TIRANE, 27 Shkurt/ATSH-Almarina Gegvataj/- Gazetarja e mirënjohur, ikona e Televizionit Shqiptar, Tefta Radi në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar, shfaqën sot në mbrëmje, në sallën UNESCO, dokumentarin kushtuar martirit të fesë katolike shqiptare, Im'Zot Vinçenc Prennushit.
Një prej figurave të shquara të Rilindjes sonë Kombëtare, Im'Zot Vinçenc Prennushi është prelati më i lartë dhe i fundit i fesë katolike në Shqiperi, deri më 1949 kur ai vdes nën tortura të tmerrshme të diktaturës komuniste, në burgun e Durrësit, në duart e Arshi Pipës ndërsa emri i tij ka shkuar edhe në Vatikan për t'u lumturuar.
Regjisorja dhe skenaristja e këtij dokumentari, Tefta Radi u shpreh se për realizimin e tij, u është referuar dëshmive autentike dhe dokumenteve të shumta arkivore.
Dokumentari është shumë aktual dhe paraqet histori e materiale të padokumentuara më parë. Tefta Radi falenderoi ekipin bashkëpunues për realizimin e këtij dokumentari si dhe aktoret Roza Anagnosti, Tinka Kurti dhe Margarita Xhepa.
Montazhi u realizua nga Donika Gjebrea ndërsa kolona muzikore nga Kozeta Raftit.
Ky nuk është dokumentari i parë i realizuar nga gazetarja e talentuar Tefta Radi.Filmi dokumentar kushtuar shkrimtarit Millosh Gjergj Nikolla, me titull "Migjeni, ky uragan" si dhe "Martin Camaj, i papërsëritshëm", mbi jetën e shkrimtarit dhe albanologut shqiptar janë realizuar mjeshtërisht nga ikona e lajmeve dhe imazhin e tyre në TVSH, Tefta Radi.
Por kush ishte Im'Zot Vinçenc Prennushi
Vinçens Prennushi lindi në Shkodër me 4 shtator 1885 në një familje të thjeshtë, në Lagjen Rus, në rrugicën e Makajve. Prelat kryepeshkop, eseist, publicist, poet, folklorist e përkthyes i Ëismanit, Sinkievicit, Weberit dhe Pelicos.
Mësimet e para i mori në vendlindje dhe i vazhdoi në seminarin e njohtur të Troshanit, ku ju kushtua Urdhnit Françeskan në 1900. Më 25 mars 1908, shugurohet meshtar i Urdhrit Françeskan duke marrë dhe emrin At Vinçenc. Shkollën për teologji e filozofi e kreu në Tirol të Austrisë. U bë njohës i mirë i shumë gjuhëve dhe kulturave evropiane, sidomos asaj gjermane. "Kangët" e Prennushit u bënë themeli mbi të cilin më vonë do të ngrihej vepra monumentale kombëtare "Visaret e Kombit".
Në vitin 1917, ishte anëtar i "Komisisë Letrare Shqipe" në Shkodër, ku u përcaktuan rregullat e para të drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Më 1918 botoi "Fjala e Zotit" si dhe "Grueja shqyptare" e para vepër letrare e tij e botuar në shtypshkronjën françeskane. Më 1919, botoi dhe shfaqi në Shkodër dramën "E tradhtuemja", një përshtatje e goditur nga T. A. Rolando. Në vitin 1921, në moshën 36 vjeçare, boton përmbledhjen e njohur poetike "Gjeth' e Lule".
Me 19 mars 1936, Selia e Shenjtë e emëron Ipeshkëv te Sapës, detyrë që e mban deri në vitin 1940, kur emënohet Argjipeshkëv Metropolitan i Dioqezit të Durrësit, duke pasur nën administrim kryeqytetin Tirane. Mbas vdekjes së Imz. Gaspër Thaçit, në Shkoder me 26 maj 1946 dhe arestimit të Don Mikel Koliqit, famullitar i Shkodres, Imz. Prennushi ngarkohet me detyren e Primatit Katolik të Shqiperisë.
Me datën 19 maj 1947 Imz. Prennushi arrestohet dhe nis kalvarin e vuajtjeve. Me datën 18 dhetor 1947, Gjykata Ushtarake e Durrësit hapin gjyqin.
Vendimi i Gjykatës së Durrësit përcillet për shqyrtim në Gjykatën e Lartë të Tiranës, bashkë me një relacion të prokurorit të Durrësit, Sotir Qiriaqi (data, 1 dhetor 1947). Gjykata e Lartë Ushtarake Tiranë me datën 23 shkurt 1948, mbasi shqyrtoi çeshtjen e të pandehurve (mes tyre edhe Prennushi), refuzon kërkesën e tyre.
Vinçenc Prennushi deklaroi se "lufta ime ishte kundër komunistave e Partisë Komuniste që të mos ekzistonte, kur të formohej Pushteti që mendonim me zbarkimin e amerikanëve." Më 19 mars 1949 vdes nga torturat më çnjerzore në burgun e Durrësit. Shpallet "Martir i Demokracisë" më 8 maj 1993 në Durrës. /a.g/