Dhimbja e fshehtë e poetit Pjetër Nikolla e shprehur në artin poetik

Dhimbja e fshehtë e poetit Pjetër Nikolla e shprehur në artin poetik

Pjetër Nikolla

Jo rastësisht, studiuesi dhe poeti tashmë i njohur Pjetër Nikolla, del para lexuesit me librin e tij të ri “Mendimi pleks ylberet”. Thënë ndryshe, poeti Nikolla ka krijuar tani një traditë mjaft premtuese në poezi, duke përsosur stilin e tij të të shkruarit, duke disiplinuar idetë dhe duke zgjeruar tematikën dhe problemet që pasqyrohen përmes vargjeve të tij. Në këtë vepër voluminoze të ndarë në dhjetë cikle, ku përfshihen rreth 144 poezi, poeti shpreh ndjenjat e tij, pasqyron shpirtin e tij artistik, por mban dhe qëndrim kritik ndaj fenomeneve negative që ndodhin rëndom në realitetin e përditëshëm shqiptar.Poezia është ndjenjë, mendim, realitet shpirtëror, prandaj poeti përmes vargjeve ngre realitetin në art, mban qëndrim ndaj këtij realiteti dhe kërkon t’ua bëjë të ditur brezave. Përmes faqeve të librit autori sjell fjalën e tij poetike, ku spikatin etapat e zhvillimit historik, arritjet e kohës, përsosja e individualitetit dhe shqetësimet që përjetojnë qytetarët tanë në ditët e sotme. Në këtë vepër, poeti bën objekt trajtimi edhe dashurinë, si ndjenjë njerëzore, një nga temat më të preferuara, së cilës poetët e sotëm po i  kushtojnë qindra vargje.Në kontekstin artistik, vargjet për dashurinë janë prekse, emocionale, njerëzore si vetë ndjenja që lind tek një njeri me vlera njerëzore: “…Dukej bukur krejt e veshur, / Të kërcyer gjijtë e saj, / Unë i dehur në mendime. Ngrinte flokët e shpërndarë, / Rash në kurth të zemrës sime”. Koncepti universal i një dashurie të tillë është dhunti hyjnore që ngërthen në vetvete atë ndjenjë fisnike dhe njerëzore, të cilët poetët e shprehin lirshëm, natyrshëm dhe pa komplekse, sepse objekti primar i kësaj ndjenje është vajza shqiptare, ajo që mishëron në vetvete të bukurën dhe të madhërishmen.

Krijuesi Pjetër Nikolla ka synuar të krijojë një poezi elitare që në thelb të shprehë botën e brendshme shpirtërore, ndjesitë emocionale dhe pakënaqësitë që rrjedhin nga realiteti i sotëm. E tërheq vëmendjen e poetit kjo botë e trazuar, prandaj kërkon më shumë kulturë dhe qytetërim, sepse vetëm kështu mund të ecim me dinjitet përkrah popujve të tjerë të Europës. Prandaj poeti shkrun: “…Të trishtojnë këta mendjedehur, / S’thua dot edhe një fjalë, / Të jesh i ndershëm vec të shajnë! / C’është morali s’duan të dinë, / Nderi lënkundet mbi greminë. Kështu shoqëria jonë është në kërkim dhe njëherë në forcim të identitetit të saj, po shqetësimet e popetit janë reale, prandaj duhet bërë kujdes. Kjo qasje artistike ndaj personalitetit dhe moralit njerëzor, krijon një realitet të zymtë që paraqitet artistikisht përmes strukturave poetike dhe shërben për të kritikuar këtë realitet të hidhur të ditëve tona.

Tek cikli “Komb i denjë”, bukuria e ndjenjës, thellësia e mendimit dhe mjeshtëria e vjershërimit duket se përkojnë artistikisht me momentet historike që ka kaluar populli ynë që në lashtësi e deri në ditët tona për të ruajtur dhe konsoliduar identitetin, gjuhën dhe traditat në të mirë të tij. Duhet theksuar se poeti tregohet vecanërisht i ndjeshëm në pasqyrimin e ndjenjës së atdhedashurisë dhe të humanzimit shoqëror, duke pasqyruar dhe shprehur përmes poezisë disa ide dhe pikpamje historike, të cilat i ka trajtuar edhe më parë në veprat e tij studimore. Shprehja poetike shkrihet dhe konkretizohet në vjershat kushtuar lashtësisë së kombit tonë, gjuhës së lashtë shqipe, fiseve të lashta, që mbeten në vepër si vargje lapidare shkrirë në emocione dhe prevalojnë në faqet e historisë sonë. Në pikpamjen historike, poeti mban qëndrim tepër kritik ndaj disa pseudo - studiuesëve që mohojnë vlerat e kombit tonë. E nis me Gjergj Kastriotin – Mohojnë edhe Skëndërbeun, pastaj me gjuhën, flamurin, lashtësinë e kombit tonë etj, duke shprehur idenë se koha përgjithson të vecantën, zbulon dhe nxjerr në pah faktet historike dhe vërteton madhështinë e zhvillimit historik, vecanërisht në trevën e Mirditës: “…U bë mbledhja në Manastir, / Dhe Kongresi i drejtshkrimit, / Se kish shkronjë para greke, / Para greke e romake, / Gjuhë Ilire e Pellazge, / Gjuhë Etrsuke dhe Mesape. Përmes prezantimit historik të fakteve të cilat autori i paraqet me saktësi, lexuesi njihet me atë bashkëjetesë të tragjizmit që mohojnë historinë, gjuhën dhe identitetin e kombit tonë. Kësisoj shfaqen para nesh vegime të pasqyruara mirë dhe kalime artistike me nivel, nga shkrimi epigrafik në Gëziq të Mirditës, tek shteti i Arbrit në Ndërfanë, nga gjuha e Etruskëve, te shqiponja me dy krerë nga Progoni i Arbrit, tek dera e Gjomarkajve, prince të Mirditës, duke vëzhguar me kujdes si do të reflektohet pas ngritjes së këtyre çështjeve dhe ç’qëndrim do të mbahet ndaj historisë. Reflekse të konceptimit të qartë poetik ndeshim edhe tek vjersha “Të lashtë në vend të vet”, ku lexuesin e rrëmben optimizmi duke u përballur me fakte konkrete të historisë së lashtë të kombit tonë, të cilët vertëtojnë se ky komb ka qëndruar krenar në trojet e veta që nga periudha e Neolitit. E gjejmë të pasqyruar këtë ide edhe tek vjersha “Pirustët janë Dardanë”, ku harmonizohet bukur konkretësia dhe saktësia historike kombëtare.

Në momente të caktuara poetit i sëmbon në zemër dashuria për vendlindjene  tij, Mirditën. Eshtë krenar autori që ka lindur në një trevë të tillë plot bukuri, histori të lashtë dhe njerëz fisnikë. Prandaj vargjet për vendlindjen janë të bukura, emocionale dhe me peshë ideoartistike. Janë një numër i kufizuar poezish, por që flasin shumë, sepse përmes tyre autori shpreh krenarinë kombëtare, vlerat historike, mallin e pashuar, por edhe dhimbjen për mjerimin,  jetën e vështirë, braktisjen etj, prandaj shprehet: “Vend i qëndresës, / Kundër turkut edhe Serbisë, / I tretur në harresë, / Vendi i besës, i burrërisë, / I trimërisë nëpër stuhi, / Dhe ëndrra i braktis…”. Në këtë prizëm, autori shqipton atë që ndjen në shpirt dhe që është tronditëse, prandaj në një farë mënyre i thërret ndërgjegjes kombëtare sa s’është vonë. Kjo strategji e mendimit poetik përligjet në një farë mënyre edhe tek poezia “Trojet i kanë lënë”, ku përmes veçantisë së të shprehurit, autori krijon rrafshe artistike dhe unifikim idesh: “Keq ky fshat u braktis, / Në tri shpi u katandis, / Arat djerrë, pyjet gjëmojnë, / Kullat mbyllë dhe gremis, / Edhe malet po rënkojnë…”.Panorama e tablove shprehet këtu përmes simbolikës së braktisjes e cila ndërthuret me bukuritë natyrore dhe ndjenjën e dhimbjes. Këto ndjenja dhe mendime atdhetare, këto qëndrime krtike ndaj fenomeneve negative që ndodhin sot në shoqërinë tonë, janë manifestime të fuqishme, qëndrime unikale që i kalojnë caqet provinciale duke u bërë shprehje e idealeve kombëtare.

Eshtë për t’u theksuar se poeti Pjetër Nikolla ka arritur që të pasqyrojë realisht gjendjen dhe problemet e mëdha, që mjerisht u shfaqen në vendin tonë vitet e fundit. Iu desh poetit të gërshetonte imazhe të pazakonta dhe tronditëse të përditshmërisë ku simbolikë e shprehjes është injoranca dhe pasuria. Ky mjedis i ngushtë ku vërtitet individi i sotëm i paformuar karakterizohet nga interesa të  ngushta, synimi për pasurim, servilizmi, korrupsioni, injoranca, shkëputja nga realiteti, cilësi këto që autori i kritikon dhe i demaskon pa mëshirë, duke shprehur idenë, se kështu duhet të bëjë gjithë shoqëria njerëzore. Ky vëllim poetik shënon një hap me rëndësi në krijimtarinë e krijuesit dhe poetit Pjetër Nikolla, jo vetëm për nivelin ideoartistik, por edhe për tematikën e gjërë, harmoninë e trajtimeve dhe problemet që shtron para shoqërisë së sotme dhe që presin për zgjidhje.Vepra është shembull i realitetit, qëndrimit të vetëdijshëm i punës vetmohuese për zbulimin e vlerave të reja poetike dhe arritjen e përsosjes së vlerave poetike.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave