Kreu i LZHK, Dashamir Shehi ka sqaruar se kur Basha flet për oligarkët trajton fenomenin dhe nuk e ka për detyrë të jap emra. Sipas Shehit kjo i takon prokurorëve që të thonë emra dhe jo Bashës.

“Nuk është në detyrë të kryetarit të partisë të thotë emrat e oligarkëve. Emrat e oligarkëve duhet t’i thonë ata që merren me hetimet, prokurorët, opinionistët, gazetarët, jo Basha. Ne e trajtojmë luftën me oligarkët si fenomen, nuk merret kryetari i partisë me personin, sepse do të quhej ndërhyrje”, deklaroi Shehi në një intervistë për Top Channel.

Edhe pse Basha akuzat se qeveria i ndan paratë e shqiptarëve me koncesione që ia jep oligarkëve i përsërit prej muajsh të tërë, nuk ka folur kurrë me emra. Por përtej akuzave që ai bën për oligarkët të cilët i quan të Ramës, ndaj tij ka pasur gjithashtu akuza se ka përfituar prej tyre vila. Këto akuza i kanë ardhur nga kritikja e tij më e madhe Jozefina Topalli dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.