Deri kur ta vlerësojmë, a dënojmë, njëri-tjetrin jo nga puna, por nga partitë...

Deri kur ta vlerësojmë, a dënojmë, njëri-tjetrin jo nga puna, por nga partitë...

Një vajzë me origjinë nga fshatrat e Lushnjës kujton: “Gjyshja më tregonte se beu i fshatit para çlirimit ua merrte shpirtin. Nuk i linte të ngrinin kokë, jetonin në varfëri e në mjerim të tejskajshëm, Vetëm pas çlirimit jeta jonë ndryshoi. Në Tiranë të gjithë mundëm të studionim dhe në familje shumica janë me shkollë të lartë e në profesione të nderuara. Rrjedha e jetës sonë ndryshoi”.

Një tjetër grua, vajza e një intelektuali që kishte studiuar te shkolla Harry Fultz tregon: “Pas çlirimit jeta jonë u nxi e tëra. Regjimi komunist arrestoi dhe pushkatoi babain duke e konsideruar spiun të amerikanëve, vetëm se dinte anglisht dhe kishte studiuar në shkollën Harry Fultz. Internimi, mjerimi, përbuzja, mungesa e shkollimit, ishte fati ynë i zi. Pas viteve ’90 të gjithë u larguam nga Shqipëria dhe jeta jonë ndryshoi. Askush nuk na e kthen dhe na e zbut dhimbjen për babain tonë të dashur, por të paktën tani jetojmë si njerëz me dinjitet, me punën tonë”.

Një tjetër vajzë, fëmija e dytë e një oficeri të ushtrisë shqiptare gjatë kohës së dikaturës tregon: “Pas viteve ’90 jeta jonë u bë e tmerrshme. Babi u flak nga puna dhe asnjë nuk e afronte në një punë tjetër se e quanin komunist. Edhe mamin e larguan nga shkolla ku jepte mësim. Dolëm të gjithë të shisnim banane në rrugë për të mbijetuar, derisa ikëm në emigracion. Jeta jonë tani është normale jashtë Shqipërisë”.

Tregon vajza e një ish-funksionari administrate, anëtar i Partisë Socialiste: “Kur PD erdhi në pushtet babi im u hoq nga puna në ministri pasi ishte deklaruar hapur si mbështetës i Partisë Socialiste. Ai nisi punë si roje në një kompani private, ndërsa mami si sanitare në dy, tre farmaci. Jeta jonë u vështirësua shumë në vitet që ishte PD në pushtet. Tani babai im është përsëri në një punë të mirë”.

Vajza e dy funksionarëve të lartë në administratën e PD-së: “U kthyem nga Shtetet e Bashkuara pasi si babi edhe mami morën poste të rëndësishme gjatë administratës së Partisë Demokratike. Për 8 vite jeta jonë në Shqipëri ishte mëse normale dhe prindërit e mi ishin të lumtur që bënë zgjedhjen e duhur për t’u kthyer në atdhe. Unë dhe vëllai vazhduam shkollën në anglisht në një kolegj prestigjoz në Tiranë. Cdo gjë shkonte shumë mirë, por kur PS fitoi zgjedhjet jeta jonë u vështirësua shumë. Si mami, edhe babi u larguan nga detyra që kishin. Nuk mund të kthehemi më në SHBA pasi aty shitëm gjithcka kishim. Prindërit e mi kanë vështirësi për pagesat e shkollës private dhe harmonia në familje shpesh thyhet nga grindje gjithmonë për vështirësitë e pagesave, koston e jetesë, çmimet e larta. Po kërkojmë të largohemi sërish nga Shqipëria, po ku të shkojmë?”

Sa dëshmi të tilla kemi dëgjuar. Lexuar, jetuar në vendin tonë të vogël. Ndryshojnë sisteme, ide, mendime, por njerëz të njëjtë, shqiptarë të njëjtë, bashkëatdhetarë të një gjuhe, bashkëvuajtës të këtij këndi kaq të bukur në Ballkanin jug-perëndimor, jemi kaq të egër, hakmarrës, shtypës me njëri-tjetrin.

Do të themi se jeta dhe puna jonë kanë me të vërtetë vlerë, vetëm kur ndryshimet e mendimit dhe të sistemeve të mos rëndojnë kaq bardh e zi, ferr e parajsë, në jetën e shqiptarëve në përgjithësi, pavarësisht cilës parti, shtresë, mendimi i takojnë. Kaq të egër me njëri-tjetrin, si ne mes shqiptarësh, në këto 100 vite të fundit, vështirë të gjenden të tjerë, një tjetër vend. Mund të themi se kemi evoluuar, vetëm nëse vlerësojmë njëri-tjetrin nga puna, e jo nga prejardhja, mendimi apo më keq, partitë.

a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb