmëroi Ejei.
"Ne nuk do të heshtim përballë individëve e protestuesve rebelë dhe nuk do të ketë asnjë butësi ndaj tyre", kërcënoi ai.
"Kam urdhëruar Prokurorin e Shtetit dhe prokurorët në të gjithë vendin të marrin masa të ashpra kundër protestuesve dhe atyre që u sigurojnë atyre pajisje dhe ambiente, në përputhje me ligjin dhe pa asnjë butësi", shtoi Ejei.
"Duke pasur parasysh që regjimet amerikane dhe sioniste kanë mbështetur zyrtarisht dhe hapur kryengritjet aktuale në Iran, nuk do të ketë më justifikime për protestuesit që të pretendojnë se janë mashtruar", përfundoi Ejei kërcënimet ndaj protestuesve.
Komente









