Dëshmitë tronditëse të ish-të dënuarit politik, nga SHBA-ja: Para ekzekutimit, Patër Çipriani më tha; të lutem, tregoje të vërtetën për Klerin Katolik

Dëshmitë tronditëse të ish-të dënuarit politik, nga SHBA-ja: Para ekzekutimit, Patër Çipriani më tha; të lutem, tregoje të vërtetën për Klerin Katolik

Gjatë viteve ’30 dhe ’40 të shekullit të kaluem, me zbritjen e rrebeshit të pandalshëm fashist e komunist mbi Europë, ma parë e ma vonë mbi të gjithë botën, “fati” zuni për gryke edhe kombin shqiptar. Si të gjithë të rinjtë, edhe unë u gjenda në nji udhëkryq ku duhej marrë nji qëndrim, qoftë edhe me rrezikun e jetës. Atëherë i thashë “jo” diktaturës, e mora rrugën që nuk kishte fund, nji lundërtar në detin e gjanë, pa brigje. Akti rebel që pothuajse më vrau, më çliroi njëkohësisht. Jam dëshmitar okular i jetës në ferrin fashist dhe komunist në Shqipni, jo si “politikan”, “personalitet” i makro-politikës shqiptare, por si student, si i ri që u ndërgjegjësova për rolin tim, në atë kohë dhe në atë vend, nga dashunia për atdhe dhe dëshira për liri; thjesht, si nji i ri me sensibilitet të theksuem, besnik i vetvetes, i jetës me dinjitet.

Vijon nga numri i kaluar

XIV 

Nuk ndjehesha mirë me shëndet. Kisha temperaturë të naltë, merrsha frymë me vështirësi, e kollitja më jepte dhimbjet therëse në kurriz, që më shkulshin mushknitë. Ushqimi ishte i dobët, por unë nuk isha në gjendje me marrë, as ujin e bukën. I shtrimë në krevat gjithë kohën, shokët e dhomës bajshin të pamundunën, me lehtësue dhimbjet e mia. Natën nuk flejsha e, pagjumësia më lodhi edhe ma shumë. Farmacisti-infermier që kujdesohej, Elezi, nji engjëll mbi tokë e, i burgosun bashkë me mue, ishte nji prej shokëve ma të ngushtë. Mbas dy ditë observimesh, ai raportoi se vuejsha nga nji pleuritë e thatë, që rrezikonte të keqësohej me shpejtësi. Drejtori më dërgoi në Spitalin e burgut, nji dhomë e ngushtë, dritoren me hekura të trashë mbi oborrin e spitalit, e dy krevate. Nji roje qëndronte në hymje.

Ditën e dytë, mjeku më pau, urdhënoi radioskopinë, më vuni në nji rregjim ilaçesh, e doli pa thanë asnji fjalë. Mbas derës, ai i tha diçka rojes, por unë nuk kuptova gja. Dy orë ma vonë, hyni në dhomë drejtori i burgut e përshëndeti me njerëzi. Unë nuk fola, por kur pashë fytyrën e tij, dallova menjiherë, se mbas uniformës së oficerit, ishte shoku im i shkollës fillore, ish- partizani që banonte pranë shtëpisë sime. Pa dashje, buzëqesha. Më pyeti për shëndetin, por nuk isha në gjendje me përgjigje. –“Mos fol”! më tha, “tashti do të dërgojmë, për radioskopi”, e doli nga dhoma. Kur u kthye, ishte i shoqënuem nga nji infermiere, që nuk e njihsha mirë e, nji roje të armatosun. I mbajtun nga të dy krahët, hyra në sallën e radiologjisë. Kur u ktheva, infermierja më pëshpëriti se burri i saj, Ndoci, ish- bashkëpunëtori im, që kishte ndihmue të arratisunit me ushqime, kishte vdekë, para se të arrestohej.

“Ma mirë kështu”, shtoi ajo, Matilda, e u largue. Unë nuk përgjigja. Ditën e tretë, roja më solli ushqimin nga familja, si shtesë e racionit që më dha spitali. Në krevat fillova të flej ma qetësisht e, me ushqimin e përmirësuem, fitova energji. Pak nga pak, u ngrita nga krevati e, fillova me ecë nëpër dhomë. Roja më shikonte nga dritorja e vogël, herë mbas here, e nuk fliste. Nga nji herë i afrohesha dritores nga ku nuk shihsha gja, e ndigjojsha zanet e kalimtarëve. Lajmi i vdekjes së Ndocit, më shkaktoi nji depresion. Punonte si vizatues teknik, në Zyrën e Rindërtimit, me mue e me Qamilin, nji tjetër shok pune, besnik, i pjekun, e i burgosun me mue. Ndoci ishte i sëmurë nga tuberkulozi e, jetonte nga nji ditë në tjetrën. Grueja, infermiere, nuk kishte lindë fëmijë, e dashunia e tyne, kishte qenë për njeni-tjetrin. Po ai ishte i vendosun, me u aktivizue në rezistencë.

Pjesëmarrja e tij në grupin tonë, ishte e ndërgjegjshme, dhe me entuziasëm. Ai bani shumë me mbledhë ndihma për të “arratisunit”, siç quheshin zyrtarisht luftëtarët e lirisë, e me mbajtë kontakte të vazhdueshme. I qetë për natyrë, i dobët me shëndet, e besnik pa kompromis, ai ishte i bindun se jetonte ditët e fundit të jetës, e nuk pranonte me humbë asnji minut, pa ba diçka, Shpesh mungonte në zyrë, e gruaja na lajmonte se ishte në krevat. Nuk e vizitojshim në shtëpi, mos me krijue dyshime. Por kur të tjerët u arrestuen, ai u dërrmue shpirtënisht, nuk shkoi ma në zyrë, e vdiq mbrenda dy javësh.

Gjendja e tij shëndetësore ishte aq e dobët, sa që Sigurimi nuk e arrestoi, por e izoloi me nji roje pranë krevatit. Lajmi i vdekjes tij, më solli përsëri, e me forcë, kujtimet e shokëve që u dënuen me vdekje. Njeni nga ata, Fahriu, që na respektojshim për inteligjencën e vendosmëninë e tij me organizue “rezistencën antikomuniste”, siç shprehej ai, më dhimbej ma shumë. Ende i ri, i diplomuem rishtas nga universitetet italiane, punonte si inxhinier pyjesh, me entuziasmin e nji të riu që besonte se ishte i pathyeshëm. Vorfënia që dëshmonte në zonat malore të vendit, e sidomos egërsia e ekzekutimeve të asaj popullsie nga Forcat e Ndjekjes se Sigurimit, e kishin revoltue deri në atë pikë, sa të hidhej në krahët e lëvizjes së organizueme, kundër regjimit komunist.

I thjeshtë, idealist, shikonte çdo gja me nji sy optimist. Në pranverën e vjetit 1946, Fahriu u këthye nga Tirana, me lajmin se nji lëvizje kombëtare antikomuniste, po fillonte, e se ai do të bashkohej me ata. Grupi jonë respektonte mendimet e tia, e pa mendue si duhet peshën e aktit tonë, pranoi udhëheqjen e tij e, vijën e veprimit që na këshilloi. Në këtë situatë, ishte e domosdoshme me shtri veprimtarinë tonë, mbrenda dhe jashtë qytetit: me të rij, kryesisht studentë, e me të “arratisunit” që na i quejshim “luftëtarët e lirisë”. Ishte vera e vjetit 1946. Ka qenë në këtë periudhë, zgjanimi që ngjau “Lëvizja e Postribës”, për të cilën na nuk kishim asnji përgjegjësi. Në Shkodër, filluen arrestimet në masë. Njeni nga të arrestuemit, kishte shërby si ndërlidhesh i udhëheqsit tonë, me grupin e Tiranës. Tortura bani punën e vet, e grupi jonë përfundoi në burg.

Fahriu idealist u arrestue, u torturue, u dënue me vdekje e u ekzekutue! Ekzekutimi i tij, u ba në të njajtën kohë me atë të nji frati françeskan, me të cilin u takova rastësisht në qelitë e Sigurimit, vetëm pak muej ma parë. Ai akuzohej, për mbajtje armësh në Kishë. Kjo akuzë, e vriste shumë ndërgjegjen e këtij shërbestari, për damin që mund të pësonte Kisha. E vërteta, ashtu si më tregoi ky bir i Shën Françeskut, në çastet ma kritike të jetës, e para vdekjes, ishte se ai kishte ra viktimë, e nji gjesti të pamenduem mirë, nji ngjarje banale: katër armë të lanuna aty, nga nji seminarist austriak, ushtar gjerman, tue pritë rastin, me i hjedhë përjashta pa zhurmë. Frati i pafat, ishte denoncue nga nji seminarist i përjashtuem, për shkelje të rregullave të Kuvendit. Sigurimi e shfrytëzoi këtë rast, me nji propagandë gënjeshtare që kaloi kufijt e vendit tonë, e që reklamonte përgatitjen e nji kryengritje të organizueme, nga Kleri Katolik Shqiptar.

