Dëshira për të vërtetën nuk ka vdekur

Dëshira për të vërtetën nuk ka vdekur
Vera e nxehtë e këtij viti, sidomos gushti, solli një fenomen interesant në Shqipërinë e vogël, por me numrin më të lartë të gazetave e të televizioneve për frymë, sa cilido vend i rajonit e Europës: Shqiptarët duan të informohen. Saktë dhe drejtë.

Shqiptarja.com në print, përmes shkrimeve të gazetarit Adriatik Doçi, ku me dokumente tregoheshin pasuritë e njerëzve të drejtësisë, politikës etj. katërfishoi shpërndarjen. Eshtë një tendecë që shkon kundër rrjedhjes së ngjarjeve, kur duket se gazeta, informacioni në print "kanë vdekur", dhe media në web, e sidomos rrjetet sociale kanë marrë dhenë me lloj lloj informacionesh e opinionesh. Fenomeni i gushtit të këtij viti na hedh në një reflektim, por edhe në një zbulim shpresëdhënës: Shqiptarët duan të informohen me sinqeritet e profesionalizëm.

Në të vërtetë, shqetësimi i "dorëzimit" të një populli, humbja e dëshirës për t'u informuar, është problem global. Përthithja e interesit dhe pjesës më të madhe të kohës nga ana e rrjeteve sociale, sikur ka hutuar lexuesit në përgjithësi, në mbarë botën.

Por ja që papritur, edhe në këtë vendin tonë të vogël, vijnë sinjale që duhet të dimë se si t'i lexojmë: Në këtë verë të nxehtë, bashkëatdhetarët tanë, kudo që janë, përgënjeshtruan tendencën që dukej si një rrugë pa kthim: mediat serioze tradicionale, gazetaria e fakteve, e lajmit të ofruar me profesionalizëm, seriozitet e përkushtim, është në zemrën e shumë njerëzve, kërkohet dhe dëshirohet prej tyre edhe në versionin e letrës.

Të gjithë jemi në një sulm të vazhdueshëm nga opinionet. Opinionet hidhen lehtësisht nga kushdo që këndvështrimin e tij mund ta bëjë publik nga një divan "Fendi", me qëllimin për të dizinformuar, apo nga kush, në një minder, përpiqet të arrijë komoditetin "firmato" të fqinjit të tij. Për të mos folur për ata më të "sofistikuarit" në qëllime politike, ekonomike, apo thjesht zilie. Po ata që me opinionin e tyre i shohin të gjithë nga lart-poshtë, sikur ç'kanë bërë vetë në jetë më mirë? Jemi në një overdozë opinionesh, që duket se nuk do të zgjasë pa fund. 

Dokumentet e publikuara nga Shqiptarja.com janë dokumente zyrtare, të dhëna që ekzistojnë, por që fshihen nëpër zyra që vetëm një gazetar mund të ndjehet i interesuar, i detyruar për shkak të misionit e profesionit t'i marrë e të bëjë lajm. Gazetaria e vërtetë bën pikërisht këtë dhe prandaj ka një mision akoma më të rëndësishëm në amullinë e opinioneve, të bërtiturave, tymnajës së hedhur poshtë e lart: Të qartësojë, të ofrojë të vërtetën mbi të cilën pastaj, cilido ngre një opinion.

Në fillim të kësaj vjeshte, kur administratorë publikë e privatë vazhdojnë të vetëpërshkruhen bukur e mirë në rrjetet sociale, atëherë kur kanë lënë pas dore e jashtë informimit një pjesë të madhe të popullsisë që për shkak të moshës apo kushteve nuk janë në internet, ne të Shqiptarja.com morëm këtë sinjal: Në Shqipëri lexojnë dhe e duan të vërtetën ta shohin, ta prekin me dorë, pastaj për llafe e opinione... dihet. Kafenetë janë plot. 

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Ylli Pata: Arsyet pse SHBA i rikujtoi Sali Berishës sanksionet

Ylli Pata: Arsyet pse SHBA i rikujtoi Sali Berishës sanksionet