Ka dështuar seanca e parë në themel për inceneratorin e Fierit, ku një nga shkaqet ishte mungesa e avokatit të Arenc Myrtezanit, pronar i një kompanie fiktive sipas SPAK, që ndodhet në kërkim. Gjithashtu, Gjykata e Posaçme evidentoi problematika ne njoftimin e subjekteve të akuzura që po gjykohen ne ketë proces. Seanca e radhës u caktua me 2 maj në orën 10:10.
Më 24 mars Gjykata e Posaçme kaloi për gjykim dosjen për ndërtimin e Inceneratorit të Fierit ku janë marrë të pandehur ish-ministri i mjedisit Lefter Koka, ish-deputeti Alqi Bllako si dhe kolaudatori i punimeve Arben Dervishaj dhe disa zyrtarë e biznesmenë të tjerë. Prokurorja Flojera Davidhi disa javë më parë i kërkoi prokurorisë që të ndryshojë akuzën për ish-sekretarin e Ministrisë së Mjedisit Alqi Bllako si dhe për Arben Dervishaj, nga ajo e korrupsionit të zyrtarëve të lartë shtetërorë në korrupsion të zyrtarëve publike duke lehtësuar pozitat e këtyre personave. E njëjta akuzë u ndryshua edhe për biznesmenin Klodian Zoto, ndërsa ngelën të pa ndryshuara akuzat e tjera ato të pastrimit të parave, mashtrimit me pasoja të rënda dhe krijimi i skemave fiktive.
Edhe për dy administratorë të kompanive, shtetasin Giuseppe Ciafaglione dhe Arjola Kodra që kryen punime për inceneratorin e Fierit u ndryshua akuza nga ajo e korrupsionit aktiv të zyrtarëve të lartë shtetëror në korrupsion aktiv të zyrtarëve publike. Tetë personat e marrë të pandehur, përfshi edhe ish-ministrin Lefter Koka dhe ish-deputetin Alqi Bllako i kërkuan gjykatës që procesi ndaj tyre të zhvillohet me gjykim të shkurtuar. Pritej që në seancën e parë të themelit, gjykata të vendoste nëse do të pranohet kjo kërkesë, por ajo dështoi. Ndërkohë, togat e zeza pushuan akuzën për Robert Shabanin, pasi rezulton se është gjykuar njëherë për këtë akuzë dhe ishte dënuar nga Gjykata e Apelit të Tiranës.

Sipas akuzave të SPAK për inceneratorin e Fierit u paguan 4 milionë euro për punë që nuk u kryen asnjëherë, ndërsa 60 milionë lekë është dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit në skemën e mashtrimit.
Komente

