‘Dhashë 102 mijë €, s'mora dyqanin’, Rama: S’ndërhyjmë dot. Veliaj: Mos i jepje pa marrë çelësat

‘Dhashë 102 mijë €, s'mora dyqanin’, Rama: S’ndërhyjmë dot. Veliaj: Mos i jepje pa marrë çelësat

Kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj janë përballur me një qytetare, e cila ka denoncuar një firmë private, së cilës i kishte blerë një pronë.

Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët, qytetarja emigrante në Francë tha se kishte shpenzuar 102 mijë euro për një dyqan, që nuk ishte përfunduar ende, edhe pse ishte blerë prej shumë vitesh.

Kryeministri Rama tha se kjo është një çështje mes sipërmarrësit privat dhe qytetares dhe se qeveria nuk mund të ndërhyjë. Ndërsa nga ana tjetër, kryebashkiaku Veliaj tha se kur një qytetar ka një shumë të madhe parash, nuk duhet t’ia japë askujt pa marrë çelësat në dorë.

Qytetarja: Prej 20 vitesh kam emigruar në Francë, doja që fëmijët e mi të ktheheshin këtu. Kam 102 mijë euro te kopshti botanik, vijmë 2-3 herë në vit për ta ndjekur këtë pronë dhe nuk kemi një copë letër për një dyqan te kopshti botanik. Kemi bërë akt-marrëveshje, kemi depozituar shumën, kur erdhët ju në pushtet kisha shumë shpresë. Si ka mundësi që këtë vit që vij sërish, ai zotëria jo vetëm nuk e ka mbaruar, por ka marrë leje tjetër ndërtimi te Rruga e Kavajës? A ka shtet këtu, që të mbarojë njëherë atë dhe pastaj të bëjë të tjera. Ju jam drejtuar nëpërmjet platformës, kemi kaq ditë te bashkia, ALUIZNI, asnjë nuk na e hap derën, vetëm Ministria e Drejtësisë që na priti dje. Jemi në regres. Shteti  të mos i japë leje ndërtimi pa mbaruar atë.

Rama: Kjo është marrëdhënie e juaj me sipërmarrësin që bazohet në kontratë. Nuk ekziston një ligj që t’i thotë bashkisë se nëse X nuk ka mbaruar një pronë, t’i shkelësh të drejtën për të bërë diçka tjetër. Kjo është një çështje gjyqësore.

Kur bëhet fjalë për një investim publik ka penalitete, kur bëhet fjalë për investim privat nuk është çështja te ne. Nuk kam përgjigje tjetër.

Qytetarja: Të rrimë dhe 10 vite tjera?

Rama: Nuk shoh ndonjë mekanizëm si ta detyrojmë sipërmarrësin. Megjithatë, do takosh kryetarin e bashkisë.

Veliaj: Nëse ke 102 mijë euro mos i jep kudo. Një njeriu që nuk t’i ka dhënë çelësat në dorë mos i beso për t’i dhënë gjithë ato para. Për atë që po flisni ka qenë njësi tjetër, Farka, më 2015 kaloi me Tiranën. Unë e njoh mirë atë zonë, jam në dijeni, ky është faji i shtetit rrumpallë që kishim. Këtë maskara, nëse është i tillë, ne duhet ta çojmë para drejtësisë. Duhet të shkojmë te dera që e zgjidh, Ministria e Drejtësisë, dhe ajo ju ka pritur.


Lajmi kryesor:

Rama: Ata që u dorëhoqën nga Vettingu, do kthehen të japin llogari para drejtësisë


  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë