Deputetët i kërkojnë dorëheqje pas humbjes, Basha hesht! 2 dorëheqje brenda PD, ikën dhe Açka! Salianji: Ka humbur mbështetjen si kryetar, barrë e rëndë për opozitën

Humbja e 6 marsit zhgënjeu deputetët e Bashës të cilët në bllok i kërkuan dorëheqjen. Për kërkesën e përsëritur të grupit të tij parlamentar për dorëheqje, kryedemokrati zgjodhi të shmangte komentin para gazetarëve.

Deputeti Ervin Salianji e quajti barrë të rëndë për PD vijimin e drejtimit të kësaj force politike nga Lulzim Basha. Nëpërmjet një stausi në rrjetet sociale, ai tha se kreu i PD është përgjegjësi kryesor për humbjen e zgjedhjeve.

Në total janë rreth 15 deputetë nga 42 që ka grupi i PD që një mbrëmje më parë i kërkuan dorëheqjen kreut të PD, Ferdinand Xhaferri, Agron Gjekmarkaj, Helidon Bushati, Ilda Dhori, Dashnor Sula, Emilia Koliqi, Kasem Mahmutaj, Xhelal Mziu, Ramadan Lika, Lefter Gështenja, Elda Hoti, Ervin Salianji dhe Flutura Açka.

Në mbledhjen e djeshme që zgjati plot 8 orë, ata kërkuan hapjen e një procesi të ri zgjedhor në PD si e vetmja rrugë për shpëtimin e partisë.

Krahas deputetëve që e kritikuan ashpër, kishte mes tyre nga ata që kërkuan një shans të dytë për kryedemokratin.

Orjola Pampuri, Arbër Agalliu, Kreshnik Collaku dhe Enkelejd Alibeaj i qëndruan mendimit, se përgjegjësia për situatën në PD është e përbashkët.

Ndërkohë humbja e 6 marsit prodhoi edhe 2 dorëheqje brenda organeve drejtuese të PD. Pas Agron Gjekmarkajt që një mbrëmje më parë dha dorëheqjen si nënkryetar, të martën në mesditë edhe Flutura Açka njoftoi dorëheqjen nga kryetare e komisionit të Apelimit dhe Kryesisë së PD.

Ky zemërim në radhët e demokratëve erdhi pasi Partia Demokratike në drejtimin e Lulzim Bashës pësoi humbjen e 6 radhazi në zgjedhje. PD-ja doli forcë e 3-të në 5 Bashki (përveç Rrogozhinës), duke u mundur jo vetëm nga Partia Socialiste dhe Edi Rama, por edhe nga ish-aleati i tij, Sali Berisha që i mori Bashkinë e Shkodrës me Bardh Spahinë. Basha refuzoi që këtë ta quante humbjen e radhës, duke thënë se ai "nuk kishte humbur në jetën e tij asnjë garë, por thjesht ishte përballur me masakra elektorale" e ku 6 marsin e quajti 'kurth'.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:45
Deputetja Ilda Dhori i kërkon dorëheqjen Bashës: PD ka nevojë për një lider të ri

Deputetja e PD-së, Ilda Dhori, është rreshtuar në radhët e deputetëve të cilët i kërkojnë dorëheqjen Lulzim Bashës, pas humbjes së 6 bashkive në zgjedhjet e 6 marsit, ku doli forcë e tretë. Dhori shkruan PD ka nevojë për një lider të ri dhe të pranuar nga çdo demokrat.

Postimi i plotë i Ilda Dhorit

Te nderuar miq, te dashur demokrate!

Jemi te gjithe deshmitare te nje rrugetimi te veshtire, prej shtatorit, te familjes sone politike, Partise Demokratike te Shqiperise, duke na çuar ne shtigje pa krye!

Me keqardhje kam pare e ndjere nga afer, urrejtje mes demokrateve te sakrifices, te cilet kane luftuar perkrahe njeri- tjetrit, pergjate opozites se gjate e te veshtire te PD.

Sot demokratet jane te perçare me shume se kurre;

Duke luftuar me njeri tjetrin dhe karrigen e kryetarit, harruam armikun e vertete te shqiptareve dhe demokracise, kete regjim, qe po na merr frymen çdo dite ne vendin tone, duke detyruar shumekend ta braktise Shqiperine tone, pa mundesi zgjedhjeje.

Rezultatet e 6 marsit treguan qarte, se sigla e PD ka humbur vleren dhe fuqine e saj;

Demokratet ne shumicen e tyre, per here te pare nga themelimi i saj, braktisen siglen e PD, siglen e sakrifices se tyre shumevjeçare!

