Plot 43 vite më parë, duke u gdhirë data 18 dhjetor e vitit 1981, kryeministri shqiptar Mehmet Shehu, i cili e mbante atë funksion që nga viti 1953, u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit (sipas versionit zyrtar, nga plumb “a” pistolete), në vilën ku banonte së bashku me familjen e tij, në hyrje të “Bllokut” të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, fare pak metra nga godina e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe gjithashtu vilës së Enver Hoxhës.
Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër dekada nga ajo ditë, e konsideruar si një nga ngjarjet më të rënda dhe të bujshme gjithashtu të atij regjimi, ende dhe sot, nuk ka një version të qartë e të saktë, rreth asaj që ka ndodhur me ish-kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehu, në mesnatën duke u gdhirë 18 dhjetori 1981! Por, edhe pse pas viteve ’90-të, janë bërë publike me dhjetëra dëshmi dhe dokumenta arkivore, lidhur me atë ngjarje, “vrasja apo vetëvrasja e Mehmet Shehut”, vazhdon të jetë objekt debatesh dhe diskutimesh të shumta, madje duke e mbështjellë edhe më shumë me mister, të vërtetën rreth saj!
Nisur edhe nga ky fakt, në kuadrin e publikimit të dhjetëra dëshmive dhe dosjeve me dokumente arkivore nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, që kemi botuar në këto tre dekada pas shembjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, gazeta ka siguruar dosjen voluminoze “të armikut Mehmet Shehu”, e cila është nxjerrë nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme (tashmë pjesë e fondit të Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), ku me ndonjë përjashtim të vogël, pjesa më e madhe e tyre, nuk e ka parë kurrë dritën e botimit dhe publikohen për herë të parë e të plota.
Në dosjen në fjalë, gjenden të plota dhe me faksimilet përkatëse, akt-ekspertiza e grupit operativo-hetimor, që u ngrit menjëherë që paraditen e 18 dhjetorit 1981, me në krye Koço Josifin, (kryetar i Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës), mjekët-ligjorë Dr. Fatos Hartito dhe Docent Bashkim Çuberi, mjekët e kryeministrit, Milto Kostaqi dhe Llesh Rroku, si dhe ekspertin kriminalist të Laboratorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Brendshme, Estref Myftari, të asistuar nga funksionarët e lartë të asaj ministrie, Xhule Çiraku, Elham Gjika dhe Lahedin Bardhi.
Gjithashtu në dosjen voluminoze në fjalë që po bëjmë publike, ndodhen edhe dëshmitë e familjarëve të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, personelit të shërbimit dhe grupit të tij të shoqërimit, si dhe të gjitha personave të tjerë, që u thirrën dhe deponuan rreth asaj ngjarje. Për më shumë rreth kësaj etj., na njohin dokumentet në fjalë, të cilat po i publikojmë të plota, së bashku me faksimilet dhe fotot përkatëse.
Por, edhe pse kemi të bëjmë vetëm me dokumente arkivore, duhet theksuar se; duke e ditur tashmë se si ka funksionuar ai sistem i para viteve ’90-të, kurrsesi nuk mund të pretendojmë për vërtetësinë absolute rreth atyre çka shkruhet aty, pasi jo vetëm nga personat që kanë dhënë dëshmitë e tyre, por edhe nga hetuesit e kësaj çështje, është bërë e ditur se; ato janë marrë në trysni, presion, intimidim dhe dhunë fizike e psikologjike, madje duke shkuar më tej, ku disa prej hetuesve, i kanë shkruar vetë ato dhe dëshmitarët apo të pandehurit, vetëm sa kanë hedhur firmën aty.
(Vijon nga numrat e kaluar)
DOKUMENTI ARKIVOR, ME PROCES-VERBALIN E MARRJES NË PYETJE BAKI SEJDIN HAKRAMA, OFICER I GRUPIT TË SHOQËRIMIT TË ISH – KRYEMINISTRIT MEHMET SHEHU, NGA ANA E HETUESVE TË MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, SOKOL KOLEKA DHE BASHKIM CAKA
PROCES VERBAL
Sot më datën 19.6.1983, në Tiranë.
Ne, hetuesit e M.P.B., Sokol Koleka e Bashkim Caka, marrim në pyetje si dëshmitar, Baki Hakrama.
Emri, emri i babës, mbiemri: Baki Sejdin Hakrama.
Datëlindja, (dita muaji, viti) 1950 në Pezë.
Arsimi: Të mesme (kurs 8-mujor për oficer).
Vend-banimi: Tiranë, Lagjja Nr 8, Rruga “Lidhja e Prizrenit”, Pallati 16, Shkalla 6.
Detyra: Oficer në Drejtorinë e II-të të M.P.B.
Anëtarësia në Parti: Nuk është në parti.
A është i dënuar: Nuk është i dënuar.
Numri i letërnjoftimit: ———-.
