Vrasja mafioze e Ervin Dalipaj dhe shokut të tij Juxhin ose Xhino Dauti nga Vlora, ka qenë e mirëstudjuar nga personat që kanë marrë përsipër kryerjen e këtij ekzekutimi.

Në një analizë provash të mbledhura brenda këtyre 48 orëve nga policia dhe prokuroria e Durrësit, është arritur në konkluzionin se në këtë vrasje mund të kenë marrë pjesë më tepër se tre persona.
 
Grupi hetimor që drejtohet nga prokurorët Agron Gjana dhe Drini Pali, ende nuk ka qartësuar se kush ishte objektivi i këtij atentati, pasi të dy viktmat Ervin Dalipaj dhe Xhino Dauti, kanë qenë me hasmëri, për shkak se janë akuzuar për vrasje.

Vlonjati Juxhin Dauti për ekzekutimin e Fatjon Banit dhe Dalipaj për ekzekutimin e Gazmend Çollakut. Të dy nuk kanë pranuar krimet për të cilat janë akuzuar.

Nga ana tjetër prokuroria dhe policia e Durrësit është mundur të mësojë diçka më tepër mbi rolin dhe pozicionin e dy vajzave në këtë vrasje. Dy vajzat të moshës 23 dhe 24 vjeç janë dëshmitaret e fundit që janë takuar me dy viktimat. Ato janë shoqëruar në polici, duke u marrë në pyetje përgjatë gjithë natës,të cilat në deklarimet e tyre kanë pohuar se qëllimi i takimit me Juxhin Dautin ka qenë për ti rregulluar makinën në një servis pranë autostradës, dhe për ti kërkuar atij që ti ndihmonte të kalonin automjetin tip “Smart” në pikën e kolaudimit.
 
Vajzat kanë treguar se nuk e njihnin fare Ervin Dalipaj, dhe se gjatë takimit me ta dhe momenteve të drekës, ai i është prezantuar me një emër tjetër. ”Kemi lënë makinën në servis dhe jemi larguar me makinën tip “Audi” drejt një lokali ku kemi qëndruar për drekë, në pritje deri të rregullimit të makinës në servis. Ne njihnim vetëm Juxhinin, ndërsa personi tjetër na është prezantuar me një emër tjetër dhe na tha se ishte emigrant në Itali”-kanë deklaruar dy vajzat.
 
Këto të fundit janë pyetur në polici nëse kishin parë persona të dyshimtë apo nëse kishin vënë re ndonjë makinë që i ndiqte nga pas, gjatë kohës kur kanë qenë në shoqërinë e shtetasve Ervin Dalipaj dhe Juxhin Dauti, por ato janë shprehur se s’kanë vënë re asnjë gjë të dyshimtë. Pavarësisht këtyre deklarimeve, grupi i hetimit ka ngritur dyshime se ato mund të jenë përdorur si karem nga pala kundërshtare, skemë kjo si ajo e vrasjes së shtetasit Marsel Sotirit në muajin tetor 1998 në Durrës, ku e dashura e Klodian Saliut u përdor nga Banda e Durrësit si karrem për ta futur Sotirin në pritë.
 
Policia thotë se vajzat mund të kenë mbajtur në shoqëri dy viktimat, ndërkohë autorët kanë qëndruar në distancë, për ti qëlluar në një moment të shkujdesur. Të dyja vajzat në mëngjesin e djeshëm janë lënë të lira nga policia e Durrësit, ndërkohë i janë mbajtur si provë materiale aparatet e telefonit. Telefonat e tyre pritet ti nënshtrohen një ekzaminimi të plotë me shpresën se mund të gjendet kontakte apo foto të viktimave të dërguara tek persona të tjerë. Nëse policia arrin të gjejë kontakte të dyshimta apo biseda me persona të tjerë që tregojnë vendodhjen e dy personave, atëherë policia dhe prokuroria e Durrësit do të provojnë implikimin e dy vajzave në këtë vrasje.
 
Ndërkohë drejt ekspertimit janë dërguar dhe aparatet e telefonit të dy viktimave,për të mësuar rreth komunikimeve që ata kanë pasur para se të ekzekutoheshin.

Redaksia Online
B.B/Shqiptarja.com