Derbi 144 ndez kryeqytetin

Derbi 144 ndez kryeqytetin
TIRANË - Skena politike shqiptare ka kohë që është e nxehtë, por kjo nuk krahasohet me atmosferën që pritet të krijijonë sot në kryeqytet tifozët e Partizanit dhe Tiranës. Sot në orën 18:00 në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” dy skuadrat historike të futbollit shqiptar luajnë derbin e 144 në historinë e tyre.

Vitet e fundit Partizani ka fituar epërsi ndaj bardhebluve, por Tirana nën drejtimin e Ilir Dajës ka një ecuri positive në javët e fundit. Të dyja kampet janë përgatitur maksimalisht, por Partizani ka pësuar një goditje në momentin e fundit. Trajneri Agostinelli nuk do të ketë në dispozicion Labinot Ibrahimin. Kjo sepse dje Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së ka pezulluar me 8 javë futbollistin e Partizanit për përplasjet që ai pati me arbitrat pas ndeshjes së fundit ndaj Tërbunit
 
Agostineli: Derbin ta fitojme per tifozerine e kuqe 
Trajneri i Partizanit, Andrea Agostinelli mund të luajë për herë të parë derbin e tij të kryeqytetit shqiptar, por ia njeh mjaft mirë rëndësinë. “Dua t’ju them që jemi përpara një ndeshje shumë të rëndësishme. Sigurisht duam ta fitojmë këtë takim, sepse në lojë nuk janë vetëm 3 pikët që vlejnë, por kjo fitore vlen më shumë për tifozerinë tonë.

Në ndeshjet derbi të gjitha skuadrat janë nën presion, po ashtu edhe lojtarët. Këtë derbi duhet ta përgatisim dhe nga ana psikologjike, dhe lojtarët duhet të jenë të përqendruar maksimalisht. Edhe Tirana kërkon ta fitojë këtë derbi duke e ditur rëndësinë që ka kjo përballje , por unë shpresoj që skuadra jonë të vijojë ecurinë pozitive në përballjet derbi”.

Trajneri italian nuk zbulon asgjë nga planet e tij për derbin. Agostinelli ka theksuar rëndësinë e madhe që ka kjo super-sfidë për skuadrën e tij sidomos nga ana psikologjike. “Të premten do të shihni vendosjen e skuadrës në fushë , por mendoj që skuadra ime ndeshjet e fundit nuk ka pësuar shumë, dhe ka zhvilluar ndeshje ku ka krijuar shumë raste goli, edhe pse na ka munguar finalizimi. Përsa i përket fazës sulmuese, ka ardhur duke u përmirësuar.

Është e vërtët që sulmuesit tanë Racic dhe Sukaj nuk kanë konkretizuar më së miri rastet që i janë paraqitur, por nqs do kërkonim një skuadër vërtet kompetitive, golat duhet të vinë dhe nga mesfushorët. Kjo ndeshje nuk është deçizive për titullin kampion, por do fitojmë vetëm për tifozët sepse e di rëndësinë që ka fitorja e derbit për këta tifozë, dhe uroj që në fund ata të dalin të gëzuar nga stadiumi. Më kujtohen derbit që kam përjetuar si lojtar i Lazios: kur humbisnim na dukej vetja sikur na kishte shtypur treni, por kur fitonim ishim në qiellin e shtatë.
 
Ilir Daja: Asnjë justifikim, luajmë për fitore
Derbi është një sfidë e rëndësishme, një ndeshje që duhet të konsiderohet si festë për kryeqytetin. Me këtë deklaratë të klubit të Tiranës ka nisur konferenca për shtyp e trajnerit Ilir Daja. “Shpresoj që tifozët të menaxhojnë situatën si duhet. Ndeshjet derbi kanë koeficient të lartë vështirësie.

Derbi është i paparashikueshëm. Duhet të menaxhojmë presionin e derbi dhe motivimi në të tilla ndeshje është maksimal. Stresin dhe ngarkesën shpresojmë ta kthejmë në pozitive.” Tirana nuk fiton derbin prej 7 sfidash ku ka regjistruar 4 barazime dhe 3 humbje. Për trajnerin e 24 herë kampionëve të vendit çdo ndeshje ka historinë e vete, dhe shifrat nuk vlejnë. “Mua nuk më pëlqen historia sepse po të marrim kampionatet Tirana del përpara.