Marrëdhëniet me të pandehurin: Nuk ka lidhje familjare.
Hetuesi më paralajmëroi për përgjegjësinë penale, në bazë të nenit 202 të K.P., për dëshmi të rreme.
FIRMA E DËSHMITARIT
Baki Hakrama
Në lidhje me çështjen, mund të them sa më poshtë:
Unë që nga viti 1975 e, deri sa vrau veten armiku Mehmet Shehu, kam kryer shërbimin si oficer roje në shtëpinë e Mehmet Shehut. Në fillim ne oficerët e rojës që bënim shërbim në hyrjen kryesore të shtëpisë së Mehmet Shehut, vareshin nga rajoni i banimit të Udhëheqjes.
Pastaj që nga viti 1980, me sa më kujtohet, më 20 tetor, apo nëntor, e deri ditën që u vetëvra Mehmet Shehu, me urdhër të ministrit të Punëve të Brendshme, filluam të varemi nga grupi i shoqërimit të Mehmet Shehut, ku kryetar grupi ishte Ali Çeno. Ne aty ishim në shërbim 6-të orësh dhe me ndërresa………………………………………..!
Gjatë shërbimit që kam bërë në këtë shtëpi, kam vënë re se ata të gjithë, sidomos vitet e fundit bënin një jetë të degjeneruar, silleshin si princa, të fyenin dhe të kërcënonin me burg, vinin të dehur në darkë, visheshin me modë ekstravagante, ku në mjaft raste ekspozonin trupin e zhveshur (femrat) etj. Me këto gjëra na bënin përshtypje të madhe dhe i diskutonim me njëri tjetrin dhe për çdo gjë informonim Ali Çenon, si përgjegjës grupi.
Këto vitet e fundit, në shtëpinë e Mehmet Shehut ka ardhur Ismail dhe Elena Kadareja, Bujar Lako, Edmond Budina, Rikard Ljarja, etj. Nga rrethi i tij familjar, kanë ardhur Duro Shehu, me familjen e tij, vëllai i Mehmet Shehut që ka në Fier dhe djali i tij, Tanush Shyti me vajzat e tij, berberi i “Dajtit”, Xhavit……., farmacistja Bardha Meta, gjinekologu Skënder Pogoni, Llambi Peçini, Gani Kodra e Agim Çaushi.
Personat e mësipërm, kanë ardhur deri kohët e fundit dhe kur vinin ata, ne lajmëronim në shtëpinë e Mehmet Shehut, personat e shërbimit, ndërsa kur vinte Qamil Peshqeshi, Fejzo Bijo, të cilët vinin shpesh dhe në çdo kohë, ata hynin në shtëpi pa lajmëruar njeri, se kështu na kishin urdhëruar Ali Çeno me Jonuz Luton…………………………………………….!
Ndër personat që kanë ardhur shpesh në shtëpinë e Mehmet Shehut, kanë qenë dhe Llambi Ziçishti e Nesti Nase, kurse me Kadri Hazbiun, Mehmet Shehu bënte gjithmonë muhabet, duke shëtitur në rrugën ndërmjet shtëpisë së tij dhe Shtëpisë së Partisë Nr. 1.
Kohët e fundit, Marjeta zuri një shoqe që në vitin 1981, u fejua me oficerin e grupit tonë, Dashamir Rrabaj, dhe menjëherë pas kësaj, në korrik, Dashamiri vajti dhe shoqëroi Bashkim Shehun në Itali. Dashamirin e caktoi Mehmet Shehu që të merrej me filmat që i bënin atij……………………………………….!
Më kujtohet se afro pas dy vjetësh nga Kongresi i VII-të i PPSH-së, në shtëpinë e Mehmet Shehut, ka ardhur për darkë Raul Marko dhe 11 persona të tjerë, ku përveç familjes së Mehmet Shehut, nuk i ka pritur njeri tjetër……………………………!
Mehmet dhe Fiqret Shehu, i mbanin shumë afër Ali Çenon dhe Jonuz Luton. Jonuzi ishte njeriu më i preferuar i Fiqretes dhe atë e afronte shumë edhe Mehmet Shehu, në verën e vitit 1979, kur përfundoi vila e Mehmet Shehut në Durrës dhe filloi ajo në Tiranë. Ndërsa Ali Çenon, armiku Mehmet Shehu, e ka mbajtur gjithmonë shumë afër dhe i linte dorë të lirë të bënte ç’të donte në emër të tij. Gjithashtu edhe Ali Çeno fliste mjaft mirë për Mehmet Shehun, thoshte që është njeri i madh, etj.
Vitet e fundit Mehmet Shehu e çoi atë disa herë jashtë shtetit, për të shoqëruar fëmijët e tij. Në këtë kuadër, si Ali Çeno ashtu dhe Jonuz Luto e Fejzo Bijo, përfitonin shumë gjëra në emër të tij dhe të Drejtorisë së Pritjes, e që s’i takonin, përveç të ngrënit dhe të pirit pa lekë, e kur t’i donte qejfi.
