Një tentativë grabitjeje gjatë natës së djeshme ka dëmtuar Urën e Milotit, duke rrezikuar përkohësisht sigurinë e qarkullimit në këtë aks.

Autoriteti Rrugor Shqiptar bën të ditur se fugat metalike të urës janë dëmtuar qëllimisht, ndërsa inxhinierët janë dërguar sot në terren për verifikim.

Sipas ARRSH, ndërhyrja përbën jo vetëm dëmtim të pronës publike, por edhe rrezik për mjetet që kalojnë në këtë segment.

Ngjarja i është referuar Policisë së Lezhës, ndërsa dëmtimi është riparuar nga grupet e mirëmbajtjes dhe qarkullimi në Urën e Milotit vijon normalisht.

Njoftimi i plotë i ARRSH-së

"Autoriteti Rrugor Shqiptar është njoftuar mëngjesin e sotëm nga kompania kontraktore e mirëmabjtjes, lidhur me një dëmtim të qëllimshëm në Urën e Milotit dhe ka dërguar menjëherë inxhinierët e tij në terren për verifikimin e situatës. Nga verifikimet rezulton se fugat metalike të urës janë dëmtuar si pasojë e një tentative grabitjeje gjatë orëve të natës. Ky akt është referuar menjëherë pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, pasi përbën jo vetëm dëmtim të pronës publike, por edhe rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë e mjeteve që qarkullojnë në këtë aks rrugor. Aktualisht, dëmtimi është riparuar nga grupet e mirëmbajtjes dhe qarkullimi në Urën e Milotit vijon normalisht"