Çdo trajner apo futbollist edhe sikur të ketë fituar 10 derbi do kërkojë të fitojë të radhës. Ndeshjet derbi nuk i ngjajnë njëra tjetrës, dhe gjithçka do t’ia lëmë fushës.” Tek Tirana mungesat kanë qënë një problem i madh në ndeshjet e fundit. Elis Bakaj dhe Erjon Vucaj janë rikthyer me grupin por për trajnerin Ilir Daja mungesa më e rëndësishme është ajo e Gentian Muçës.

“Bakaj dhe Vucaj jane rikthyer por problemi më i madh është mungesa e Mucës cka ka bërë që të ndryshojmë edhe modulin e lojës. Megjithatë do të kemi më shumë alternativa cilësore në stol. E dimë që nuk kemi sulmues të mirëfilltë por nuk duhet të fshihemi me këtë justifikim. Duhet të gjejmë alternativën e duhur për të sulmuar. Do të fokusohemi për një paraqitje të mirë për tifozët. Derbi duhet fituar. Shpresojmë të fitojmë dhe të ngushtojmë diferencën me Partizanin pastaj të shohim deri në fund”, theksoi trajneri I Tiranës
 
Policia: Ja rrugët që do të bllokohen e oraret
Policia e Tiranës ka hartuar një plan të posaçëm masash për të parandaluar çdo fenomen dhune gjatë derbit si në stadium ashtu edhe nëpër rrugët e kryeqytetit. Sipas uniformave blu të policisë së kryeqytetit do të bllokohet për disa orë qarkullimi i automjeteve në disa rrugë që e lidhin zonën e stadiumit me zonat e tjera, ndërkohë që të gjithë tifozët do të kontrollohen përpara se të futen në stadium.

Ja në cilat rrugë do të bllokohet qarkullimi
“Duke filluar nga ora 12:00 deri në përfundim të ndeshjes do të bllokohen rrugët:

• “Dervish Hima”,"Faik Konica", "Papa Gjon Pali II" dhe rruga "Lekë Dukagjini” në segmentin hyrës të Sheshit Italia. Gjithashtu ,do të ketë kufizime dhe bllokime nga ora 15:00 deri në orën 17:30 në:

● Rrugën "Dritan Hoxha" nga Pallati i Sportit "Asllan Rusi" - Sheshi "Karl Topia" - Rruga "Muhamet Gjollesha" deri në kryqëzim me Rrugën "Myslym Shyri".

● Rruga "Myslym Shyri" deri në kryqëzim me Rrugën "Sami Frashëri" - Rruga "Sami Frashëri" deri në kryqëzim me Sheshin "Ëilson"

●Rruga "Abdul Frashëri" - Rruga "Ibrahim Rugova" mbas Presidencës. ● Rruga e "Durrësit" në kryqëzim me Sheshin "Skënderbej" - Sheshi "Skënderbej" - Rruga "28 Nëntori" - Rruga " Giorg Ë. Bush" - Ura e Rrugës së "Elbasanit" - Bulevardi "Bajram Curri" deri në Kryqëzim me Rrugën "Papa Gjon Pali i II" - Rruga " Papa Gjon Pali i II" deri tek Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa"” bën të ditur policia e kryeqytetit.

Kufizimet për tifozët
Policia shton se: “Njoftohen tifozët që në stadium nuk do te lejohen të futen bidona uji, çakmakë, monedha, çelsa metalik,sende te tjera te forta”. Policia kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e bizneseve që operojnë në këtë zonë për mbylljen e të gjitha lokaleve përreth Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa" ndërkohë që në ndeshje nuk do lejohen femijë nën moshën 14 vjeç te pa shoqëruar nga prindërit. Policia thotë se, pas përfundimit të ndeshjes tifozët respektiv duhet të largohen nga rrugët që kanë ardhur.


Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ Gjendet kanabis në një magazinë në zonën e Selitës, disa persona të arrestuar

Tiranë/ Gjendet kanabis në një magazinë në zonën e Selitës, disa persona të arrestuar