Shqipëria dhe Greqia kanë nisur bisedimet për ndarjen e detit. Takimi i parë është mbajtur këtë të hënë në Tiranë në ambientet e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme. Për këtë takim të parë të grupit negociator të të dy vendeve, nuk ka pasur asnjë njoftim nga Ministria e Jashtme. 

Nisja e negociatave Shqipëri-Greqi u njoftua vetëm në orët e vona të pasdites së kësaj të hëne nga Ministria e Jashtme përmes një njoftimit të shkurtër të shpërndarë për mediat. Sipas deklaratës së MEPJ, raundi i parë i bisedimeve për 'Detin' është zhvilluar në mirëkuptim të plotë të përfaqësuesve të të dy vendeve në tryezë.

Sot, me datë 30 prill 2018, u zhvillua në Tiranë raundi i parë i bisedimeve mes Shqipërisë dhe Greqisë për kufizimin e zonave detare. Takimi u zhvillua në një klimë konstruktive dhe bashkëpunuese.

Njoftimi i Ministrisë së Jashtme për takimin negociator për 'Detin'

Takimi i zhvilluar në një klimë konstruktive dhe bashkëpunuese konfirmohet edhe nga pala greke. Në deklaratën e publikuar në faqen zyrtare të MEPJ, takimi i parë negociator në Tiranë përshkruhet me të njëjtat fjalë.  

“Është zhvilluar në Tiranë raundi i parë i bisedimeve midis Greqisë e Shqipërisë për përcaktimin e kufijve detarë. Takimi u zhvillua sot më 30 prill 2018 në Tiranë. Takimi u zhvillua nën një frymë bashkëpunimi”. 

Deklarata e publikuar në faqen zyrtare të MPJ greke

(Njoftimi i Ministrisë së Jashtme greke)

Bisedimet për ndarjen e detit nisën vetëm pak ditë pas takimit në Bruksel të Ditmir Bushatit me homologun e tij grek, Nikos Kotzias. Grupi i negociatorëve shqiptarë drejtohet nga dy bashkëkryetarë, Armand Skapi nga Ministria e Jashtme dhe Ylber Dogjani, komandant i Flotës Detare.

Grupi i negociatorëve: 

Armand Skapi - Ministria e Jashtme

Ylber Dogjani - Komandant i Flotës Detare

Artur Mecollari - Kapiten i parë i Forcave Detare

Arsen Mullai -  Drejtor i Përgjithshëm i AKBN

Viktor Doda - Drejtor i Përgjithshëm i shërbimit gjeologjik shqiptar

Aida Hajna - Zv/drejtoresha e Policisë

Ardjan Bylyku - Drejtori i AKBN

Qirjako Qirko - Ambasador i Shqipërisë në Londër

Elira Kokona - Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Drejtësisë

Ferdi Hysaj - Instituti i Gjeografisë

Luan Bërzhita - Instituti i Arkeologjisë

Lorenc Çela - Drejtor i Institutit të Gjeo-Hapësirës

Bushati dhe Kotzias takohen të enjten në Selanik
Të enjten dhe të premten Nikos Kotzias e Ditmir Bushati do takohen përsëri midis tyre këtë herë në një takim ndërministror në Selanik të Greqisë. Në qytetin verior grek zhvillohet takimi i 3-të ndërministror midis Greqisë, Shqipërisë, Bullgarisë e Maqedonisë. Aty do të marrin pjesë veç ministrave të Jashtëm edhe ministrat e Brendshëm si dhe të Transportit.

Sipas programit veç mini-konferencës së përbashkët do të ketë edhe takime bilaterale midis ministrave përkatës. Me më shumë interes priten të jetë takmet që ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, do të ketë me homologun shqiptar Ditmir Bushati për marrëveshjen midis dy vendeve si dhe me homologun maqedonas për çështjen e emrit zytar të shtetit sllav.