Kohëve të fundit “deep state” ka fituar një popullaritet në botë, në veçanti si pasojë e Presidencës së Donald Trumpit, i cili e ka bërë luftimin e “deep state-it” njërin nga objektivat e tij kryesorë qeverisës. Ndonëse term relativisht i ri, ai tenton të përshkruajë një situatë të vjetër aq sa edhe njerëzimi. Sot i themi “deep state”, dikur i kemi thënë elitat, por thelbi ngelet i njëjtë. Flasim për një situatë ku disa njerëz të padukshëm për publikun kontrollojnë jetën publike dhe vendimet kyçe shtetërore. Kësisoj i gjithë procesi demokratik humb kuptimin.
Ndonëse shëndeti i demokracisë në komunitetin perëndimor është projekt çdo ditë në ndërtim e sipër, akuzat ekstreme që i janë bërë për fuqinë joproporcionale të elitave në proceset vendimmarrëse kanë qenë çdo herë të paarsyeshme dhe kryesisht të militarizuara për qëllimet zgjedhore. Fajësimi i një gogoli për çdo gjë të keqe që ndodh në vendin tënd është strategji e mirë për të fituar vota dhe për të ikur nga diskutimi i vështirë për rregullimin e problemeve strukturore shoqërore.
Kjo nuk do të thotë se brenda sistemeve demokratike nuk ka persona dhe aleanca të cilat ushtrojnë, apo do të dëshironin të ushtronin, pushtet të ndjeshëm në proceset vendimmarrëse – mendoni për oligarkët, liderët e partive politike, etj. – por pushteti i tyre në shoqëritë demokratike kufizohet nga sistemet e kontrollit dhe balansit institucional, zgjedhjet e lira dhe fer, konkurrenca brenda dhe ndër partiake, gjyqësori i pavarur dhe media të lira. E gjithë kjo nuk eliminon, por patjetër kufizon mundësinë e ndikimit të personave të pazgjedhur në vendimet kyçe shtetërore. Kjo është arsyeja përse në shoqëritë perëndimore demokratike asnjë lider nuk ka arritur të uzurpojë fronin e pushtetit, por ka qenë i obliguar të hapë rrugë për ndryshimet. Po kështu kjo është arsyeja përse në ekonomitë perëndimore bizneset nuk kanë asgjë të garantuar nga ana e shtetit. Çdo gjë duhet të fitojnë vetë.

Një ditë mund të jenë më të suksesshme në botë. Ditën tjetër mund të kolapsojnë. Dikur ishte NOKIA, sot është APPLE. Dikur ishte FORD, sot është TESLA. Pra struktura gjenetike e demokracive asnjëherë nuk ka lejuar kapjen e saj nga personat dhe interesat e veçanta, të cilat do ta asgjësonin vullnetin e qytetarëve.
Por kështu nuk është në vendet jodemokratike. Merrni shembull Rusinë. Në gjuhën ruse fjala “sistema” përshkruan një sistem okult të qeverisjes ku ndonëse ligjet, procedurat dhe zgjedhjet ekzistojnë, ato u nënshtrohen fuqive të padukshme të cilat kontrollojnë dinamikat kyçe të vendit. Ato mbështeten kryesisht në aparatin e forcës dhe janë pikërisht ato të cilat kanë mbajtur levat e pushtetit përkundër ndryshimeve radikale të shoqërisë ruse nga perandoria, te Stalini, te Gorbachovi, te Jeltsini, dhe deri te Putini. Liderët kanë ndryshuar, por “sistema” ka ngelur e njëjtë. Mes ekzekutimit të Trotskyt dhe Navalnyt, e vetmja gjë që ka ndryshuar është koha. Të gjitha gjërat e tjera kanë ngelur të njëjta. Thënë ndryshe çdo lider rus ka kuptuar që përderisa ka mbështetjen e sistemit të sigurisë është totalisht e parëndësishme sa qytetarë sovjetikë do të vdesin si pasojë e kolektivizimit, apo sa qytetarë rusë do të arrestohen për shkak të protestave. Në thelb, këto janë vetëm ngjarje që thjesht duhen menaxhuar.
Nga kjo edhe rrjedh koncepti modern rus i “demokracisë së menaxhuar”. Është kurioze që në plotësimin e formularit të regjistrimit të popullsisë të vitit 2002 Putini ka përshkruar profesionin e tij si “menaxher i cili i ofron shërbime popullit”. Është ironi e bukur e jetës që po kështu edhe Tony Soprano përshkruante vetën. Formësimi kryesor profesional në jetën e Putinit është shërbimi në KGB dhe askush më mirë se ai nuk e kupton rëndësinë e “sistema” në menaxhimin e shtetit. Rrjedhimisht edhe vetë Putini e kupton që është në një sens i parëndësishëm. Ai do të shkojë, “sistema” do të ngelë.
Motoja e shërbimit sekret të shtetit të Serbisë (BIA-së) është “Çdo gjë ndryshon, por ne ngelim”. BIA është mishërim më i mirë e asaj që rusët quajnë “sistema”. Ndikimin e tyre në jetën publike në Serbi ata më as nuk e fshehin. Krenohen me këtë publikisht.
Në historinë moderne serbe, BIA ka përcaktuar fatin e çdo politikani serb. Millosheviqi ra vetëm pas humbjes së mbështetjes së sistemit të sigurisë. Gjingjiqi erdhi vetëm pasi mori bekimin eksplicit të sistemit të sigurisë. Kur ai u kthye kundër sistemit, po i njëjti e ekzekutoi. Duke mësuar nga fati i Gjingjiqit, Vuçiqi kuptoi kufijtë e pushtetit të tij dhe ngriti aleancë dhe partneritet zori me sistemin e sigurisë. Ai pranoi pushtetin e tyre, ata pranuan dobinë e tij. Kjo është arsyeja përse asgjë nuk ndryshoi pas revolucionit demokratik të 5 tetorit në Serbi. Ndonëse në sipërfaqe përshtypja ishte se ndodhi përmbysja e një sistemi, në thelb asgjë nuk kishte ndryshuar. Pushteti mbeti në duar të “sistema-së”.
Këtë fundjavë në Serbi u mbajtën protestat më të mëdha në historinë serbe. Vlerësimi më konservator vlerëson se në rrugë kishin dalë 250,000 qytetarë. Edhe në këtë moment, më të vështirin për Vuçiqin, ai përsëri u kthye për ndihmë te “sistema”. Shërbimi sekret serb tentoi të inskenojë kaos në mesin e protestuesve duke përdorur armë të ndaluar – top ushtarak zanor – për të krijuar panik dhe stampedo në mesin e qytetarëve me shpresën se kjo do të dëmtonte adutin kryesor të protestave: imazhin e tyre paqësor. Tragjedinë e parandaloi vetëm fati dhe vetëpërmbajtja e protestuesve.
Po të kishin shkuar gjërat sipas planit të BIA-së në protestë, është dashur të vriten dhjetëra njerëz. Kjo do të ishte arsye e mjaftueshme për sistemin e sigurisë që të delegjitimojë protestën dhe të kufizojë veprimet e tyre. Kësisoj, sot në vitin 2025, studentët e gjejnë veten në të njëjtën pozitë ku Gjingjiqi gjeti veten në vitin 2003. Dikur pengesa kryesore e Gjingjiqit për ndryshimin e Serbisë nuk ishte Millosheviqi, por sistemi serb i sigurisë. Sot pengesa kryesore e studentëve për ndryshimin e Serbisë nuk është Vuçiqi, por sistemi serb i sigurisë.
Ajo çfarë ndodhi këtë fundjavë patjetër është fillimi i fundit të regjimit të Vuçiqit, ajo është tani vetëm çështje kohe, por njerëzit nuk duhet të konfuzojnë fundin e Vuçiqit me fundin e sistemit militant serb. Sikur Millosheviqi dhe Gjingjiqi, ashtu edhe Vuçiqi do të shkojë, por “sistema” do të ngelet. Sistemi serb i sigurisë do të gjejë mjetin e vet të ardhshëm politik, i cili sikur paraardhësit e tij do të pranojë të jetë instrument për realizimin e qëllimeve të tyre ose do të vritet. Dhe këtu unë shoh vështirësinë më të madhe për suksesin e protestave demokratike në Serbi. Thënë ndryshe, armiku kryesor i studentëve është sistemi serb i sigurisë, dhe jo Vuçiqi. Vuçiqi do të shkojë, ata do të ngelin./Koha
S.B/Shqiptarja.comKomente

