Dëshmia e ish-të dënuarit: Ditën që vdiq Enver Hoxha, na mblodhën 500 burra në Qafë Bari dhe na thanë që s'do dilni të gjallë nga burgu

Dëshmia e ish-të dënuarit: Ditën që vdiq Enver Hoxha, na mblodhën 500 burra në Qafë Bari dhe na thanë që s'do dilni të gjallë nga burgu

Kampi i internimit Qafë Barit

-Rrëfimi tronditës i Barjam Njazi Dervishaj, për torturat çnjerëzore në kampe dhe burgje, ku disa bashkëvuajtës, bënin vetëvrasje, si Mustafa Bjaraktari nga Tropoja, Lefter Balltovani nga fshatrat e minoritetit grek, etj.-

Pas një kalvari të gjatë prej 28 vitesh burg nga 8 dënime të ndryshme, Barjam Njazi Dervishaj me origjinë nga Tepelena, rrëfen jetën e tij në të gjitha kampet dhe burgjet e Shqipërisë. “Unë nuk kam patur ndihma familjare, jam rritur jetim por nuk kam vuajtur shumë se më kanë dhënë shokët. Kur unë shkoja tek krevati në burgun e Burrelit, ku thuhej “Këtu i thonë Burrel ku hyn e më nuk del”, gjeja gjithmonë diçka për të ngrënë që më kishin lënë shokët. Unë jam dënuar 8 herë, por i kam ngelur ‘borxh’ edhe 15 vjet për të bërë komunizmit. Nuk ka burg në Shqipëri ku nuk kam vuajtur unë”, rrëfen ndër të tjera ai. Momentet më të vështira në burgun e Burrelit për Dervishajn, kanë qenë çastet kur ai teksa po hynte në dhomë, gjeti trupin e pajetë të shokut të tij të qelisë, të varur me çarçaf pranë dritares.   

Z. Dervishaj, ç’kujtoni nga momentet e para të arrestimit?

Më 27 maj 1960, në moshën 17 vjeç, për një bisedë arratisje, u arrestova. U nisa për në Përmet me disa shokë dhe atje më arrestuan për tentativë arratisje. Më mbajtën 20 ditë në Degën e Brendshme të Përmetit dhe më pas më çuan në Kalanë e Gjirokastrës, ku vazhdova hetuesinë edhe u dënova me 10 vjet burg për tentativë arratisje.

 

Isha shumë i ri për të kuptuar pse po më ndodhnin këto gjëra dhe pas dënimit në Gjirokastër më dërguan prej andej në burgun e Vlorës. Nga burgu i Vlorës, më dërgojnë në ndërtimin e fabrikës së Sodës Kaustike, në rrethinat e Vlorës. Pas 6 muajsh, më dërgojnë në burgun e Elbasanit. Kështu shkoj jeta ime, shto ujë e shto miell, nga 10 vjet, m’i çuan në 36 vjet dhe ngela nëpër burgje. Nuk ka burg ku nuk kam vuajtur unë.

Ne ishim të dënuar me punë të detyruar dhe unë kam punuar në galerinë e Spaçit, kam punuar në Ballsh, në fabrikën e Çimentos në Fushë-Krujë, në fabrikën e Çimentos në Elbasan. Në Spaç, kam shkuar në vitin 1971 dhe pasi kam ndenjur për afërsisht shtatë muaj, për një ngatërresë me policinë, më dënuan atje dhe më çuan prap në Burrel.

Si e kujtoni burgun e Burrelit?

Në Burrel ishte burgu më i rëndë, unë kam parë nga vuajtjet se mateshe durimi i njeriut, eksperimente bëheshin me njerëzit. Në Burrel, kam parasysh si tani, në qoftë se do na pyesnin se ku e gjenim forcën, do ju them se e e gjenim tek bashkëvuajtësit tanë, aty kishte shumë njerëz pa këmbë, të prera të dyja këmbët ose me një këmbë me paterica, që zvarriteshin dhe nuk jepeshin. Këta na mësuan se nëpër burgjet, duhet forcë shpirtërore sepse, komunizmi nuk kishte mëshirë.

Kur ai nuk mëshironte këta, nuk më shkonte nëpër mend të na mëshironte ne të tjerët. Kur unë kam vajtur në Burrel, kam qenë 22 vjeç djalë dhe i fortë fizikisht e, shokët e mi bashkëvuajtësit, e them me mburrje këtë dhe ndjej kënaqësi në shpirtin tim, të gjithë kanë qenë më të mirë nga unë. Këta më kanë dhënë forcë dhe jetë. Ata më jepnin bukën racionin e tyre. Edhe sot në shtëpinë time, qindra të burgosur hyjnë e dalin. I kam vëllezër.

Si organizohej një ditë në Burrel?

Njeriu, sipas komunistëve, ishte kafshë. Gazeta e palosur është 25 centimetër, ky ishte vendi ku duhet të flije ti. Ishim me çimento, dhomat me çimento. Në mëngjes do ngriheshe me rënien e bilbilit, do rregulloje krevatin dhe nuk kishe më të drejt të uleshe në krevat, por të rrije. Jepnin 500 gram bukë, dy herë gjellë në ditë, që nëse gjeje kokrrën e orizit ose fasules, të duartrokisnin.

Birucat ishin me çimento, aty bëheshin torturat. Ato birucat kishin disa hekura ku ishin lidhur mushkat e kohës Italisë aty dikur. Ata e kthyen në vuajte për shqiptarët. Në Burrel, unë kam parë shumë, atje kam parë ndjenjën njerëzore nga të burgosurit, njëri për tjetrin.

Sa vite keni vuajtur në Burrel?

Në Burrel kam bërë 7 vjet burg.

Sa vetë jetonin në një dhomë?

Në një dhomë, sipas njerëzve që fuste qeveria. Qeveria shtonte nuk e kishte problem. Në një dhomë mund të ishin 30 veta, mund të ishin 10 veta, sipas kapacitetit njerëzor që ishin nëpër burgje.

Si i kryenit nevojat personale?

Tualetet i kishe me orar, aty brenda kishte një qyp. Këtë qyp kur dilje në mëngjes do ta derdhje. Aty kishte pleq, të sëmurë. Ajo lloj qeverie nuk donte të dinte. Njerëzit ishin proces-verbal edhe kur vdisnin nëpër galeri gjithmonë thoshin vdiqën për fajin e tyre. Këtu mbylleshe qenia e njeriut.

A kishit orare të lira gjatë ditës?

Në Burrel, i thoshin oborrit të ajrimit, “pajdoz”. Dalja në pajdoz, bëhej dy herë në ditë, një orë paradite një orë pasdite. Por gjithmonë, në qoftë se udhëheqja bënte lëvizje nëpër qytetet e tjera, këto ndërpriteshin, një muaj dy muaj dhe kur shikonim dritën e diellit, fërkonim sytë. Unë dhe në familjen time nuk i përdor këto muhabete se e di, që nuk kuptohem. Kishte vuajtje mbi njerëzore atje.

Kam parë shokë të mi që janë varur nga uria. Për shembull Mustafa Bjaraktari nga Tropoja, Lefter Balltovani nga fshatrat e minoritetit grek. Ishim në dhomën nr. 1 në Burrel edhe kur do dilnim në (pajdos), i them Mustafait; hajde, jo tha nuk jam mirë do rri këtu brenda. Pasi bëmë (pajdos) e shikoj që ishte varur në dritaren e burgut me çarçaf. S’kisha ndërmend, as sot s’më shkonte ndërmend se, do derdhja lot. Çfarë mund të flas tjetër unë për këto burgje, kur komunistët shqiptarë, dënonin shqiptarët e pafajshëm.