Ne 6 mars, çarja e PD ne dy copeza, pavaresisht dimensioneve, na beri te qarte si drita e diellit, mua, çdo demokrati e shqiptari, se te ndare nuk jemi alternative per njerezit;

Te ndare nuk jemi alternative per shqiptaret;

Te ndare, madje nuk jemi alternative as per demokratet, ku ndoshta nje pjese e vogel e tyre, bazuar ne rrethanat specifike, kane humbur shpresen dhe kane zgjedhur te votojne regjimin;

TE NDARE, PO LARGOJME SHPRESEN E DEMOKRATEVE DHE SHPRESEN E SHQIPTAREVE!

Mendoj se 6 marsi duhet te sherbeje si nje leksion i forte, per te pare e lexuar realitetin, dhe per te marre vendime konkrete, radikale,secili prej nesh, me qellimin e vetem, ate te perbashkimit te te gjithe demokrateve, e pas kesaj te gjithe shqiptareve, duke pare tek PD alternativen reale per vendin!

Personalisht kam kerkuar publikisht, per gjithesecilin pavaresisht pozicionimit pergjate muajve te fundit, te dalim pertej egos personale, duke filluar nga z.Basha, i cili duhet te dorehiqet nga funksioni si kryetar i PD, bashkimin e te gjithe demokrateve dhe çuarjen e PD ne nje proçes zgjedhor model, meritokratik, duke respektuar vullnetin e çdo demokrati te thjeshte!

PD ka nevoje per nje lider te ri, te pranuar, zgjedhur e respektuar nga çdo demokrat e demokrate!

BASHKIMI, RESPEKTI DHE VLERESIMI BRENDA FAMILJES SONE, eshte guri i pare i themelit, per te ngritur nje PD TE FORTE, ALTERNATIVE KONKURUESE DHE FITUESE, NDER SHQIPTARET!

Ora 14:02
Flutura Açka: Largohem nga të gjitha postet e mia në PD! Opozita të vijë në binarët e reformimit

Kryetarja e Komisionit të Apelimit, Integritetit dhe Etikës në PD, Flutura Açka ka dhënë dorëheqjen nga funksionet e saj në parti. Në një shkrim të gjatë në rrjetet sociale, Açka nënvizon se dëshiron që opozita të vihet në binarët e reformimit të saj të shpejtë, për t’u kthyer në shpresa e vetme e shqiptarëve për të shpëtuar nga regjimi putinist.

‘Heq dorë nga postet e mia në parti (anëtare kryesie dhe Kryetare e Komisionit të Apelimit dhe Integritetit), pasi as i kam ushtruar kushedi se çfarë, as jam një njeri me një staturë të dukshme politike, por edhe dua që Opozita të vijë në binarët e reformimit të saj të shpejtë, për t’u kthyer në shpresa e vetme e shqiptarëve për të shpëtuar nga regjimi putinist ku po akaparohet me nxit Shqipëria. Unë jam deputete që mezi më rri zhguni politik dhe do të shërbej në atë front ku fjala më bën vend e hija më bën peshë dhe nuk do të jep pjesë e pjesëve të PD-së, por deputete e PD-së së bashkuar.’- shkruan Açka.

Postimi i plotë

Tek gdhihej 8 marsi… i vështirë i PD-së

Nëse nuk ikën Sali Berisha, nuk ka pse të ikë as Lulzim Basha.

Burra, burra, burra… ah më falni, se ju hëngra një grua. Qenka një grua nëpër gjithë këto panele, veç moderatoreve, sigurisht. Pjesa më e madhe e këtyre burrave – duke veçuar pak prej tyre vërtet të pavarur dhe ca që u ka mbetur ende një moral dhe faqe para shqiptarëve – kanë muaj e muaj që janë bërë foltoristët më të zjarrtë, nuk kanë lënë arsenal të plumbtë pa hedhur mbi lidershipin e PD-së.

Asnjë fjalë për marrëveshjen e pistë President-Berishë për të futur në përplasje pjesët e PD-së, përplasje që i dha buzëqeshje diabolike vetëm Ramës.

Asnjë fjalë për arsyet e kësaj përqindjeje të ulët votimi të shqiptarëve dhe neverinë e shqiptarëve ndaj politikës, madje edhe ndaj atyre vetë që përtypin çdo natë vetëm politikë në ekrane.

Ka shumë demokatë dhe qytetarë që anojnë nga e djathta që nuk votuan më 6 mars nga trishtimi ndaj gjendjes aktuae të PD-së, të tjerë që refuzuan të votojnë Berishën, të tjerë që nuk kanë besim te Lulzim Basha. Këta do të bëjnë të njëjtën gjë edhe në zgjedhjet e afërta që kemi vitin e ardhshëm.

Kam dëgjuar në këta muaj gjithfarë etiketimesh për atë pjesë të deputetëve dhe të tjerë përfaqësues politikë në PD, të cilët kanë bindjen se Kryenegociatori i foltores, nuk mund të jetë e ardhmja e PD-së.

