Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, është shprehur se SPAK është i vetmi institucion që është në këmbë në Shqipëri.

Komentet Korreshi i bëri teksa ishte i ftuar në emisionin ‘5 Pyetjet nga Babaramo’ në Report TV, ku tha se nuk i interesonte se çfarë mendonin eksponentë të tjerë brenda PD-së për SPAK-un, pasi qëndrimi i tij ishte në mbështetje të këtij institucioni.

Me këto deklarata, Korreshi duket se ka dalë kundër kryedemokratit Sali Berisha, i cili në mënyrë të vazhdueshme ka sulmuar prokurorët e SPAK, duke i cilësuar ata si të lidhur me krimin dhe kryeministrin Edi Rama.

“Ne në PD kemi qëndrime të ndryshme. Dhe unë për SPAK kam pasur këtë qëndrim që nga dita e parë deri në ditën e fundit. Të njëjtin qëndrim pavarësisht se çfarë mendojnë të tjerët brenda partisë. Unë i qëndroj një grupi, duke qenë se jam jurist dhe them se ‘s’ka pyll që s’ka derra’, pra edhe atje ka njerëz të kontrolluar politikisht. Por unë kam besim se sot është i vetmi institucion që është në këmbë”, tha mes të tjerash Korreshi.

Kujtojmë po ashtu se për shkak të Berishës, i cili ka probleme me drejtësinë, e gjithë PD është perceptuar nga qytetarët si një parti që është kundër SPAK dhe institucioneve të reja të drejtësisë.


Lajmi kryesor:

Ndryshimet ligjore të propozuara nga PS, Shalsi: Jemi konsultuar me ekspertë të huaj! Pezullimi i një ministri nga drejtësia s’ndodh në vendet e botës demokratike