Ata edhe pakot që u vinin nga jashtë shtetit, i adresonin në emër të Ali Çenos, Jonuz Lutos dhe Fejzo Bijos, e pastaj këto mallra që futeshin kontrabandë, i ndanin midis tyre. Me Ali Çenon, armiku Mehmet Shehu bënte muhabete vetëm për vetëm, si në shtëpinë e Mehmet Shehut, ashtu dhe në ballkon, ose në oborr të shtëpisë dhe duke shëtitur.
Sidomos afrimi i madh i Ali Çenos me këtë armik, u duk në rastin e prishjes së fejesës së Skënder Shehut me Silva Tudiun, ku Aliu shprehte keqardhje për Mehmet Shehun. Në këtë kohë Mehmet Shehu e dërgoi Ali Çenon në Suedi, për të shoqëruar gjoja Skënder Shehun, që ishte i mërzitur, megjithëse me të ishte dhe Gani Kodra.
Më kujtohet se edhe kur Ali Çeno ka shkuar në Paris në vitin 1980 edhe kur shkoi në Suedi më 1981, ka biseduar vetëm për vetëm me Mehmet Shehun, edhe brenda në shtëpi edhe në oborr të shtëpisë……………………………………………!
Kohët e fundit, pas prishjes së fejesës së Skënder Shehut me Silva Turdiun, Mehmet Shehu dhe pjesëtarët e familjes së tij, ishin bërë si pula të lagura, ata bënin muhabet në të ngrysur në verandë apo në oborr të shtëpisë, sidomos Mehmet Shehu me Fiqret Shehun, por edhe Bardha me Vladimirin, etj.,………………!
Nga data 12-13 dhjetor 1981, rreth orës 18.00 – 19.00, ka ardhur në shtëpinë e Mehmet Shehut, Neësti Nase dhe e ka futur brenda Ali Çeno……………………………………………….!
Më datën 16 dhjetor 1981, rreth orës 19.00, ka ardhur në shtëpinë e Mehmet Shehut, Feçor Shehu, ku e ka futur brenda Ali Çeno, ………………………………………………..!
Në të dyja rastet, Aliu i priste këta persona dhe në rastin e Feçor Shehut më ka thënë mua, që do të vij për vizitë te Mehmet Shehu, Feçor Shehu, dhe kur të vij, më lajmëro që ta fus brenda. Dhe unë kështu bëra, kur Feçor Shehu erdhi përmes lulishtes, përpara shtëpisë së Mehmet Shehut dhe u afrua afër vend-rojës ku isha unë, unë e lajmërova Ali Çenon, erdhi Aliu dhe e shoqëroi Feçor Shehun në shtëpi brenda…………………………….!
Kohët e fundit, me urdhër të Ali Çenos, që thoshte se është urdhër i Mehmet Shehut, në oborrin e shtëpisë së Mehmet Shehut, mbaheshin ndezur natën vetëm pak drita të vogla, dhe që nga nëntori i vitit 1981 e, deri sa vrau veten Mehmet Shehu, çelësat e derës anësore të shtëpisë, nga ajo që i mbanim ne oficerët e rojës, u lanë tek dhoma e oficerëve të shërbimit, ku duhet që t’i mbante një nga oficerët që flinte aty, kur ishte me shërbim.
Duhet të theksoj se Ali Çeno, nuk flinte asnjëherë në dhomën e oficerëve në darkë, se si kryetar grupi nuk rrinte natën me shërbim, përveçse rasteve kur e kërkonte vetë Mehmet Shehu, që këto ishin të rralla…………………………………..!
Në datën 17.12.1981, Astrit Veliu e Pëllumb Rustua i thanë Aliut, nëse do të loznin nesër me top, kurse Aliu iu përgjigj: “Jo, ju nuk e shihni se ç’po bëhet”?!
Në datën 17.12.1981, në grupin e shërbimit, oficer roje, nga ora 8.00, deri në 14.00, isha unë, nga ora 14.00, deri në 20.00, Petrit Dema, nga ora 20.00, deri në orën 02.00, Astrit Veliu dhe nga ora 02.00, deri në ora 08.00, Asim Bejo………………..!
Për aq sa kam qenë unë me shërbim, di që Mehmet Shehu shkoi atë mëngjes në mbledhjen e Byrosë Politike. Të nesërmen, më datë 18.12.1981, erdha në mëngjes në shërbim dhe mora vesh se Mehmet Shehu kishte vrarë veten.
Aty dëgjova edhe Ali Çenon që thoshte se: “Mehmet Shehu vrau veten, se ishte njeri me sedër”………………………..!
Proçes-verbalin e lexova, thëniet e mija janë të vërteta, e firmos………………………………!
Dëshmitari Hetuesit
Baki Hakrama Bashkim Caka, Sokol Koleka". /Memorie.al/