Deputetja Erisa Xhixho ka denoncuar një situatë që e cilëson alarmante në Spitali Kombëtar i Traumës, duke theksuar se rikonstruksioni i plotë i godinës ka sjellë bllokimin e shërbimeve shëndetësore. Deputetja ka kërkuar interpelancë urgjente me Ministren e Shëndetësisë, Evis Sala duke paralajmëruar se situata mund të rrezikojë edhe përballimin e emergjencave në nivel kombëtar.

Sipas saj, mbyllja e bllokut operator qendror dhe nxjerrja jashtë funksionit e 10 sallave operatore kanë shkaktuar kolaps në trajtimin e pacientëve, duke krijuar lista të gjata pritjeje dhe shtyrje operacionesh për muaj apo vite. Xhixho thekson se shumë qytetarë po detyrohen të drejtohen drejt sektorit privat ose jashtë vendit për të marrë shërbim. Ajo ngriti shqetësime edhe për mungesën e ndërhyrjeve ortopedike dhe disa shërbimeve të tjera, si dhe për praninë e infeksioneve spitalore.

Postimi i plotë i Erisa Xhixhos

Sot dua të denoncoj një situatë alarmante në Spitalin Kombëtar të Traumës.

Siç e shihni, spitali është në rikonstruksion të plotë, një proces që pritet të zgjasë deri në 2 vite.

Kjo situatë ka bërë që blloku operator qendror të mbyllet dhe 10 salla operatore të dalin jashtë funksionit, duke sjellë një kolaps të shërbimit. Zgjidhja e dhënë deri më tani nuk po garanton vazhdimësinë e shërbimit shëndetësor.

Mijëra pacientë janë lënë në lista pritjeje, me ankthin e sëmundjes që nuk arrijnë ta trajtojnë në kohë. Operacionet shtyhen me muaj e vite dhe shumë qytetarë detyrohen të paguajnë në privat ose të largohen jashtë vendit.

Nuk kryhen më ndërhyrjet ortopedike dhe mungojnë shërbime si okulistika, urologjia apo trajtimi i këmbës diabetike. Ndërkohë, infeksionet spitalore dhe bakteret e rrezikshme janë evidentuar edhe në sallat operatore.

Edi Rama flet për “shëndetësi falas”, ndërkohë që 60% e shpenzimeve paguhen nga xhepi i qytetarëve. Realiteti është mungesa e ilaçeve dhe një sistem në kolaps.

Ndaj kam kërkuar me urgjencë interpelancë me Ministren e Shëndetësisë për të sqaruar këtë situatë dhe për të marrë masat urgjente për përballimin e saj.

Kjo situatë po cenon sigurinë kombëtare, pasi në një emergjencë që mund të ndodhë në çdo moment, vendi është praktikisht pa një spital traume funksional që mund t’u shërbejë pacientëve në kohë.

Koha për llogaridhënie dhe jo me propagandë!