TIRANË - I kërkuar nga Turqia si Gylenist, dënohet nga drejtësia shqiptare me një vit burg.
Dënohet me 1 vit burg nga Gjykata e Tiranës, Selami Simsek, 40-vjeçari turk i ndaluar nga autoritetet shqiptare në aeroportin e Rinasit, pasi donte të shkontë në Kanada me vizë të falsifikuar.
Gjyqtari Ahmet Metaliaj, vendosi deklarimin fajtor për falsifikim të pasaportave dhe vizave dhe dënimin e Selami Simsek me 18 muaj burgim, por për shkak se atij i ishte pranuar gjykimi i shkurtuar, dënimi ulet me 1/3-ën dhe përfundimisht dënohet me 12 muaj. Avokati i turkut, tha se dënimi që kërkon Prokuroria është shumë i rëndë. "Ai ka bërë 10 muaj paraburgim dhe kërkojmë dënimin me kohën e paraburgimit", tha pala mbrojtëse.
Në dëshminë e tij ka thënë më herët se ka paguar 5 mijë euro për ta marrë vizën e falsifikuar, ndërsa pasaporta turke ka qenë në rregull. Simsek u ndalua 5 muaj më parë në Rinas ku kishte prerë një biletë udhëtimi drejt Torontos.
Ai u arrestua bashkë me shokun e tij, mësuesin turk Harun Çelik në muajin korrik 2019. Por ky i fundit, pasi kreu dënimin tonë në vendin tonë me 5 muaj burg, u dëbua nga vendi dhe u ekstradua në Turqi pas dyshimeve dhe akuzave nga shteti turk se është gylenist.
Më 8 janar, Selami Simsek ka kërkuar azil politik në shtetin shqiptar, me argumentin se në Turqi e konsiderojnë pjesëtar të lëvizjes "Gulen" dhe mund ta keqtrajtojnë. Pritet që për këtë kërkesë të merret një vendim nga autoritetet shqiptare, Ministria e Brendshme si institucion përgjegjës.
Selami Simsek, prej momentit të arrestimit në muajin korrik 2019, ndodhej në paraburgim në institucionin e vuajtjes së dënimit tek "Mine Peza" numër 302, ndërsa autoritetet turke kërkojnë ekstradimin e tij në Turqi.