Mbas nji demaskimi zyrtar të turpshëm e të organizuem, katër klerikë të naltë françeskanë, u ekzekutuen, e rreth tridhjetë të tjerë, u dënuen me burgime të randa. “Pushteti” kishte gjetë nji rast shume të volitshëm, me eliminue Klerin Katolik në Shqipëni, qendrën ma të fortë dhe ma të përgatitun antikomuniste. “Ajo që më shqetëson pa masë”, më thoshte frati para vdekjes, “ashtë mashtrimi i popullit, e kam frikë se ka edhe nga ata, që e besojnë…”! Mbas “rrëfimit”, frati m’u drejtue me nji lutje që më këputi shpirtin; “Ti je i ri” – më tha – “e nji ditë, do të lirohesh. Të lutem shumë, kurdoherë që të lirohesh, tregoje të vërtetën. Ky ashtë amaneti im…! Duhet ta dij populli, se nuk jemi fajtorë. Të lutem shumë”! përsëriti.

I prekun ne zemër, e përqafova këtë viktimë të fatit të keq, që nuk trembej nga vdekja, por që tmerrohej nga gënjeshtra e madhe që përhapte “pushteti”, kundër Kishës Katolike Shqiptare. “Pater Çiprian”! i thashë me gjysëm zani, por me vendosmëni, “po të dal i gjallë, do të tregoj të vërtetën”! E tue e përqafue me lot, shtova: “Pater, ka mundësi të mos ekzekutohesh”! Ai buzëqeshi, e shtoi: “Biri im, me vrasjen time, komunistët duan me vra të vërtetën”! Emnat e fytyrët e atyne që gjetën vdekjen në torturë, e që u dënuen me vdekje, filluen me dalë përpara, si figura të gjalla që kërkojshin nji spjegim.

I shtrimë në krevatin e spitalit, ata më pyetshin: Pse?! Pse kjo valë terrori e pamend dhe e pakontrollueshme, mbulonte vendin tonë?! Pse kjo etje e madhe, për gjak shqiptarësh të pafaj, pse ky sadizëm i pafund, mbushte zemrat e mendjet e pushtetareve?! Pse populli jonë, para nji katastrofe të këtillë morale e politike, nuk gjente guximin, me u revoltue në masë?! Në çdo kand të Shqipënisë, në burgjet e qendrat e tortures të quejtuna “hetuesi”, dërmoheshim me dru të pagdhendur, trupat e vëllazënve e motrave shqiptare të pafajshëm, të gjithë ata që kërkojshin lirinë, për vete e për të tjerët. Ku ishin të nesërmet që u premtuen me aq entuziasëm e hov rinie, për vjet me radhë?!

Konflikti në mes të kujtimeve të mia, për kushërinin nandëmbëdhjetë vjeçar, të ekzekutuem në kampet naziste, të frymës idealiste që përshkonte ato vjete, me mijëra të rij e të reja shqiptare, nga njena anë, e nga ana tjetër, realiteti i përditshëm që jetojshim e, sidomos gënjeshtra e madhe që i shërbehej pa asnji skrupull nji populli të tanë, nga “udhëheqsit politikë”, më mbante të ngrimë në vend, paralizue nga përmasat monstruoze të këtij konflikti e, rrjedhimet shkatërrimtare që solli në vendin tim. Ishte e vështirë me besue, se edhe kushërini i sakrifikuem në altarin e luftës për liri, kundër okupatorit e, për nji të ardhme ma të mirë për të gjithë, do të kishte pranue, realitetin e krijuem në vendin tonë. E kisha njohë mirë atë, e sinqeriteti i tij në mendime e veprim, nuk kishte shkaktue asnji dyshim. Ishte inteligjent, e pak nga pak, ai kishte diktue njilloj ndamje, në mes të propagandës së hapun për të gjithë, e veprimeve të mbylluna, mbrenda grupeve të elementit të besueshëm, e besimi i tij fillestar, ishte lëkundë.