Pati prej pales tjetër (meqenëse tani flasim per pale), edhe mes rithemeluesve që shpallën se ky grup kinse bashist, janë mafiozë e sherbëtorë të Edi Ramës.

Unë nuk marr përsipër këtu të flas për Lulzim Bashën (nëse i shërben Edi Ramës, sepse nuk kam aq njohje dhe as fakte për këtë, ata që flasin gjithë ditën për këtë, le të marrin guximin dhe ta bëjnë); unë flas për veten time se me mafian jam e lidhur sa ç’jam e lidhur me hënën dhe se në jetëshkrimin tim kam një betejë konsistente opozitare ndaj qeverisë aktuale dhe kreut të saj. E shkruar zezë mbi të bardhë.

Dita e djeshme është një ditë e trishtueshme për çdo demokrat dhe ai demokrat që mendon se ka fituar, nuk ështe veçse një i pacipë. Po, për fatin e mirë në Shkodër ka fituar një demokrat, dhe ka fituar ai për të mirën e Shkodrës dhe jo Sali Berisha, siç po e shesin.

Fakti që ne të gjithë bashkë, përfshirë edhe LSI-në, dhe ca të tjerë, nuk e tejkalojmë mavinë, do të thotë që jemi të gjithë humbës. Por ata, të cilët e sajuan këtë përplasje me kushtin e vetëm të asgjësojnë Lulzim Bashën, duken shumë të lumtur sot. Me, ose pa Lulzim Bashën, me ose pa Sali Berishën, PD është sot në ditën e saj më të zezë.

Dhe fajin për këtë gjendje e kanë të dy liderët, madje, në syrin tim, fajin më të madh e ka Sali Berisha:

Sepse Lulzim Basha është produkt i tij, i cili, kur iu desh na e shiti për “burrë të mirë” dhe kur nuk iu desh për na e shiti për “burrë të keq”;

Sepse me kujdesin për kultin e individit të tijit dhe më pas të beniaminit të tij, nuk ka lënë gjë të njomë që të mbijë e të zhvillohet në PD, dhe sot të kishim mundësi të zgjidhnim një drejtues që ta donin të gjithë palët;

Sepse, për egon dhe inatin personal, i bëri me muaj të tërë skizmën më të rëndë PD-së, shqyerje që u pa dukshëm në zgjedhjet e 6 marsit;

Sepse, me dëshirën për kthimin e tij në krye të PD-së, do t’i bëjë rrotullimin e fundit të thikës në plagën që na ka ndodhur;

Sepse, nëse do ta drejtojë ai procesin e reformimit të PD-së, siç pretendon, do të vendosë një kukull tjetër të tij në krye dhe PD do të fillojë të riciklojë vetveten;

Sepse, me fjalorin e tij gjatë foltoreve, e ktheu sërish frymën e denigrimit, fyerjeve, dhunës verbale, të asgjësimit të atyre që mendojnë ndryshe, fjalor që u përkthye në bazë në formën më ekstreme të mundshme e duke mbjellur një animozitet vrasës mes demokratëve;

Sepse, në grupin iniciator për rithemelimin e PD-së, ka në përbërje figura të diskretituara, ish-ministra të njohur si hajdutë me damkë, për fajin e të cilëve dhe ca si shumë prej tyre, PD humbi thellë në vitin 2013, nga ende nuk e ka marrë veten;

Sepse, një pjesë e tyre dhe e ca të tjerëve rrotull, nisën një fushatë të hapur mediatike, një fushatë të shqyer në rrjetet sociale, dhe një fushatë të heshtur në të gjitha format duke fyer, kërcënuar, lënduar dhe keqtrajtuar figura të cilat nuk kishin besim te kjo lëvizje, një gjë fare normale në demokraci. Kështu, duke inicuar këtë frymë dhe duke e shtrirë atë deri në bazë, ata e thelluan hendekun e nisur.

Do të thoni ju me të drejtë: a ka faj Lulzim Basha në gjithë këtë? A duhet të japë dorëheqjen?

Po, gjysmën e tij të fajit për krizën në të cilën gjendet sot PD e ka Lulzim Basha. Kjo skizmë është edhe përgjegjësia e tij. Nuk kam qenë dakord që Lulzim Basha të jepte dorëheqjen menjëherë pas zgjedhjeve të 25 prillit, sepse të gjithë e dimë se çfarë zgjedhjesh ishin. Vetëm në Elbasan u blenë mbi 45 mijë vota nga bashkëpunimi i bandës shtetërore me bandat e kriminelëve. Ne jemi me një qeverisje informale, me një parlament që në mazhorancë është informal. Shkaku i zgjedhjeve pjesore të 6 marsit është një arsye shumë qesharake për të dhënë dorëheqjen Lulzim Basha, për arsyet që të gjithë i dimë se ç’zgjedhje ishin dhe arsyet që shpjegova më lart.