Unë nuk gjeta një njeri që të kishte bërë një krim, që të më thoshte: unë kam bërë këtë, po të gjithë, ose për biseda arratisje ose, për tentativë arratisje ose, për gjera të sajuara. Të gjithë këta njerëz futur nëpër burgje dhe mbi ta një dhunë e jashtëzakonshme. Kur në burgun e Burrelit lexoje parulla: “Këtu i thonë Burrel, ku hyn e më nuk del”, të shkruara në mure. Në Burrel kishin vdekur qindra burra.

Burgu i Burrelit, është ndërtuar në mënyrë të tillë që, rrezja e diellit, nga çdo krah të binte dielli, rrezja nuk hynte brenda. Atje ku nuk ka diell, nuk ka as jetë. Dhomat kishin dritare por dielli nuk hynte brenda tyre. Në këto dhoma, gardianët kishin njerëzit e tyre (po të dënuar) që provonin mos i kishin sharruar dritaret, i fusnin për të sëmurur njerëzit, i fusnin nëpër biruca. I zhvishnin, duke i lënë në mbathje dhe kanatjere e të lidhur me zinxhirë.

Më kujtohet njëherë më kishin lidhur me zinxhirë këmbët, duart dhe një zinxhirë tek këmbët e, tek duart të lidhura mbrapa. Patateve andej u thoshin kërtolla dhe aty në fund në birucë, më kishin hedhur ato patatet, unë djalë i ri i uritur, tërhiqem zvarrë dhe e kap një patate me gojë, ashtu i lidhur edhe gjysmën po e këpusja, vetëm kur hapet sporteli dhe bërtet ai polici: çfarë bën?

Ai polici, (tani më kujtohet), ishte nga Mallakastra, e quanin Qemal Azja, ishte shumë i egër shumë i ndyrë. Më vonë e kam takuar në kampin e Ballshit si punëtor. I kishte rënë e shoqja difiçit atje në burgun e Burrelit edhe e takoj atje e i them “Ela Laze”? Unë kam qenë një djalë i shëndoshë gjithmonë kam patur shëndet, ai pati frikë dhe më tha: më fal. Më tha: “Unë kam menduar se, çdo gjë që fluturonte, haet”. E lash atë muhabet nuk i thash gjë.

Deri në vitin 1973, se dua të jem i sinqertë deri në fund në të gjitha pikat, në burgun e Burrelit, flinin të gjithë në çimento. Në vitin 1973, këta e shtruan me dërrasa, por jo birucat. Aty filluan të na japin disa rroba burgu, një peshqirë, na shtuan edhe çajin, bashkë me tre gram sheqer. Unë nuk kam patur ndihma familjare, jam rritur jetim por, nuk kam vuajtur shumë se, më kanë dhënë shokët. Unë kur shkoja tek krevati, gjeja biskota mi kishin dhënë shokët.

Kishte raste që bëheshim 3-6 shokë ndanin cigaret, 5 cigare ti, 5 cigare unë dhe thoshin: do t’ja çojmë Bajramit. Kishe 500 gram bukë, kishe një kandar të improvizuar, domethënë dy copa dërrasa me spango trekëndëshe, këtu vendosnin 500 gram gurë dhe këtej peshoheshe buka dhe sytë e të burgosurve rrinin duke pare, nga do anonte! Burgjet komuniste, kanë qenë shumë të egra. Tek ne kanë lënë gjurmë. Ne ishim në një vend ku torturoheshim, nuk ke se si i harron këto.

Syri jonë ka shirita, i ka të gjitha të regjistruara, edhe natën në gjumë kur nuk e shikojmë veten mire, ne shikojmë makthe. Nuk mund të kalojnë këto gjëra si një copë bukë me djathë. Unë kam parë njerëz, po edhe vetë jam rrahur në mënyrën më barbare, këto nuk harrohen. Galeritë nuk harrohen, thyerjet e këmbëve dhe të duarve nuk harrohen. Jazëk u qoftë atyre personave edhe bashkëvuajtësve të mi, që arrijnë t’i kalojnë këto gjëra sikur s’ka ndodhur asgjë. Komunistët kanë bërë kërdinë.

Ne vetëm punonim, bakri, piriti, të punoje në zonën e dytë të Spaçit ,të nxirrje pirit, ishte 60 gradë nxehtësia aty brenda, detyrimisht ti do zhvisheshe. Kur pikonte pika e acidit në trup, dridhej trupi si gjarpër. Ndërsa ata zotërinjtë ngroheshin në një sobë jashtë edhe kur dilje, të pyesnin sa vagonë ke bërë, pse s’ke bërë kaq, pse s’ke bërë aq, na lidhnin, na rrihnin. Çfarë të them më?! Mendoja njëherë me veten time, të vdesi ky Enver Hoxha, një orë pas tij të vdes dhe unë.

Si e kujton vdekjen e Enver Hoxhës, në cilin burg ke qenë kur vdiq diktatori?

Kur ka vdekur ai, unë kam qenë në Qafë-Bari edhe radioja e kishte dhënë frëngjisht. Të them të drejtën, unë nuk kam mësuar ndonjë gjuhë nëpër burgjet, biles kur hyra, isha dhe fëmijë nuk e dija ç’ishte politika. Më thotë një shok: ka vdekur Enver Hoxha. Ishte një Kudret Hoxha, shkova e i thashë: ka vdekur Enver Hoxha, ai bënte sikur nuk dëgjonte. I thash prap: ka vdekur Enver Hoxha. “Me gjithë mend” – tha. Po i them. Serioz në fytyrë tha se: do na mbysin.

I ranë bilbilave dhe po bërtisnin në mensë, kishin mbledhje. Ishte për t’u çuditur, kishte të burgosur që qanin. Ato ishin lot krokodili, ata qanin dhe rrinin afër me policët. Kishte spiunë nga dora jonë, plotë. Kishte ardhur një farë Lek Ymeri, oficer i lartë, 500 burra u futën në mensë. U dëgjua zëri atij, ku tha: “Unë po shoh që ju jeni kënaqur, keni marrë vesh që ka vdekur udhëheqësi i Partisë dhe i pushtetit, por nga partia jonë do dalin udhëheqës të tjera”.

Ata shpreheshin hapur me ne dhe na thoshin: “Ju nuk do dilni gjallë që këtu, ju do mbaroni 10 vite burg, ne do ju ri dënojmë më 10 vite të tjera” dhe kështu vepronin. Unë jam dënuar 8 herë. Unë i kam edhe 15 vite “borxh”, për t’i bërë komunizmit. Unë kur kam dal nga burgu, s’kisha familje, kam fjetur poshtë Komitetit Ekzekutiv në Tepelenë, ku po binte shi. Atje fjeta për siguri se, mund edhe të na vrisnin se, si i trajtonin gjërat këta…! Unë kam dal jo më tepër se 50 kg. nga burgu.

Pështyja gjak edhe kur më ka marrë gruaja për vizitë në spitalin e Beratit, i thonë gruas: “Ky, një muaj ose, një muaj e gjysëm, ky nuk vete më shumë”. Shikoja gruan që qante, por unë jetova, nuk e kam patur shumë problem jetën. Atje nëpër vuajtje, mësova mos t’a kem problem. Unë e kam çunin 25 vjeç tani, vajzën e kam në universitet 22 vjeç.

Kaq mundësi patëm të bënim. Unë vij nga vuajtjet dhe unë u përkas atyre. Kënaqësia ime është kur më vjen ndonjë shok i burgosur në shtëpi. Ne nuk e kemi mendjen për të ngrënë e për të pirë, e kemi tek këto kujtimet e burgjeve. Jam Barjam Njazi Dervishaj, kam vuajtur 28 vjet burg në të gjitha kampet dhe burgjet e Shqipërisë. Memorie.al

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Sot protesta e opozitës/ Zbardhet ‘skenari’ dhe rrugët që do të bllokohen! Berisha i pranishëm për herë të parë, pas lirimit nga 'arresti shtëpiak'

Sot protesta e opozitës/ Zbardhet ‘skenari’ dhe rrugët që do të bllokohen! Berisha i pranishëm për herë të parë, pas lirimit nga 'arresti shtëpiak'