Depresioni te fëmijët, si
t’i kuptojmë simptomat

Depresioni te fëmijët, si<br />t’i kuptojmë simptomat
Depresioni është një fenomen i hasur shpesh në kohët e sotme. Dikush i lodhur nga intensiteti i ditës e dikush tjetër i vetmuar si pasojë e një kulture moderne gjithnjë e më individuale.

Fëmijët, me lidhje të dobëta familjare si dhe problemet social- kulturore përgatisin një terren të favorshëm për shfaqjen e depresionit në formën e traumave dhe çrregullimeve psiko-fýzike.

Nëse fëmija ka një prind me depresion, ka një përqindje nga 25% deri në 50% për të qenë dhe vetë i tillë, ndërsa për ata fëmijë që prindërit u vuajnë herë pas here nga depresioni, mundësia rritet deri në 75%.

Por depresioni më tepër i atribuohet kushteve të jashtme se sa gjeneve. Situatat traumatike në jetë si braktisja, dhuna në familje, problemet kronike në shkollë, divorci i prindërve ose edhe lindja e një fëmije tjetër në familje, rezultojnë në depression te fëmijët që janë në periudhën e formimit. Mërzitja ose vuajtjet e lehta nuk janë domosdoshmërisht depresion.

Nëse femija ndihet i trazuar, nuk është për t'u shqetësuar, por nëse kjo situatë zgjat me javë dhe kjo ndikon dhe marrëdhëniet që fëmija ka me ambientin që e rrethon mund të quhet klinikisht depresion. Gati shumica e fëmijëve në depresion nuk shprehen që janë të pa kënaqur, por kanë mungesë dëshire për të luajtur, qajnë shpesh, kanë probleme me të ushqyerit dhe orarin e gjumit, irritohen kur u flasin ose i prekin.

Në mosha pak më të mëdha depresioni është më shumë se sa një gjendje e paqëndrueshme shpirtërore, kjo shoqërohet me një pesimizëm të theksuar, e bëjnë njeriun të ndihet i pashpresë, i pandihmueshëm, i pavlefshëm, shpesh duke folur dhe për vdekjen ose vetëvrasjen. Vihet re ngadalësim i të folurit dhe i lëvizjeve si edhe momente euforie të papritura.

Humbja e përqëndrimit, irritimi kronik, performanca e dobët në mësime, vështirësia për t`u shoqëruar me moshatarët janë pasoja që duhet të tërheqin vëmendjen e prindrit për të marrë masat e duhura.

Fëmijëria e hershme është periudha e cila mendohet si periudhë pa brenga dhe e lumtur, por sipas hulumtimeve të fundit thuhet se depresioni mund të paraqitet edhe tek parashkollorët madje edhe tek fëmijët e moshës tre vjeç.

HIPERAKTIVITETI (ADHD)

Fëmijët, të cilët janë hiperaktivë dhe kanë mungesë përqendrimi të theksuar, janë të lëvizshëm, shpërqendrohen shpejt, nuk mund t'i ndalosh gjatë aktivitetit të tyre të rrëmbyer dhe e kanë të pamundur të presin, qoftë edhe pak sekonda. Shfaqin shenja padurimi, nervozohen dhe lëndohen shumë shpejt. Sa më shumë të përballen me ambiente të reja dhe të ndihen të huaj në të, aq me të vështirë e kanë të heqin dorë nga veset kapriçioze.

SIMPTOMAT E FËMIJËVE HIPERAKTIVË DHE ME MUNGESË PËRQËNDRIMI

Kanë mungesë përqendrimi, kohëzgjatjen e përqendrimit e kanë të limituar, gjatë studimit janë shumë të ndjeshëm nga bezdisje të vogla mjedisore, meditojnë për diçka tjetër duke parë drejt tabelës së klasës ose duke të parë në sy.

Këta fëmijë e kanë të pamundur të rrinë në një vend dhe të dëgjojnë me qetësi. Ata lëvizin sa majtas-djathtas të shpërqendruar pa asnjë qëllim. Luajnë me duar dhe gishta, kërcasin gishtat, hanë thonjtë, zhgaravisin diku ose godasin me ndonjë mjet për të nxjerrë një zhurmë ritmike. Mundohen në të njëjtën kohë të bëjnë shumë gjëra (kur mësojnë, shikojnë televizor, ose, gjatë mësimit, bëhen pjesë e një diskutimi të bërë në shtëpi).

Para se të fillojnë një punë, nuk mendojnë gjatë për përfundimin e saj.

DISA SHEMBUJ:

Kur mësuesi i drejton një pyetje klasës, ata përgjigjen pa mbaruar pyetja, ose, duke ecur në rrugë, papritur dalin para automjeteve po kështu, edhe kur kritikohen mërziten.

Mendimi se nuk i kuptojnë të tjerët, i shtyn që të bëhen të ndjeshëm dhe të mbyllur në vetvete. E vuajnë shumë kritikën e bërë në publik.

Fëmijët hiperaktivë arrijnë kulmin e shpërqendrimit të tyre në moshën 7-8 vjeç. Duke filluar nga mosha 9 vjeç, dalëngadalë ndërgjegjësohen dhe fillojnë të tërhiqen nga lëvizjet e tepërta, por, tashmë, të qenit i shpërqendruar dhe i hallakatur, është një pjesë e karakterit të tyre që vazhdon gjatë gjithë jetës.

SI TI NDIHMOJMË?

1. Të mos u vëmë në dukje çdo veprim të gabuar.

2.Është e rëndësishme që ky fëmijë të kuptojë se është si gjithë të tjerët, ka kapacitet për të qenë i suksesshëm.

3.Nuk u duhen kursyer lëvdatat.

4.Gjithashtu nuk duhet t'u kursejmë kritikat dhe t'u shpjegojmë që “Saktësia në jetë është më e rëndësishme se shpejtësia.

Shkrimi u botua sot në Suplementin Shëndeti në gazetën Shqiptarja.com (print) 18.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Dhunuan fizikisht një person dhe i dëmtuan makinën, në pranga 28-vjeçari, në kërkim xhaxhai i tij

Vlorë/ Dhunuan fizikisht një person dhe i dëmtuan makinën, në pranga 28-vjeçari, në kërkim xhaxhai i tij