Çfarë do të thoshte kushërini im, sikur të jetonte terrorin që ushtrohej mbi këtë popull, që ai adhuronte në fantazinë e tij rinore, sikur të vizitonte qendrat e hetuesisë e burgjet, sikur të dëshmonte egërsinë e torturës mbi të arrestuemet, sikur të numronte vorret e të ekzekutuemeve, shpesh herë për çapkënllëkun e oficerëve injorante të Sigurimit, inate personale ose, përbuzje fetare e paragjykime krahinore?! Çfarë do të thoshte kushërini im, sikur të shihte popullin që jetonte me racione buke misri, të pamjaftueshme, katundarin që çveshej nga toka që punonte, punëtorin në uzinë e qendra pune, që transformohej çdo ditë e ma shumë në robot, i pakënaqun, e studentët që zijshin nga shtypja e padurimi, kundrejt nji regjimi që i kishte kapë për gryke e, pengonte frymëmarrjen e tyne të lirë, ndërsa arsimtarët e pedagogët, ishin objekti kryesor i dyshimit, e i ndjekjes policore?

Çfarë do të thoshte kushërini, sikur të shihte se në vendin tim, “shokët jugosllavë” të luftës, sundojshin si pashallarët moderne, e udhëheqja ishte kthye në shërbëtore besnike, që zbatonte urdhnat “nga lart”, pa pyetë, pa diskutue, pa hezitim e pa rezerva, dhe këtë gjendje skllavënie të plotë, e quejshin “lidhje vllaznore”?! Bisedimi jonë i fundit, më vinte tashti si një kujtesë e gjallë. Ai kishte kuptue diçka, kishte ra pré e krymbit të dyshimit, e kishte fillue me mendue me kokën e vet. Në këtë gjendje fluide, ai luftonte me gjetë një farë bashkëjetese, në mes të idealizmit që ofronte marksizmi dhe praktikës staliniste, të ushtrueme nga qarqet drejtuese partiake në qytet, e nuk e gjente! Ishte i lodhun nga kjo luftë e brendshme, i pasigurt për rrugën e tij e njëkohësisht, i paaftë me u largue, aq ma pak me marrë një qëndrim kundërshtar. Ku do të ishte sot kushërini im? Sigurisht, jo në radhën e udhëheqësve partiakë, që ishin zhveshë plotësisht nga çdo ndjenjë njerëzore e kombëtare, e shërbejshin interesat e Partisë Komuniste Jugosllave, me fanatizëm e me çdo mjet: të ashpër, të dhunshëm, me gjak.

Ku do të ishte sot kushërini im?! Në burg bashkë me mue?! Ndoshta edhe ma larg! Sepse urrejtja e pushtetarëve, ishte ma e theksueme për ata që ishin zhgënjye nga “eksperimenti”, e kërkojshin me rifitue lirinë. Kushërini im do të ishte arrestue, torturue, burgosë ose ekzekutue, nga vetë shokët e Lëvizjes, për të cilën ai dha jetën. Për këtë, unë nuk kisha asnji dyshim! Dalëngadalë po çmendesha: vetëm, i smurë, i dënuem me pesëmbëdhjetë vjet burgim, në moshën njizet e dy vjeçare. Në atë dhomë të vogël spitali vetëm, mendimi më lejonte me thye hekurat e muret që më rrethojshin e, me u lëshue pa frenime në qiellin e lirë të spekulimit, ku mendja rreket pa ndërpremje, në kërkim të së vërtetës së panjohun, e të së bukurës së përsosun. O mendje njerëzore! Ti je shqiponja e pafrikë, që ngren në naltësitë e pafund të qiellit, atë çka ma e shenjtë pushon në zemrat tona njerëzore, ti përfaqëson madhështinë e pranisë hynjore brenda nesh e, dëshirën për liri të pakufizueme!

Në kohën e drekës, roja më lejonte ushqimin që më sillte nana. Herën e parë, kur ndigjova zanin e saj, më erdhi aq i ambël, aq i afërt, sa më pruni lotët në sy. Nana ishte aty, para derës, pa muejtë me hy, por tingulli i zanit të saj, më erdhi i papenguem. U ngrita në kambë nga dëshira me qenë sa ma afër saj, me ndigjue ma mirë, e me shpresën se mund ta shihsha, qoftë edhe për së largu. Nga dritorja, shihej vetëm muri i një ndërtese përballë, e një copë qielli. Ajo i bante pyetje të pambarim rojes, për shëndetin tim, e merrte përgjigje të thjeshta, pa asnjë shpejtim. Mandej heshtje! Dukej se shpresonte me ndigjue zanin tim, rastësisht. Takimi ishte i ndaluem!- “Si asht me shëndet. A përmirësohet”? – “Po”! – “E han ushqimin”? – “Po”! – “A ka nevojë për ushqim tjetër”? – “Jo”! – “A ngrihet prej shtratit”? – “Po”! Nana heshtte, sikur dëshironte me gjetë pyetje të reja. – “A ka mundësi me e pa”? – “Jo”! – “Pse”?! – “Kam urdhër”!

