Në një intervistë për gazetën "Shqiptarja.com", ish-kreu i Kushtetuese Fehmi Abdiu është shprehur kundër kërkesës së Berishës që të aplikohet dënim fiks i përjetshëm për vrasësit.

Berisha në disa deklarimet radhasi ka kërkuar dënim të përjetshëm pa vendim alternativ për të gjithë ata që vrasin gratë dhe vajzat. Sa kushtetuese është kjo?
Si kryeministër, atij dhe personaliteteve të tjera të shtetit, natyrisht ua kërkon koha dhe përgjegjësia që kanë, që të japin opinionet e mendimet e tyre për të luftuar kriminalitetin. Si qytetar, si shtetas si udhëheqës gjithashtu kanë detyrime që të marrin masa organizative, ligjore domosdo me ekzekutivin që kryeson, me organet e posaçme për të parandaluar kriminalitetin. Sepse ky i fundit, veçanërisht krimet me rrezikshmëri të theksuar shoqërore, ku unë do veçoja rastet për hakmarrje, gjakmarrje, vrasjet për motive të dobëta, vrasjet në familje, të miturve, përdhunimet etj si këto, dukeshëm janë rritur Shqipëri.

Të kërkojë dhe dënim fiks...?

Në dëshirën dhe vullnetin e vet për t'i bërë jehonë një lufte me të ashpër kundër krimit, për të bërë thirrje për t'u ashpërsuar politika e goditjes, për tu bërë thirrje hetuesve, prokurorëve dhe gjyqtarëve që të jenë më të përgjegjshëm, më dinamikë, më cilësorë, më qytetarë dhe më shtetarë në këtë luftë, ai si jo rrallëherë shkon, ka shkuar dhe herë të tjera, dhe përsërit një ide e cila është disi e vjetër, për nevojën dhe domosdoshmërinë e vendosjes së dënimeve fikse me burgim të përjetshëm. Ky problem është diskutuar mjaft herë në luftën kundë krimit, që në kohën kur qeveria e ish-Presidentit Berisha e mazhoranca e tij vendosën dënime fikse në Kodin penal në vitin 1996 dhe e aplikuan para se të hiqej dënimi me vdekje, duke dhënë shumë herë dënim me burgim të përjetshëm. Herë herë madje dhe duke aplikuar atë pa dënime alternativ.

Por pse u mbyll...?

Këtë praktikë njëherë e mirë e mbylli përmes anulimit Gjykata Kushtetuese, dhe jo gjykata e soicialistëve siç dëshiron ta quajë Berisha këtë gjykatë në kohën kur e kryesoja unë, por gjykata Kushtetuese që në atë kohe që kryesohej nga zoti Rustem Gjata, një kryetar që e kishte emëruar mazhoranca e asaj kohe e drejtuar nga vetë Berisha. Unë jam shumë dakort se sot ka shumë vend për të ndryshuar mentalitetin e hetuesve, prokurorëve, gjyqtarëve dhe të gjithë aktorëve që merren me luftën kundër krimit dhe të gjithë këta duhet të forcojnë goditjen kundër krimit, sepse gjithë kjo është një reflektim ndaj ashpërsisë dhe dinamizmit të kryerjes së krimit. KLD ka për detyrë të kontrollojë eficencën e politikës penale, veçanërisht për krimet shumë të rënda.

Si mund të realizohet kjo...?
Pra kjo punë duhet bërë nga të gjithë këto subjekte në unison duke u ndergjegjësuar dhe duke detyruar aty ku është rasti, gjyqtarë e prokurorë neglizhentë për të zbatuar ligjin dhe për aplikuar kur është rasti masën e një lloj dënimi të përshtatshëm në raport me rrezikshmërinë shoqërore të veprës penale, që thamë që janë shumë të rënda dhe të subjekteve që shumë herë janë përsëritës që janë njerëz me predispozicion dhe të dhëna negative të karakterit dhe personalitetit të tyre, që s'janë korigjuar dhe nuk kanë reflektuar në veprimtarinë e tyre. Pra ne duhet të përmirësojmë këtë problem, por pa rënë në një gabim tjetër.

Por si duhet të veprojmë konkretisht...?
Duhen të bëhen analiza nga të gjitha nivelet e gjyqësorit dhe të organit të akuzës për të dalë në problematika të tilla, të cilat të imponojnë me domosdo që politika penale, që dhe unë kam mendimin që sot është herë herë e butë, të ndryshojë. Ne, veç të tjerave, në legjislacionin procedurial duke adaptuar një formulim që natyrisht është demokratik, kemi aplikuar dhe aplikojmë sipas kodit të procesurës penale, gjykimin të shkurtuar për rastet gjoja të veçanta. Pa hyrë në detaje të elementëve të gjykimnit të shkurtuar, si duhet duhet të kuptojmë, ai bëhet me pëlqimin e prokurorit dhe me vendimin e gjykatës, unë do të thoja se me ligj duhet të ndryshojë dispozita që bën fjalë për gjykimin e shkurtuar ose të amendohet që të mos lejohet gjykimi i shkurtuar për krimet shumë të rënda, pra dhe për vrasjet ndaj grave, gjakmarrjen, hakmarrjen, vrasjen për motive të dobëta. Ky kufizim dhe pse në pamje të parë duket sikur prek ndonjë të drejtë të ndonjë personi që gjykohet, mendoj se do ishte shumë i përligjur në këto kushte, sepse do ti bënte jehonë dhe mbrojtje interesave publike dhe mbarëqytetare. Mund të ishte provizor, por sot për sot mund të ishte mjaft i domosdoshëm.

Po masë tjetër...?

Subjektet që gjykohen për këto vepra, qoftë dhe mbi bazën ë gjykimit të shkurtuar, sipas mendimit tim, duhet të përjashtohen nga e drejta e faljes, nga e drejta e amnistisë si dhe lirimi para kohe me kusht dhe benifice të tjera. Për aq kohë sa ne gjendemi në këto kushte mjaft të rënduara të kriminalitetit, nuk dëmtohen, përkundrazi mbrohen interesat mbarëshoqërore duke kufizuar interesat e disa personave, të cilët duhet të krijojnë bindjen që duke u gjykuar dhe dënuar për këto vepra qoftë dhe me burgim të përjetshëm, por jo në mënyrë kategorike, duhet ta mendojnë se dënimin do ta kryejnë deri në fund një më një. Dhe ata që janë me burgim të përjetshëm mund të mos dalin ta shohin më rrezen e diellit të lirë. Në këto raste them se politika penale mund të ishte më eficente e më e dobishme për Shqipërinë, shqiptarët, jetën e njerëzve të vet, të turistëve dhe të huajve, për të krijuar një imazh sa më pozitiv për ne e drejtësinë tonë, e cila për shumë shkaqe lëngon.

(Intervista u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)