Megjithatë, në kushtet e krijuara brenda PD-së dhe shkatërrimit të lidhjeve me bazën, të riformatimit të strukturave të PD-së në bazë, të cilat janë në lëngim e sipër dhe të humbjes së popullaritetit të tij mes demokratëve dhe shqiptarëve me vokacion të djathtë, ai duhet ta japë dorëheqjen. Vendimet janë të tijat dhe fare personale.

Por ka vetëm një kusht për ta bërë këtë: Të tërhiqen të dy, edhe Lulzim Basha, edhe Sali Berisha dhe PD-së t’i hapet rruga për zgjedhje të vërteta dhe rikthimin e saj në në forcë e përbashkuar opozitare.

A e bëjnë dot këta të dy këtë? A e duan ata PD-në më shumë se veten e tyre?

Kësaj pyetjeje le t’i japin përgjigje me koshiencën e tyre, pse jo edhe me akte të larta përgjëgjësie politike ata vetë. Fundja, këtu ndahen burrat nga burrecët e shtetit.

Nëse nuk ikën Sali Berisha, nuk ka asnjë arsye të ikë Lulzim Basha.

Unë do ta nis nga vetja, që të shpëtoj nga trishtimi që më ka zënë tek e shoh shtëpinë tonë të përbashkët – PD-në – në këtë gjendje:

Heq dorë nga postet e mia në parti (anëtare kryesie dhe Kryetare e Komisionit të Apelimit dhe Integritetit), pasi as i kam ushtruar kushedi se çfarë, as jam një njeri me një staturë të dukshme politike, por edhe dua që Opozita të vijë në binarët e reformimit të saj të shpejtë, për t’u kthyer në shpresa e vetme e shqiptarëve për të shpëtuar nga regjimi putinist ku po akaparohet me nxit Shqipëria.

Unë jam deputete që mezi më rri zhguni politik dhe do të shërbej në atë front ku fjala më bën vend e hija më bën peshë dhe nuk do të jep pjesë e pjesëve të PD-së, por deputete e PD-së së bashkuar.

Ora 13:10
Humbja në 6 Bashki, Salianji: Basha e ka humbur mbështetjen si kryetar, barrë e rëndë për opozitën! Të shpallë zgjedhjet brenda partisë

TIRANË- Dalja si forcë e tretë në zgjedhjet e 6 marsit e ka vënë Lulzim Bashën me shpatulla prej murit dhe ka ndezur pakënaqësi në radhët e deputetëve demorkat. Një prej tyre është edhe Ervin Salianji i cili ka qenë një prej mbështetësve më të mëdhenj të Bashës, por që sot kërkon largimin e tij. Salianji është treguar i ashpër, ku thotë se Basha e ka humbur mbështetjen si kryetar i partisë, madje është bërë një barrë për opozitën që duhet të largohet. Deputeti i bën thirrje që të hapë garën për kreun e partisë.

Ai thotë se kandidatët e Partisë Demokratike ishin dinjitoz, prandaj përgjegjësinë kryesore për humbjen e sheh pikërisht te kryetari i partisë, Lulzim Basha.

" Rezultati i zgjedhjeve të 6 Marsit ishte katastrofik për Partinë Demokratike. Kandidatët e PDSH në 6 bashki ishin demokratë dinjitozë, ata bashkë me demokratët bënë çdo përpjekje, por fryma popullore ishte mesazh i qartë për çdo demokrat. Opozita u dëmtua dhe mori më pak se gjysmën e votave që grumbulloi më 25 Prill, bojkoti i votuesve tregoi krizën e besimit tek opozita. Të gjithë kanë përgjegjësi për këtë situatatë, përgjegjësia kryesore është tek kryetari i partisë.

Personalisht kam bërë beteja të ashpra duke rriskuar gjithçka, kam luftuar fort për të ndihmuar që Partia Demokratike të vijë në pushtet. Kam bërë beteja që Lulzim Basha të jetë kryetar i Partisë Demokratike sepse kam menduar që ishte rruga e duhur që PDSH të vijë në pushtet! Sot nuk mund të mbyll sytë dhe as të fshihem, duhet ta lexojmë realitetin duke marrë çdo përgjegjësi, por përgjegjësia kryesore bie tek kryetari i partisë!

Lulzim Basha e ka humbur mbështetjen, fatkeqësisht si kryetar partie është barrë e rëndë për opozitën! LB duhet të bëjë hap pas dhe të krijojë mundësinë që PD të zhvillojë zgjedhje! Demokratët janë fitues, nuk pranojnë të quajnë fitore vendin e tretë! Partia Demokratike do të ribëhet, forca dhe energjia e demokratëve është e pashtershme", shkruan Salianji.


B.K./I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Neymar do të bëhet baba për herë të katërt

Neymar do të bëhet baba për herë të katërt