Përsëri heshtje! Atëherë, roja urdhnonte me u largue, e plaka merrte rrugën e shtëpisë, me hapa të ngadalshëm e, zemër të vrame. M’u kujtue një skenë fëmijërie, kur kisha qa me ngashërim, aq sa deshta vetë. Shpeshherë ma vonë, më solli kujtesa tek ky vajtim që, çdo fshamje, më dukej sikur më kishte lehtësue një pjesë të dhimbjes, aq sa më jepte ndjenjën e çlirimit. Atë ditë, mendova se nuk kam ma, as të drejtën e lotëve, sepse nuk jam fëmijë, jam burrnue. Lotët që rrjedhin, si vuejtje e langët që kullon, i kërkoj me shpirt, pa mujtë me i gjetë. Atë ditë, nuk rrodhi loti me lehtësue! Një muej mbas ardhjes në spital, pyeta rojen për takimin mujor, por ai, ma preu shkurt: “S’ka takim këtë muaj. Urdhër nga drejtori”!

Ky “urdhër” nga drejtori, më krijoi hutim, sepse ishte ai që tregoi një farë keqardhjeje, për gjendjen time, e lejoi ushqimin nga familja. Ç’kishte ngja?! Pse më mohonte një të drejtë, që më siguronte “ligji” e, që gëzojshin të burgosunit e tjerë?! Dyshimi u rrit, kur vizitat e drejtorit u ndërprenë krejtësisht! Gjatë qëndrimit në qelitë e burgut të Kuvendit, kisha mundësi me ndigjue disa herë, konferencat politike, të mbajtuna nga policët. Zani vinte i dobët nga poshtë, por fjalët kuptoheshin mirë, sa herë që ishte qetësi e plotë. Përmbajtja e raporteve që lexoheshin, ishte monotone, si lajmet e përditshme të fletoreve qeveritare, bajate e gënjeshtare. Por toni që i jepej materialeve të këtilla pa vlerë, e gjuha e përdorun gjatë diskutimeve, sidomos kur ishte fjala për të burgosunit, ishte e nji ultësie të pabesueshme.

Çdo fjalë e ndytë e fjalorit rrugaç, përsëritej e ripërsëritej pa pushim, aq sa u bante elementi kryesor i konferencës. Diskutuesit ngriheshin në një garë të pafrenueme shamjesh të ndyta, për të burgosunit, pa kursye as nanat, gratë e motrat tona. Fryma hakmarrëse që shprehej e duertrokitej në atë sallë, më friksonte ma shumë, se neveritja e paevitueshme që sillte fjalori i policëve. Kërcënime e përsëri kërcënime, kundër “armiqve të popullit”, sikur përgatitshin terrenin për shkopinj të rij, të oficerëve hetues, që bijshin pa mëshirë mbi kurrizet tona. Atje poshtë, në atë sallë konferencash, po gatuhej diçka e rrezikshme. Atje poshtë ishte një “uzinë”, që zhvishte njeriun-polic nga gjithçka, përveç robëve, e fabrikonte robotë të stërvitun, me shkaktue vuejtje e poshtnim.

Nuk muejsha me parapa një të ardhme normale, për popullin tim. Frika se të tjerë, shumë të tjerë mbas meje, do të kalojshin nëpër kalvarin që jetojsha, me coptonte zemrën. Çdo fjalë nga poshtë, çdo britmë e çdo duartrokitje, më vinte si një shkop ma shumë, si një shkelm, një rrokullisje nëpër shkallët e çimentos, sepse nuk kisha asnjë dyshim, që fytyrat e reja monstruoze që po përgatiteshin në “uzinën” e propagandës partiake, do të kërkojshin tjetër gjak, të tjerë trupa të coptuem, të tjera viktima, që do të kënaqshin nevojet e tyne, të krijueme artificialisht për torturë, të shuejnë zjarrin e tyne të ndezun mjeshtrisht, nga profesionistë, për hakmarrje shtazarake. Kush tjetër do të jepte gjakun në të ardhmen, në luftë me kulshedrën e kuqe, përveç atyne që andrrojshin një botë të drejtë, të hapët, pa pengesa e të lirë, për vete e për të tjerët?

XV 

Nji ditë në mëngjes, roja hyni në dhomë, pa asnji paralajmërim, më lidhi duert me zinxhirë, e pa më lejue me marrë plaçkat, më shoqnoi deri te “Burgu i madh”. Mbas një kontrolli të imtë, më vendosën në dhomën nr. 9. Përsëri pyetje të pambarim e, dëshira me ditë çdo gja që kisha pa e ndigjue, gjatë dy muejve në spital, sikur të kisha qenë për pushime. Jetë burgu! Të nesërmen, fillova me u familjarizue me të gjithë. Katundarë, malësorë, nëpunës administrate, oficer: në përgjithësi, kjo masë heterogjene, meritonte mëshirim e përkrahje. Shumë nga ata, ishin krejtësisht të pafajshëm e naivë, deri në atë pikë, sa ende nuk kuptojshin, pse gjindeshin në burg! Në rreshtin karshi meje, kishin zanë vend së bashku, dy malsorë nga Luma, njeni plak e tjetri, nji i ri me dorën e majtë, të shkatërrueme nga plumbi. Ishin njerëz të qetë, e kalojshin gjithë ditën, me një llullë duhani, shpeshherë të zbrazët.

Të dënuem me vjet të gjata burgimi, për kundërshtim me armë të brigadave partizane, pritshin çdo ditë “faljen”, ose një mrekulli tjetër, që do t’i nxirrte prej burgut, me një thjeshtësi shqetësuese. Qetësia e tyne e jashtme, me mahniste, një durim pa ankesa, një stoicizëm që vrehet vetëm te besimtarët e bindun. Ushqimi prej familjes, ishte i rrallë, e burgu nuk jepte tjetër, veçse racionit të bukës së misrit e ujin, si në Mesjetë. Shëndeti keqësohej çdo ditë, por qëndrimi i tyne, ishte i palëkundun. Ata shikojshin, heshtnin, e durojshin me dinjitet. Rrahjet e të burgosunve në burgun e Shkodrës, fillojshin mbas orës dhjetë të mbramjes…në errësinë! Të gjithë shkojshin me urdhën në krevat, në orën nandë, e në dhomë biente qetësia e plotë, që prishej vetëm nga zhurma e rojeve, ose e të burgosunve të torturuem. Natën e parë, u dënue një plak shtatëdhjetë vjeçar nga qyteti, që i kishte dhanë dy qepë, një malësori prej Mirdite. Për këtë shkelje të rregullores, ai u dërgue në qelinë e akullt, u detyrue me u zhveshë lakuriq, u lag me ujë të ftohtë, në atë natë shkurti, e në qelinë e lagun, u rrah me dru, derisa nuk ishte në gjendje me folë. Britmat e plakut mbushën burgun, e krizma e shkopit mbi kurrizin e viktimës, ndigjohej e qartë.

Mbas një ndëshkimi të këtillë, u lejue me u kthye në dhomë, i lagun, i ngrime, i nxime në fëtyrë e në trup. Me qëllim që poshtnimi të ishte i plotë, rojet nuk e lejuen me u veshë, derisa hyni në krevat! Asnjeni prej nesh, nuk guxoi me u ngrejtë e me ndihmue. Pranë derës, qëndronte roja me dru. Plaku erdhi në dhomë tue u dridhë, e i zhveshun, hyni në krevat, me u ngrohë sa ma shpejt. Herë mbas here, ndigjoheshin dhambët që kërsitshin e, ofshamjet që nuk mund t’i përmbante. Dhoma jonë ishte e vdekun. Unë, mbulova kokën, prej turpit. Me ndjenjën e dobësisë për mungesën e guximit të duhun, më erdhi në mend, skena e Gjethsemanit, e fillova me kuptue gjendjen shpirtnore të “dishepujve”, të frikësuem, kur “Mësuesi” i tyne, rrahej me kamxhik, pa faj. Asnjeni nga “dishepujt”, nuk pati guximin me protestue. Akoma ma keq! Edhe ma i miri në mes tyne, mohoi tri herë “Mësuesin”, megjithëse kurrë nuk e harroi, e gjithë jetën, e deshti pa kufi! Memorie.al

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen