Sipas deputetit Besnik Tahiri përfshirja e politikanëve nga Kosova në protestat që po zhvillohen prej mbi 1 muaji tashmë në Tiranë do të kishte pasoja të rënda. Ai gjykon se kjo ndërhyrje nuk ndihmon as kauzën e protestës, por mbi të gjitha sjell dëme të mëdha mes Prishtinës e Tiranës.
“Ajo që dua të them sa i përket protestave në Republikën e Shqipërisë është bukur e thjeshtë. Protestimi dhe demonstrimi është mjet demokratik dhe u takon institucioneve të shtetit shqiptar ta trajtojnë këtë çështje, dhe vetë atyre që i kanë kërkesat dhe shtetit shqiptar për me e trajtu. Pra, kjo nuk është çështje e brendshme e jona. Kërkesa ime është që askush prej nesh të mos ta marrë guximin as të involvohet, as të protestojë, as të vendosë kauza politike në Shqipëri, për shkak se kjo nuk e ndihmon as Shqipërinë, nuk e ndihmon as kauzën e protestuesve, nuk e ndihmon as Kosovën, mirëpo vetëm sa e vendos në konflikt të hapur shtetin shqiptar me Kosovën", thotë deputeti i AKK.
Tahiri vlerëson situatën si mjaft delikate, sidomos në kontekstin e integrimit të Shqipërisë në BE, për të cilin siç thotë, armiqtë shekullorë të Shqipërisë dëshirojnë të krijojnë pengesa.
“Shqipëria është vetëm dy hapa para anëtarësimit të vet në Bashkimin Evropian. Protesta është demokratike, se qysh e trajton shteti shqiptar dhe institucionet, është çështje e tyre. Por një gjë e di: armiqtë shekullorë të shqiptarëve, të Shqipërisë, duan me pa Shqipërinë të penguar në ecjen e saj drejt Bashkimit Evropian. Ky është procesi më historik i kombit shqiptar pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Është anëtarësimi në BE.” shprehet Tahiri.
Deputeti i rizgjedhur i AAK për legjislaturën e re, ngre pikëpyetje dhe e cilëson të pakuptueshme përfshirjen e eksponentëve të partisë Vetëvendosje të Albin Kurtit në prostestat në Tiranë. Thotë se politika e Kosovës duhet të përçojë mesazhe bashkimi e jo të thellojë ndarjen mes Shqipërisë e Kosovës.
“Le të jenë protestat, ndodhin, por jo të involvohen shqiptarët e Kosovës, jo të involvohen partitë politike, sepse ne kemi pa eksponentë të partisë politike të Vetëvendosjes duke protestuar dhe ne nuk e dimë pse. Nuk dua të paragjykoj protestën, nuk është e imja. Mirëpo, si dikush që ka funksion publik të lartë dhe ka pasur funksione të larta, unë e di që armiqtë e Kosovës, armiqtë e Shqipërisë dhe armiqtë e shqiptarëve e kanë bukur në agjendën e tyre pengimin e Shqipërisë për t’u bërë anëtare e BE-së, portretizimin e shqiptarëve dhe lidhjen e tyre me elementin radikal islam, si dhe me agjenda jo-perëndimore. Mbi të gjitha, synimi është destabilizimi Kam thirrje të drejtpërdrejtë për të gjithë ata: t’i këqyrim punët tona në Kosovë, sepse kemi boll probleme. Mos t’i shtrijmë duart dhe mos të involvohemi në një çështje që është e tyre, është e protestuesve, është e kërkesave dhe është e qeverisë. Me këtë po i bëhet dëm historik shqiptarëve, Shqipërisë dhe Kosovës. Nuk na takon neve ta thellojmë ndarjen, neve na takon të përçojmë mesazhe uniteti dhe t’ia lëmë qytetarëve të Shqipërisë të vendosin kë duan ta kenë udhëheqës. Protestimi është e drejtë demokratike, ndërsa involvimi i Kosovës është sulm i drejtpërdrejtë ndaj shtetit shqiptar në një situatë jashtëzakonisht jetike dhe sensitive për Shqipërinë”, përfundon deputeti Besnik Tahiri.
Ditët e fundit thirrje kundër përfshirjes së politikanëve shqiptarë nga Kosova apo Maqedonia e Veriut janë bërë nga Ramush Haradinaj dhe Ali Ahmeti të cilët i kanë dënuar ndërhyrjet që po shihen javët e fundit në zhvillimet e Tiranës. Nga Lëvizja Vetëvendosje nuk ka patur një reagim për ngjarjet.
Komente










Kurti gjithmone perca è sundo i ka ex ne maqedoni mal te zi shpresojme qe ti dali huq ne shqiperi si cdo here .Nuk e kuptoj se si è voto jne kosovaret ate njeri te lige
Përgjigju